- - Vendimi ngushton më tej diferencat midis rrogave të mesme të punonjësve me rrogat më të larta të vendit,
- - Ky vendim është një shpërblim i merituar në 100 vjetorin e pavarësisë për 820 mijë familje shqiptare.
Kryeministri Berisha informoi sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave lidhur me një prej vendimeve të cilësuara prej tij si më i rëndësishmi për qytetarët dhe familjet shqiptare, vendimin për rritjen e rrogave dhe pensioneve në vend.
Fillimisht, Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen në kabinet, ministrave të rinj, të cilët morën pjesë në mbledhjen e qeverisë si përfaqësues të posteve të reja ministrore, përkatësisht zoti Vangjel Tavo, ministër i Shëndetsisë, zoti Edmond Panariti, ministër i Punëve të Jashtëme, zoti Flamur Noka, Ministër i Brendëshëm, si dhe zoti Edmond Haxhinasto, i cili qëndron në postin e Zv/Kryeministrit dhe merr detyrën e re të Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës.
Kryeministri shprehu besimin për vendosjen e një bashkëpunimi të shkëlqyer me ta, në fushat që përfaqësojnë, në promovimin e mëtejshëm dhe të gjithanshëm të refomarmave në vend, në dobinë dhe interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë.
Më pas, kryeministri vijoi me vendimin për ngritjen e rrogave dhe pensioneve, duke theksuar se vendimi në fjalë merr rëndësi edhe më të madhe, për kohën në të cilën ai miratohet. “Ky vendim është një realizim i politikës së kësaj mazhorance për pagat dhe pensionet. Shqipëria mund të listohet ndër më të paktat vende të kontinentit dhe më gjerë që rrit ndjeshëm pagat dhe pensionet e qytetarëve të saj. Ky vendim është një shpërblim i merituar në 100 vjetorin e pavarësisë për 820 mijë familje shqiptare.” u shpreh kryeministri.
Kryeministri vuri në dukje se vendimi ngushton dukshëm diferencat midis rrogave të mesme të punonjësve, me rrogat më të larta të vendit, të cilat sot janë në raportin 1 me 5, kundrejt raportit prej 1 me 11, që shënonin në vitin 2005. “Në një administratë publike, në një sektor publik nuk mund të ketë diferencat që ne gjetëm në piramidën e pagave, diferenca këto çnjerëzore. Sepse nuk duhet të ushqehen dhe të vishen vetëm fëmijët e kryeministrit dhe të ministrave apo të deputetëve, por dhe fëmijët e pastruesve, të punonjësve të thjeshtë, ndaj edhe ka qënë një qëndrim absolutisht madhor i kësaj qeverie e mazhorance që të ngushtojë këtë raport.”- tha kryeministri.
Kryeministri Berisha bëri me dije se me rritjet që do të realizohen, paga mesatare, nga 273 mijë lekë që ishte në vitin 2005, do të arrije në 513 mijë lekë. Gjithashtu, kryeministri renditi rritjet e pagave për disa profesione; si ai arsimtarit të arsimit të mesëm dhe 9- vjeçar, mjekut, infermierit, të cilat pësojnë një rritje të ndjeshme, krahasuar me pagat e vitit 2005 për këto profesione.
Kryeministri ia dedikoi marrjen e këtij vendimi, suksesit të modelit të ekonomisë shqiptare dhe reformave të ndërmarra në të. “Ia dolëm sepse në qëndruam premtimeve tona, por mbi të gjitha ia dolëm sepse modeli ynë ekonomik funksionoi ,sepse reformat tona ekonomike bënë që kjo ekonomi e një vendi të vogël të rezistojë më mirë se të gjitha ekonomitë e tjera, bënë që kjo ekonomi e një vendi të vogël të rezistojë më mirë se të gjitha ekonomitë e tjera, bënë që kjo ekonomi në kulmin e krizës , në vitet 2009-2011 të dyfishojë eksportet, bënë që kjo ekonomi në kulmin e krizës të marrë investime të huaja 316 % më shumë se më parë, bënë që kjo ekonomi në kulmin e krizës në mënyrë të ndjeshme të rritë të ardhurat e saj” tha kryeministri.
