Kryeministri Berisha përshëndeti sot punimet e Asamblesë Kombëtare të Shoqatës së Komunave të Shqipërisë.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha vlerësoi përkushtimin dhe rolin e pazëvendësueshëm të drejtuesve të pushtetit lokal në zhvillimin e komunitetit ku qeverisin dhe vendit në tërësi. Duke i siguruar ata për mbështetje të vazhdueshme nga ana e qeverisë, Kryeministri shprehu kënaqësinë që grandet dhe fondet për qeveritë vendore janë katërfishuar dhe që me anë të ligjit të ri të miratuar nga qeveria, i cili do të miratohet edhe në parlament, qeveritarët vendorë do të kenë më shumë kompetenca. “E bëjmë këtë me bindjen më të plotë se ju më shumë kushdo tjetër mund të inicioni e të ndërmerrni politika zhvillimore në komunat dhe komunitetet tuaja”, tha Kryeministri.
Kryeministri Berisha kërkoi nga drejtuesit e pushtetit vendor që të jenë më të vëmendshëm në regjistrimin e pronave, pyjeve e kullotave që i janë transferuar nga pushteti qendror, si dhe të kenë një vëmendje absolute në performancën fiskale.
Një tjetër çështje në të cilën u ndal Kryeministri Berisha ishte mbrojtja dhe zhvillimi i mjedisit. “Kërkoj nga ju që në axhendën tuaj të keni çështjen më të parë mbrojtjen e mjedisit, pastërtinë e tij. Gjatë muajve që vijnë do të shpallim ditën e pastrimit të Shqipërisë. Ne duhet të ndërmarrim një lëvizje të fuqishme në mbarë vendin”, tha Kryeministri. Gjithashtu, Kryeministri kërkoi kontributin e pushtetit lokal nxitjen e kultivimit të drurëve frutorë, arrorëve dhe ullinjve në territoret e tyre.
Kryeministri Berisha i ftoi drejtuesit e pushtetit vendor që të bëjnë gjithçka për një klimë sa më të shkëlqyer për biznesin dhe investimet. “Ju garantoj se për çdo pasuri që do të shfrytëzohet në territorin tuaj, ju do të jeni aksionerë në të ardhurat që krijohen prej saj”, tha Kryeministri.
Në punimet e Asamblesë Kombëtare të Shoqatës së Komunave të Shqipërisë mori pjesë dhe një përfaqësi e gjerë e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, dua të përshëndes përzemërsisht konferencën tuaj, të shpreh vlerësimin tim të madh për kontributin tuaj të rëndësishëm si qeveri vendore, që operoni dhe veproni në kushte më të vështira se qeveri të tjera vendore dhe se qeveria qendrore, por që keni një rol të jashtëzakonshëm në zhvillimin e komuniteteve, komunave dhe vendit në tërësi. Dëshiroj t’ju siguroj se qeveria ka një vlerësim të madh për ju, kapacitetet, përkushtimin dhe rolin tuaj të pazëvendësueshëm. Në këtë kontekst, siç jeni dhe vetë dëshmitarë, gjatë këtyre viteve ne kemi patur një partneritet të shkëlqyer me ju. Pak vite më parë u ndodhëm para një situate kur vendi fonde kishte, por projekt nuk kishte. Së bashku bëmë ndarjen e detyrave dhe ju me seriozitet, kompetencë e përkushtim hartuat me qindra a në mos mijëra projekte për zhvillimin e komunave dhe komuniteteve tuaja. Ndërkohë, qeveria ka bërë përpjekje të mëdha që ju të pushtetëroheni gjithnjë e më shumë. Ju jeni qeveritarët direkt të qytetarëve dhe duhet të keni të gjitha atributet ligjore për t’ju përgjigjur kërkesave të qytetarëve dhe komuniteteve që drejtoni. Në këtë kontekst, unë shpreh kënaqësinë se grandet dhe fondet për qeveritë vendore janë katërfishuar. Sikundër, është bërë një përpjekje e madhe serioze për transferimin e shpejtë të të gjitha pronave në drejtim tuaj. Ju garantoj se qeveria nuk ka vullnet të mbajë në kontrollin e saj as edhe një pronë të vetme në territoret tuaja.
