- Kryeministri Berisha: Ju garantoj se gara e koncensioneve ka qenë dhe mbetet një nga faqet më të ndritura në historinë e tregut shqiptar, se gara e koncensioneve ka qenë dhe mbetet Leva e Arkimedit, për të ecur me shpejtësinë më të madh në synimin tonë të shndërrimit të Shqipërisë në një superfuqi energjetike rajonale
Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në inaugurimin e përfundimit të punimeve për ndërtimin e Hidrocentralit Sasaj, në komunën Lukovë te rrethit të Sarandës. Ky projekt u realizua me një investim prej 8.5 milionë Euro nga shoqëria koncesionare “Energo-SAS” shpk, si dhe me mbështetjen financiare të Raiffeisen Bank.
Të pranishëm në këtë inaugurim ishin ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Nasip Naço, deputetë të kësaj zone, drejtues dhe përfaqësues të shoqërisë ndërtuese, aksionerë të kësaj vepre, përfaqësues të pushtetit vendor, etj.
Hidrocentrali Sasaj shfrytëzon ujërat e burimeve të Tatzatit dhe të lumit Kalasës dhe është një vepër hidrike e realizuar në zbatim të programit të qeverisë shqiptare, për shfrytëzimin e rezervave hidroenergjetike të vendit, me një impakt pozitiv, të drejtpërdrejtë, veçanërisht në zonën e Bregdetit. Hidrocentrali Sasaj është ndërtuar me koncesion, sipas Marrëveshjes Koncesionare midis shoqërisë “Wonder” sha dhe qeverise shqiptare. Vepra është projektuar nga specialistë të huaj dhe shqiptarë.
Hidrocentrali Sasaj ka një fuqi të instaluar prej 8.6 MW, e cila realizohet nëpërmjet dy agregateve Pelton vertikal. Prodhimi mesatar vjetor i energjisë, parashikohet 35 milion kWh. Hidrocentrali është i lidhur me sistemin e transmetimit nëpërmjet Linjës 35 Kv, Sasaj-Sarandë.
Impaktet e këtij hidrocentrali janë pozitive veçanërisht në Zonën e Bregdetit:
· Përmirëson në mënyrë rrënjësore, në sasi dhe cilësi, furnizimin me energji elektrike të aksit bregdetar turistik jugor.
· Krijoi mundësinë e punësimit për mbi 130 punonjës gjatë ndërtimit dhe aktualisht punojnë 28 të tjerë për menaxhimin e HEC-it.
· Respekton standardet evropiane mjedisore dhe kërkesat turistike të zonës, duke u integruar me masivet e bregdetit, në mënyrë që të ruajë këto vlera turistike.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Sot ne inaugurojmë këtu së bashku një vepër energjetike, me një kapacitet prej 8.6 MW dhe një investim prej rreth 9 milionë dollarë. Vepra është një investim tërësisht privat, një punë e shkëlqyer e gjithanshme, një presistim i madh i kompanisë që e ndërtoi, një dialog konstant dhe mirëkuptues me komunitetin lokal.
Ky hidrocentral vjen sot si një kontribut madhor në furnizimin me energji të zonës më turistike të vendit, siç është bregu jonian. Ky hidrocentral do të përmirësojë me rreth 25 për qind parametrat e furnizimit me energji të kësaj zone, të një rëndësie kryesor në fushën e turizmit.
Ndaj unë dua të falënderoj me mirënjohje ndërtuesit, aksionerët e kësaj vepre, për këtë kontribut të madh që japin për kushte më të mira të turizmit në tërë zonën e bregut, kontributin e tyre në energjetikën shqiptare.
Shqipëria, për fatin e saj të keq, renditej 20 vite më parë si vendi i dytë më i varfër i planetit, pas Angolës, sipas statistikave botërore. Por Shqipëria sot është tjetër. Cilido që e shëtit këtë vend, që e njeh këtë vend, konstaton se ka pasuri realisht përrallore dhe është shumë e vështirë të gjesh një vend tjetër me pasuritë e Shqipërisë. Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme turistike, ka male që fshehin në vetvete rezerva botërore kromi, nikel, hekuri e së fundi, platini e floriri. Ajo ka fushat e naftës ndër më të mëdhatë në Evropë. Por unë sërish mbetem i bindjes dhe mendimit se, pasuria e të gjitha pasurive në këtë vend, pas njerëzve, qytetarëve të saj, janë ujërat e Shqipërisë, të cilat vërshojnë në të katër anët e saj, nën tokë e mbi tokë, ujëra të cilat u japin mundësi shqiptarëve, me një shfrytëzim racional, të shndërrohen në një superfuqi energjetike të energjisë së rinovueshme ne rajon, ujëra të cilat u japin mundësi shqiptarëve të ndërtojnë sistemet vaditëse më moderne dhe më të mira, ujëra të cilat u japin mundësi shqiptarëve të eksportojnë sasi kolosale drejt zonave ku ujërat mungojnë, apo plotësohen duke shkripëzuar detin.
