Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, kryeministri informoi lidhur me zhvillimet më të fundit për reformën zgjedhore dhe ecurinë e saj.
Duke vlerësuar punën me përgjegjshmëri dhe intensive të bërë nga Komisioni për reformën zgjedhore, Kryeministri garantoi se tek maxhoranca ekziston vullneti i plotë për finalizimin, në përputhje me direktivat e ODIHR-it të kësaj reforme, në kohën më të afërt dhe në interesin më të mirë të vendit. Në këtë kontekst, kryeministri kërkoi bashkëpunimin e opozitës dhe të kryetarit të PS, Edi Rama për të konkluduar sa më parë mbi këtë reformë, tejet të rëndësishme për demokracinë shqiptare.
Lidhur me këtë temë, kryeministri Berisha u shpreh:
“Dua tu informoj mbi zhvillimet mbi reformat. Vazhdojnë kontaktet midis palëve, uroj që ky proces të përfundojë në datën e caktuar, por dëshiroj të informoj qytetarët shqiptarë se gjatë 5 muajve, punë, do ta quaja unë, të përgjegjshme dhe intensive që ka bërë Komisioni i Reformës zgjedhore, pala jonë në këtë komision i ka njohur, ka pranuar në mënyrën më të vazhdueshme iniciativën e propozimit dhe ka respektuar iniciativën e propozimit të opozitës, kërkesë kjo që në fillim e opozitës dhe ne nuk e shkruam në marrëveshje sepse kjo nuk mund të shkruhej, por kjo me mirëkuptim të përbashkët është zbatuar pikë për pikë dhe këtu ne nuk kemi as edhe një keqardhje, përkundrazi ne vlerësojmë propozimet që kanë paraqitur socialistët në këtë komision dhe shpresojmë që me propozime të reja, të dy palët, të arrijnë në përfundimin sa më të shpejtë, brenda afatit të caktuar dhe votimin e saj në parlament.
Unë e garantoj PS se tek ne ekziston vullneti i plotë për finalizimin në përputhje me direktivat e ODIHR-it të kësaj reforme në kohën më të afërt.
Tani përballemi me një fenomen të veçantë, fenomeni unik që të krijon përshtypjen ndonjëherë se në këtë proces nuk kërkohet ligji, por kërkohen kokat në tepsi, d.m.th., në çdo rast Kryetari i PS sulmon dhe demonizon në mënyrën më të papranueshme, kryetarin e KQZ-së dhe në qoftë se ju do të krahasoni sulmet që i ka bërë ai Arben Ristanit, me sulmet që i bën ai Lulzim Bashës, ju garantoj se sulmet që i bën Arben Ristanit janë disa herë më të mëdha. Nuk është Arben Ristani që i bind qytetarët e Tiranës, është Lulzim Basha, prandaj i them zotit Rama: mos u merr me kokat, të merren me ligjet, se Ristani është një nga personalitetet më të shquara dhe më të ekuilibruara të vendit. Unë e përgëzoj sot zotin Ristani për performancën e shkëlqyer që bëri në konferencën me komisionin e Venecias, një konferencë shumë e rëndësishme kjo, një konferencë ku pjesëmarrës kryesore theksuan se Shqipëria ka plotësuar kodin etik të zgjedhjeve më mirë se kushdo tjetër. Unë mendoj që të arsyetohet jashtë demonizimeve dhe kokave të prera që janë atavizma që kanë mbetur nga një kohë shumë e hershme. Kokat në tepsi kanë mbetur nga një periudhe tejet e hershme kur priteshin kokat dhe shqiptarët mbajnë mend vetëm kokën e Ali Pashës, që në fakt duhet të bëjmë ç’ është e mundur që ta kthejmë në Shqipëri dhe ta bashkojmë me trupin, sepse nuk ka pse mbetet trupi në Janinë dhe koka në Stamboll. Ndaj dhe i bëj