Kam kënaqësi të madhe se këto kohë ne miratuam në qeveri ligjin, i cili do të votohet në parlament, që ju jep juve ato kompetenca të cilat më parë i ka pasur jo qeveria, por parlamenti. Kompetencat dhe vendimet që në ligjet e mëparshme i ishin atribuuar vetëm parlamentit shqiptar, do t’i keni ju me këshillat tuaj. E bëjmë këtë me bindjen më të thellë se ju jeni zotërit, jeni administratorët më të mirë e më kompetentë të komunave tuaja. E bëjmë këtë me bindjen më të plotë se ju më shumë kushdo tjetër mund të inicioni e të ndërmerrni politika zhvillimore në komunat dhe komunitetet tuaja. E bëjmë këtë, sepse ju më mirë se kushdo tjetër, në parim, duhet të ruani dhe të mbroni territorin dhe mjedisin e komunave tuaja. Jemi përpjekur të bëjmë transferime të mëdha të pyjeve. Dua t’ju njoftoj se gjatë këtij viti qeveria qendrore do të zbresë në jo më shumë se 10 përqind të pyjeve të vendit në parqet kombëtare. Por duke vendosur t’i transferojmë të gjitha tek ju, unë ju ftoj juve të bëheni pjesë aktive e privatizimit të pyjeve. Ky do të jetë viti i privatizimit masiv të pyjeve. Kjo, sepse është rruga më sigurt për t’i mbrojtur dhe për t’i zhvilluar ato, është rruga më e sigurt për t’i ripërtërirë dhe për t’i shfrytëzuar me kriteret më të mira. Këtu kam një problem. Një pjesë e mirë nuk i regjistrojnë pyjet që neve u kemi transferuar. Nuk merrni mundimin të shkoni t’i regjistroni në hipotekë. Kërkuat nga ne që të heqim tarifat, duke thënë se ‘janë të larta e s’mund t’i paguajmë’. Ua hoqëm dhe tarifat. Mund të prisni ju që të vijë qeveria t’jua regjistrojë pyjet? Kjo nuk mund të ndodhë. Ju nuk duhet ta nënvlerësoni këtë, sepse kjo ka një rëndësi shumë të madhe. Sidomos tani që projektin e pyllëzimit me ullinj, arrorë dhe dru të tjerë frutorë ne po e spostojmë tërësisht drejt jush, ju duhet të zotëroni me dokumentacionet më të sakta të gjithë territorin e komunës, pyjet, kullotat, shkurret. Ne ju kemi dhënë juve kompetencat e vlerësimit të tokës, e ndryshimit të destinacionit. Absolutisht, në të gjitha takimet që kam bërë më ju, sugjerimet tuaja janë përfillur, janë marrë për bazë, janë shndërruar në vendime qeverie apo dhe në ligje, sipas rastit. Të dashur miq, njëra anë është kërkesa e ligjshme dhe e domosdoshme që ju të merrni pushtete nga qeveria qendrore për tu shërbyer më shumë qytetarëve, por nga ana tjetër çfarë bëni ju vetë për të patur më shumë fuqi? Edhe këtu kemi një problem. Duhet të jemi realist, pushtet është ligji, por pa financa asgjë nuk lëviz. Ne kemi katërfishuar fondet në drejtim tuaj. Po të shohim, ne kemi gati decentralizimin tjetër fiskal. Përveçse kjo ka një rëndësi jetike për vendin, që ju të performoni dhe të mblidhni taksa, kjo është përcaktuese, sepse çdo politikë fiskale e cila rrënon të ardhurat në tërësi, përbën një rrezik serioz për vendin, aq më tepër sot në kohë krize.