I bazuar në këtë bindje, qeveria, në vitin 2007, ndërmori me një ligj të ri garën e koncensioneve për ndërtimin e hidrocentraleve, në mënyrë që ujërat tona të mos derdhen të fjetura në det, pa vlerë,. Mund t’u them se rezultatet e kësaj gare janë të jashtëzakonshme, janë të pa krahasueshme me asnjë vend tjetër.
Dua t’ju informoj ju dhe të gjithë qytetarët se, në një hark të shkurtër kohor, qeveria ka firmosur me sektorin privat 104 kontrata, se qeveria ka firmosur me sektorin privat në këto 104 kontrata, ndërtimin e 327 hidrocentraleve.
Dje, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit, miratuam ndërtimin e një kaskade, të cilën, përveç banorëve që rrethojnë përreth, ju garantoj se zyrtarët që e kanë vizituar numërohen me gishta, kaskada e Okshtunit. Kompania që ka fituar tenderin do të ndërtojë këtu 13 hidrocentrale. Nuk ishin të mëdha, por së bashku përbënin më shumë se 2 Bistricat të marra bashkë. Miratuam një tjetër hidrocentral që ndërtohej në lartësinë mbi 1500 në komunën e Martaneshit.
Dy javë më parë, pyeta ministrin Naço se si po ecën tenderi për kaskadën e Osumit dhe ai më informoi se, një kompani ka sjellë një ofertë për ndërtimin e një seri hidrocentralesh, me kapacitet 3 herë më të madhe se ajo që mendohet, rreth 150 MW.
Deri më sot, janë ndërtuar ose rindërtuar 46 hidrocentrale, me një kapacitet prej rreth 83 MW. Janë në ndërtim e sipër, në fillim të punimeve, apo punime të avancuara, 100 të tjera. Në total, këto përbëjnë një investim prej 2.5 miliardë euro, përbëjnë një prodhim prej 1400 MW, kundrejt 1200 MW që është sot kapaciteti i instaluar i riprodhimit të energjisë në vend.
Pra, siç e shihni, kjo garë po ecën me shpejtësi të madhe. Së shpejti në treg do të jetë kaskada e Vjosës, më e bukura, më e fuqishmja, që pret për t’u ndërtuar. Por ka edhe kaskada dhe degëza të tjera të lumenjve të Shqipërisë. Në total, janë për t’u ndërtuar 443 hidrocentrale, të cilat do të japin së bashku mbi 20 miliardë Kv/orë energji dhe do ta bëjnë Shqipërinë një vend eksportues të energjisë më të çmuar, energjisë jeshile në rajon.
Komentet ndaj koncensioneve janë kryekëput keqdashëse, janë zili meskine, të cilat rrjedhin dhe frymëzohen nga interesat politike tepër të ngushta, apo interesa biznesi. Unë ju garantoj se gara e koncensioneve ka qenë dhe mbetet një nga faqet më të ndritura në historinë e tregut shqiptar, se gara e koncensioneve ka qenë dhe mbetet Leva e Arkimedit, për të ecur me shpejtësinë më të madh në synimin tonë të shndërrimit të Shqipërisë në një superfuqi energjetike rajonale në prodhimin e energjisë së rinovueshme.
Kjo është njëra anë e platformës sonë, të cilën kundërshtarët tanë, kur ne e shpallëm, e përqeshën.
U deklaruam në vitin 2005 se do të dy dhe trefishojmë turizmit, por të paktë ishin ata që besuan këtë premtim. Por ku është turizmi sot? Ai është mbi - dhjetëfishuar. Unë ju them se jemi vetëm në hapat e para, sepse vetëm Bregu, nga Ksamili në Llogora, ka potencial për të marrë në vitet që vijnë të gjithë turistët që ka marrë Shqipëria e tërë gjatë vitit të shkuar, Shqipëria ka në rajon potencialin më të madh, sepse Shqipëria ka edhe bazën e fuqishme për t’i dhënë turizmit mbështetjen më të fuqishme, kushtet më të shkëlqyera, me prodhimet e saj të mrekullueshme, me mikpritjen e qytetarëve shqiptarë, me brigjet e mahnitshme, me malet e virgjër, me ushqimin e mrekullueshëm, me pasuritë e mëdha kulturore.
Ndaj le të vazhdojmë së bashku në këtë rrugë, rrugë me djersë, rrugë me mundime. Ju këtu, e dini më mirë se çfarë mundimesh keni bërë për të ardhur deri në këtë fazë të kësaj vepre. Në ndërtimin e kësaj vepre kanë punuar 128 punëtorë, 28 mbeten të punësuar. Kjo është një rrugë e sigurt suksesi, rrugë e sigurt e shndërrimit të Shqipërisë në një vend të zhvilluar. Ju, burra e gra që jeni sot këtu, në këtë shesh, duhet të jeni krenar, sepse trashëguat vendin më ndër të varfrit e planetit dhe po ndërtoni, për vete dhe për fëmijët tuaj, një vend të zhvilluar, një vend që së shpejti do të jetë vend i pasur. Faleminderit”.
02/06/2012