Kryeministri Berisha vizitoi sot Vlorën, ku mori pjesë në inaugurimin e përfundimit të punimeve në Tunelin e Ujit të Ftohtë, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 100 milion lekë.
Tuneli i Ujit të Ftohtë me gjatësi 117 metra dhe lartësi 4 metra ka aktualisht një gjerësi prej 11 metrash, e cila u bë e mundur në sajë të punimeve të kryera në të, duke e kthyer kështu në një segment rrugor të parametrave moderne dhe bashkëkohore.
Ky investim ju shtohet investimeve të realizuara nga qeveria, të cilat gjatë këtyre viteve të fundit shënojnë mbi 400 milion euro ose dhjetëra herë më shumë se sa në qeverisjet e mëparshme. Investimet konsistojnë në ndërtimin e mbi 300 km rrugë, 21 qendra shëndetësore, 31 shkolla dhe 35 ujësjellës e KUZ.
Vetëm ne rrugët kombëtare janë investuar 98 milionë euro ose 143 km, ndërsa për komunat e bashkitë janë ndërtuar 157 kilometra. Ndër më kryesoret mund të përmendet rruga e Bregut me vlere 60 milion euro e gjatësi 80 km, Autostrada Vlore – Fier me vlerë 30 milion euro, dhe gjatësi 21 km, si dhe rruga Transballkanike me vlerë 6 milion euro e gjatësi 3 km.
Gjithashtu qeveria po harton projektin e by-pass-it të Vlorës dhe projektin që lidh rrugën Trans-Ballkanike me Portin dhe Autostradën Vlorë-Fier.
Infrastruktura moderne dhe gjithnjë në ndryshim e qytetit të Vlorës dhe zonave përreth bën që të gjitha qendrat e banuara të lidhen me plazhet, duke tërhequr gjithnjë e më tepër turistë, numri i të cilëve gjatë viteve të fundit është dhjetëfishuar.
Kryeministri Berisha pa nga afër punimet e realizuara në tunel, si dhe ndoqi ne videoprojektor së bashku me të pranishmit pamje të tunelit të mëparshëm, te krahasuara me pamjet e tanishme të tij.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që ndante me qytetarët vlonjatë gëzimin e inaugurimit të këtij tuneli, i cili tashmë ka marrë pamjen dhe funksionin dinjitoz të një infrastrukture moderne. Kryeministri premtoi se investimet në qytetin e Vlorës do të shtohen edhe më shumë në të ardhmen, duke i dhënë qytetit turistik të Vlorës pamjen që meriton.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht, të shpreh kënaqësinë se ndaj me ju sot, gëzimin tuaj plotësisht të merituar, të inaugurimit dhe rindërtimit të këtij tuneli, i cili tani ka pamjen dhe funksionin dinjitoz, që Vlora meriton.
I ndërtuar më shumë se 70 vjet më parë, tuneli kishte mbetur në skeletin e tij natyror dhe sot ai erdhi i veshur bukur, vjen si një tunel i denjë për çdo qytet modern, i denjë plotësisht për Vlorën.
Tuneli ka një gjerësi prej 11 metrash, një lartësi rreth 4.5 metra dhe është rezultat i një investimi prej 100 milion lekë. Shuma i shtohet mbi 400 milion eurove të investuara në qarkun e Vlorës, për të përmirësuar më shumë jetën e qytetarëve në këtë qark të bukurive mahnitëse dhe potencialeve të jashtëzakonshme turistike. Qeveria gjatë këtyre viteve ka ndërtuar në qarkun e Vlorës 300 kilometra rrugë, nga të cilat janë rrugë kombëtare 143 kilometra, nga Ura e Mifolit në Konispol, janë rrugë komunash dhe bashkish 157 kilometra, ndër të cilat më kryesoret janë rruga e bregut, autostrada Vlorë-Fier, rruga e Trans-Ballkanike dhe rrugë të tjera. Në Vlorë ka përfunduar ujësjellësi i qytetit, një nga ujësjellësat më të mirë të vendit, në të cilin u investuan rreth 26 milion euro me kapacitet për të furnizuar Vlorën 24 orë me ujë të cilësisë së lartë. Në Vlorë ka përfunduar impianti i përpunimit të ujërave të zeza dhe ky një investim tjetër madhor i qeverisë dhe jetik për qytetin turistik të Vlorës, impiant, i cili pasi të funksionojë do të bëjë që ujërat e gjirit të Vlorës, të jenë ndër ujërat më të pastra të të gjithë brigjeve të Mesdheut.