Ju të gjithë, me shumë të drejtë, dhe ne, së bashku, kërkojmë të kemi një bazë maksimalisht të gjerë të taksapaguesve. Ka një taksë që është më e ndershmja dhe më mirë e proporcionuar në Shqipëri dhe në çdo vend të botës, taksa e pronës. Ju nuk e mblidhni atë ose e mblidhni në një përqindje jashtëzakonisht të parëndësishme. Si mund ta shpjegojë unë këtë kur në Pejë, në Kosovë, 40 përqind të të ardhurave komuna i krijon nga taksa e pronës, ndërsa këtu në Shqipëri, në Tiranë e kudo, kjo ishte një taksë krejtësisht e parëndësishme. Ndaj, ju lutem shumë, qeveria nuk dëshiron të proporcionojë gjërat në performancën fiskale, por kjo është një kohë jo e lehtë, është e vështirë dhe nuk ka asgjë më të rëndësishme se performanca fiskale për politikat zhvillimore, për shtetin ligjor, për lirinë e tregut, të gjitha këto së bashku. Nuk ka asnjë rrugë tjetër përveç decentralizimit të mëtejshëm fiskal. Ministri i Financave do ta trajtojë më gjerësisht këtë problem. Por në qoftë se ju vërtet doni të ushtroni pushtetin që meritoni në komunën dhe komunitetit tuaj, ju duhet të keni një vëmendje absolute në performancën fiskale, realizimin e të ardhurave dhe kontrollin e shpenzimeve. Ne kemi ligjin e huamarrjes për pushtetin vendor. Nuk zbatohet, sepse bankat vijnë e ju kontrollojnë dhe gjejnë se ju nuk keni performancë, nuk keni fizibël. Unë e kuptoj që komuna e Shëngjergjit është një komunë e vështirë apo komuna e Dukagjinit, e Martaneshit kanë vështirësi të mëdha terreni, etj., por çfarë vështirësie kanë komunat e bregut, e zonës turistike, të cilat kanë, absolutisht, në kontroll të plotë 80 përqind të bregut shqiptar. Uroj dhe është shumë e rëndësishme që këtë vit të bëjmë një hap të madh përpara në drejtim të performancës fiskale.
Këtu jemi në një konferencë dhe do t’i themi gjërat siç janë. Unë do të ndalem edhe në një tjetër problem shumë të dhimbshëm, çështja e mjedisit. Unë dua t’ju them se nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa mbrojtja dhe zhvillimi i tij. Nuk ka vend që mund të ketë një mjedis më të shëndetshëm sesa vendi ynë. Është vend i gjallësisë më të larmishme në Evropë, i biodiversitetetit më të fuqishëm, vend plot ujëra dhe diell, vend i klimave të ndryshme. Pra ky vend ka mundësi t’u ofrojë banorëve dhe qytetarëve të tij një nga mjediset më të shëndetshme. Përpjekje janë bërë, por, absolutisht, jemi larg destinacionit.
Zotërinj kryetarë të komunave,
Në të gjithë territorin e komunave tuaja, aty ku dalin plehra, ato janë simbol. Shumë bëhen automatikisht simbol i qeverisjes vendore. Është në detyrën tuaj të bëni gjithçka për një mjedis të pastër në territorin e komunave tuaja. Të jeni të sigurt se ne do t’ju mbështesim. Në të gjithë territorin e bregut po ndërtojmë 14 impiante të përpunimit të ujërave të zeza. Ne mund të bëjmë çdo gjë, por nuk mund të garantojmë kurrë mbrojtjen e mjedisit të komunave tuaja nga plehrat. Kjo na dëmton në mënyrë të jashtëzakonshme. Kini parasysh që katër milionë vizitorë dhe turistë ishin në Shqipëri vitin 2011. Me gjithë përshtypjet, ndër më pozitivet, një është e sigurt që e marrin negative dhe kjo është plehrat që i gjejnë kudo. Edhe ata e shkruajnë që në lokale dhe restorante ka pastërti shembullore, por del në rrugë dhe gjen plehrat. Pra ne duhet ta bëjmë këtë përparësinë e të gjitha përparësive. A mundet që ne ta paraqesim të pastër këtë vend të vogël? Mundemi, absolutisht, që në momentin që ne të vendosim. Secili prej jush mundet, por duhet ta shndërrojmë këtë në një çështje kryesore. Të mos harrojmë që ne kemi qenë shoqëri rurale dhe shoqëria rurale ka mënyrën e vetë të jetesës. Ka qenë përpjekje dhe për ekzistencë. Sot jemi larg saj. Ndaj kërkoj nga ju që në axhendën tuaj të keni çështjen më të parë mbrojtjen e mjedisit, pastërtinë e tij.
