Kryeministri Berisha priti sot në një takim ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, z. Antonio Miloshovski.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha vlerësoi vizitën e ministrit të Jashtëm Maqedonas Miloshovski si një ngjarje e rëndësishme, e cila rikonfirmon marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve dhe qeverive dhe vullnetin për të forcuar dhe zgjeruar edhe më tej bashkëpunimin e gjithanshëm.
Ministri i Jashtëm maqedonas, pasi e falënderoi për pritjen e ngrohtë dhe i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet më të përzemërta të Kryeministrit Gruevski, e uroi Kryeministrin për fitoren e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit dhe për mandatin e ri të qeverisë Berisha.
Ministri i Jashtëm Miloshovski vlerësoi progresin e madh të Shqipërisë gjatë mandatit të kaluar të qeverisë Berisha, në veçanti anëtarësimin në NATO, duke i shprehur edhe njëherë Kryeministrit Berisha vlerësimet e vendit të tij për këtë arritje madhore të vendit.
Kryeministri Berisha e falënderoi për urimet e ngrohta e miqësore dhe i shprehu Ministrit maqedonas vlerësimin e qeverisë shqiptare për progresin e Maqedonisë në projektet për integrimin në Bashkimin Europian dhe anëtarësimin në NATO, duke ritheksuar edhe njëherë mbështetjen e plotë të Shqipërisë për aspiratën e vendit mik e fqinj, Maqedonisë, për anëtarësim në NATO.
Më tej, të dy personalitetet diskutuan për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, në veçanti në fushën e infrastrukturave të rëndësishme për të dy vendet. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha dhe Ministri i Jashtëm i Maqedonisë rikonfirmuan vullnetin e të dy qeverive për përpjekje të përbashkëta, edhe me partnerët europianë, për të nxitur ecjen përpara të projektit Korridori 8, për të ndërtuar linjën e transmetimit dhe interkonjeksionit elektrik që do të lidhë të dy vendet, për krijimin e pikave të përbashkëta të kontrollit të kufijve dhe atij doganor, si dhe për përditësimin e marrëveshjeve ndërkombëtare midis të dy vendeve për ujërat, ku, si pasojë e ndryshimeve klimaterike, edhe e ngrohjes globale, është kthyer në domosdoshmëri rishikimi i protokolleve të nënshkruara më parë midis të dy vendeve.
Ministri i Jashtëm maqedonas vlerësoi si shumë të rëndësishme punën që po bën qeveria shqiptare për ndërtimin e rrugës së Arbrit, e cila shkurton distancën mes Shkupit dhe Tiranës me 100 kilometra dhe e siguroi Kryeministrin Berisha se qeveria maqedonase po ndërmerr masa për riparimin e rrugës Shkup- Dibër e madhe, për të mundësuar në të ardhmen lehtësimin e shkëmbimeve mes dy vendeve.
Të dy personalitetet rikonfirmuan qëndrimin e dy qeverive se zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit mbetet një element i rëndësishëm për thellimin e harmonisë, tolerancës dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve në Maqedoni dhe konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit në këtë vend dhe në rajon.
Në fund të takimit, të dy palët rikonfirmuan dëshirën për vazhdimin e thellimin e shkëmbimeve dhe kontakteve politike në nivele më të larta, si element shumë i rëndësishëm në nxitjen dhe promovimin e zgjerimit dhe thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit midis dy vendeve, në të gjitha fushat.
08/02/2010