thirrje që ta mbyllim. Kur ekziston vullneti, absolutisht që të gjitha gjërat zgjidhen. Ne kaluam një proces shumë të rëndësishëm për vendin, pavarësisht se nuk u arrit në një konkluzion konsensual, por konsultimet e bëra ishin, për mendimin tim, ndër më të vyerat. Pra ishte një proces që kaloi në një shkëmbim të gjerë mendimesh, kështu që edhe për reformën unë jam i gatshëm që ta takoj zotin Rama, në qoftë se ka qoftë edhe dyshimin më të vogël tek qëndrimi i sinqertë i yni dhe vendosmëria jonë për ta zgjidhur problemin. Nuk na shkon ne tani që të merremi me sulme personale, ndaj zyrtarëve të administratës së zgjedhjeve. Ata kanë bërë një detyrë shumë të rëndësishme, askush nuk e ka të përjetshme karrigen në këtë vend dhe kjo është demokracia, por jashtë domonizimeve, e kam theksuar edhe njëherë. Në krahun socialist ka përfaqësues në Komision që nuk kanë votuar asnjëherë, vetëm një herë apo dy herë, por ne sigurisht kemi vlerësimin për punën që kanë bërë, pasi kjo është punë dhe nuk përcillen njerëzit në këtë mënyrë, nuk fshihen të gjithë. Është ligji ai që përcakton të gjitha zgjidhjet, nuk është dufi politik që duhet të udhëheqë. Këta zotërinj dhe ajo zonja kanë bërë një punë intensive, me tensione të mëdha, me orë shumë të zgjatura, por i janë përmbajtur detyrës, i janë përmbajtur ligjit, kanë patur mbi vete gjykatën, si në çdo vend demokratik. Unë nuk them ta nxjerrim si mburojë, por nuk është normale të bëhen editoriale dhe ciu-ciu çdo tre ditë për KQZ dhe kryetarin e tij. Kështu që shpresoj të ketë një vullnet të qartë, pa ultimatume. Në të gjithë këto zhvillime faktohet qartë që ultimatum është mekanizmi i bllokimit të konsensusit. Po i dhe tjetrit ultimatum, ti i thua atij ”Gjithçka ose asgjë” . Kjo nuk është logjika e demokracisë. Demokracia ka tjetër logjikë, aspekte diskutimi, negocimi, kompromisi. Ai ka ultimatum, nuk ka konsensus. Njeriu i qytetëruar nuk bën kurrë ultimatume. Ai duhet të dali jashtë skemave të ultimatumeve. Pavarësisht se kemi mendimet të ndryshme, nuk mund të mohohet se procesi në të cilin kaloi vendi, ishte një proces, i cili pati konsultime publike dhe jopublike, konfidenciale.
Ju garantoj se do të bëjmë gjithçka që ta mbyllim këtë reformë dhe reformat që na kërkohen, në afatin më të shkurtër dhe në interesin më të mirë të vendit. Nuk mundet kategorikisht të mashtrosh shqiptarët, se përgjegjësinë e ka qeveria, kur ti bllokon. Jo, shqiptarët e kanë parë të qartë si dritën e diellit, vullnetin e palëkundur të Sali Berishës për të bërë kompromis. Ne kemi faktuar këtë në mënyrën më të përsëritur. Ftoj zotin Rama ta dëshmojë edhe ky këtë, pasi e ka të domosdoshme, në radhë të parë për veten e tij, pasi në politikë nuk mund të jesh ultimativ. Edhe në luftë kërkohen mënyra amortizimesh, por ne një vend, në një shoqëri demokratike, ultimatumet nuk duhet të ekzistojnë. Prandaj, e theksoj mbetemi të hapur. Le të mbështesim ne grupet, le të vendosim dhe të mos pengojnë procesin e reformave. Askush s’duhet të mendoje së do të krijojë kapital politik nëpërmjet bllokimit. Përkundrazi do të krijojë negativitet të sigurtë nëpërmjet bllokimit, për veten e tij.
02/07/2012