Gjatë muajve që vijnë do të shpallim ditën e pastrimit të Shqipërisë. Ne duhet të ndërmarrim një lëvizje të fuqishme në mbarë vendin. Nuk mundet në asnjë mënyrë që ne të pajtohemi me këtë situatë. Imagjinoni ju katër milionë turistë dhe vizitorë që marrin një përshtypje jashtëzakonisht pozitive për mikpritjen, për ushqimin, për shërbimet, por problemi i tyre – thonë – janë plehrat në rrugë. Ndaj dhe ju bëj thirrje që ta keni detyrë parësore.
Çështje tjetër madhore, në të cilën unë kërkoj kontributin tuaj, është vendimi i qeverisë, sipas të cilit Shqipëria të pyllëzohet me dru frutorë. Shqipëria është vend ideal për kultivimin e drurëve frutorë. Nuk gjejmë një vend të vogël si ky, në të cilin të rritet një diversitet më i madh i drurëve frutorë. Ne kemi përcaktuar dy projekte bazë, ullirin dhe arrorët, por jemi të hapur edhe për kultivimin e të gjithë drurëve të tjerë frutorë. E ndryshuam skemën. Tani do ta bëjmë së bashku me ju. Kërkuat që t’i japim kompetenca për t’i transferuar kullotat, etj., e bëmë dhe ligjin. Thash edhe një herë, kompetencat e parlamentit jua kemi sjellë ju, por duhet të lëvizim me shpejtësi. Me çfarë do të takohemi ne me Evropën, e cila bën subvencionet më të mëdha në prodhimet bujqësore? Ne do të ndjekim këto dy drejtime: arrorët dhe ullirin. Evropa importon dy milionë ton arrorë në vit. I importon nga Kalifornia, nga Turqia, por i importon. Shqipëria mund të bëhet një eksportues shumë i rëndësishëm arrorësh, por kjo kërkon që së paku 250 milionë rrënjë arrorë t’i mbjellim në të gjithë vendin dhe ato kultivohen deri në lartësitë 700 – 800 metra. Lidhur me ullirin, ne duhet të bëjmë gjithçka që brenda harkut dy vjeçar që vjen të arrijmë 20 milionë rrënjë ullinj, për të shkuar tek 50 milionë rrënjë gjithsej. Rruga jonë është rruga e zhvillimit. Pa të ardhura nuk ka zhvillim. Zhvillim për t’u kategorizuar në grupin e vendeve të zhvilluara është e domosdoshme që të ardhurat për frymë të shqiptarëve të kalojnë, së paku, mbi 16 mijë euro apo dollarë. Nuk jemi afër, nuk jemi larg. E kemi filluar me 200 dollarë, jemi tek 9000 dollarë. Kriza evropiane dhe botërore vrapin tonë edhe e ngadalëson. Ndaj dhe është e domosdoshme që të përpiqemi të shfrytëzojmë çdo burim për krijimin e të ardhurave. Ju ftoj të bëni gjithçka për klimën më të shkëlqyer për biznesin dhe investimet. Në të katër anët e vendit ka potenciale të mëdha për investimet. Potenciale këto që ju i njihni më mirë se qeveria qendrore. Ju garantoj se për çdo pasuri që do të shfrytëzohet në territorin tuaj, ju do të jeni aksionerë në të ardhurat që krijohen prej saj. Edhe në industritë nxjerrëse, edhe në të gjitha të tjerat.
Ky është një vit historik dhe ka një mijë arsye të falënderojmë Zotin që Shqipëria feston 100 vjetorin e pavarësisë së saj, por ka edhe një mijë arsye që të bëjmë gjithçka, dhe ju jeni të ftuar, për një Shqipëri më të zhvilluar në 100 vjetorin e saj, më transparente, më të sigurt e më të begatë.
Unë jam i bindur se ju do të jeni në lartësinë e detyrave tuaja dhe ju garantoj se tek qeveria do të keni një partner luajal. Do të bëjmë gjithçka që në partneritet me ju t’i japim përgjigjet më të mira të mundshme të gjithë problemeve të mëdha me të cilat ju përballeni çdo ditë.
Faleminderit dhe ju uroj shumë suksese konferencës tuaj!”
18/01/2012