Ftoj kryetarin e bashkisë sëbashku me ministrinë që të organizojnë sa më shpejt lidhjet me kolektorin dhe është në interesin më jetik dhe në të mirë të Vlorës, fillimi i funksionimit të këtij impianti, i cili do ti japë një dimension krejt tjetër kushteve turistike në qytetin e Vlorës.
Në Vlorë fillon investimi për ujësjellësin dhe impiantin e ujërave në Orikum. Qeveria është zotuar për një shëtitore të re në bregdetin e Vlorës dhe ministri ka marrë porosi të marrë takim me bashkinë dhe të bashkëpunojnë, që ta bëjnë Vlorën me një nga shëtitoret më të bukura të brigjeve tona. Ne kemi përfunduar tërësisht projektin e by passit të Vlorës, i cili fillon në Panaja dhe përfundon në Dukat, by pass ky, që bën zgjidhjen më të shkëlqyer të problemeve të trafikut në qytetin bregdetar turistik të Vlorës. Këto vite është dhjetëfishuar numri i turistëve dhe ju garantoj se do të bëjmë gjithçka, që kapacitete pritëse në Vlorë dhe në mbarë Shqipërinë, të rriten në mënyrë të pa ndërprerë. Këtë vit pati një diskutim të gjerë, që ta shpallnin Vlorën, perlën turistike të Mesdheut. Vlora, natyralisht dhe me qytetarët e saj e meriton plotësisht, ndaj dhe ne do të inaugurojmë edhe impiantin e ujërave të zeza dhe të bëjmë vërtet që ky qytet të marrë famë, siç është në të gjithë brigjet e Mesdheut, si destinacioni i parë turistik.
Të dashur qytetarë dhe qytetare,
Në rrethin e Vlorës, qeveria ka subvencionuar dhjetëra herë më shumë mbjelljen e drurëve frutorë dhe ullinjve sesa më parë. Në Vlorë janë mbjellë deri më tani, ullinj dhe vreshta mbi 1600 hektarë, kanë përfituar nga subvencioni mbi 1500 fermerë dhe ju garantoj se vit pas vit, ne do të bëjmë gjithçka për të shumëfishuar subvencionin për ullinj, vreshta, agrume, arrorë dru frutorë. Do të bëjmë gjithçka që me një ambicie pozitive në të arrijmë atë nivel, të cilin shkenca ka faktuar se mund të arrihet, dhjetëfishimin e prodhimeve bujqësore blegtorale në Shqipëri.
Vlora ka marrë gjatë këtyre viteve investime të mëdha në fushën energjetike dhe ne do të bëjmë çdo gjë, për rindërtimin e unazës elektrike të jugut, unazë, e cila sëbashku me burimet shtesë të energjisë do të bëjë që Vlora dhe bregdeti, të kenë furnizimin me energji me parametrat më të mirë
Dhe njëherë ju përshëndes dhe ju ftoj të vazhdojmë këto përpjekje të mëdha. Shqiptarët, vlonjatët kanë nevojë jetike për vepra, nuk kanë nevojë për fjalë, me fjalë do të ishte mbushur tre here deti, ndaj dhe ne të vazhdojmë të inaugurojmë ujësjellësa, të inaugurojmë tunele dhe së shpejti do të inaugurojmë dhe tunelin e Qafë- Krrabës, të inaugurojmë rrugë të reja, shkolla të reja, hidrocentrale, vreshta, ullishte të bëjmë gjithçka për të ndryshuar për mirë jetën tonë.
Faleminderit .
01/06/2012