Në fjalën e mbajtur, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari le të urojmë ne mirëseardhjen ne kabinet, ministrave te rinj, zotit Vangjel Tavo , në postin e ministrit të shëndetësisë, zotin Edmond Panariti, në postin e ministrit të Punëve të Jashtme, zotit Edmond Haxhinasto, i cili qëndron në postin e Zv/Kryeministrit dhe merr detyrwn e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisw dhe Energjetikes, zotit Flamur Noka, Ministër i Punëve të Brendshme.
Me ketë rast dua të shpreh besimin tim se do të vendosim një bashkëpunim të shkëlqyer me këta zotërinj në detyrat që marrin, të promovojmë mw thellë reformat e rëndësishme në këto fusha; të bëjmë gjithçka që diplomacia shqiptare në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë të bëjë avokatinë më të shkëlqyer të interesit kombëtar të Shqipërisë dhe shqiptareve; të bëjmë gjithçka për një thellim të gjithanshëm të reformave ekonomike në një kohë të stuhishme për Evropën si dhe për sigurimin e jetës, veprimtarisë, pasurisë së qytetarëve shqiptare në mënyrë që Shqipëria të jetë një ndër vendet më të sigurta.
Unë kam besim të madh në aftësitë, përkushtimin, integritetin e bashkëpunëtorëve të mi të rinj, bashkëpunëtorëve tanë të rinj dhe duhet ti siguroj në vendosmërinë time për një bashkëpunim të ngushtë në interesin më të mirë të kësaj maxhorance, të shqiptarëve të vendit në tërësi.
Këta zotërinj janë me fat sepse në mbledhjen e parë të qeverisë sot, merret një nga vendimet më të rëndësishme për qytetarët shqiptarë, rritja e rrogave dhe pensioneve. Ky vendim është një realizim i politikës së kësaj mazhorance për pagat dhe pensionet. Ky vendim bëhet edhe dy herë më i rëndësishëm për kohën në të cilën merret ky vendim. Shqipëria mund të listohet ndër më të paktat vende të kontinentit dhe më gjerë që rrit ndjeshëm pagat dhe pensionet e qytetarëve të saj. Ky vendim është një shpërblim i merituar në 100 vjetorin e pavarësisë për 820 mijë familje shqiptare.
Vendimi i rritjes së pagave dhe pensioneve është më reali po të kemi parasysh normat më minimale të inflacionit në vitin 2012. Rritja e pagave dhe pensioneve tejkalon me 3 deri në 5 herë indeksimin apo inflacionin e këtij viti. Vendimi gjithashtu është një hap tjetër i rëndësishëm në fytyrën njerëzorë të kësaj qeverie, në kuptimin që ngushton më tej diferencat midis rrogave të mesme të punonjësve, me rrogat më të larta të vendit, raport që e gjetëm 1 me 11 në 2005 dhe që zbret tek 1 me 5 dhe kjo përbën një arritje shumë të madhe. Në një administratë publike, në një sektor publik nuk mund të ketë diferencat që ne gjetëm në piramidën e pagave, diferenca këto çnjerëzore. Sepse nuk duhet të ushqehen dhe të vishen vetëm fëmijët e kryeministrit dhe të ministrave apo të deputetëve, por dhe fëmijët e pastruesve, të punonjësve të thjeshtë, ndaj edhe ka qenë një qëndrim absolutisht madhor i kryeministrit dhe i kësaj qeverie e mazhorance që të ngushtojë këtë raport.
Dhe ne ia dolëm sepse sot rroga mesatare, e cila në vitin 2005 ishte 273 mijë lekë, në vitin 2012 me rritjen që ne i bëjmë bëhet 513 mijë lekë. Ia dolëm sepse ne qëndruam premtimeve tona, por mbi të gjitha ia dolëm sepse modeli ynë ekonomik funksionoi sepse reformat tona ekonomike bënë që kjo ekonomi e një vendi të vogël të rezistojë më mirë se të gjitha ekonomitë e tjera; bënë që kjo ekonomi në kulmin e krizës, në vitet 2009-2011 të dyfishojë eksportet; bënë që kjo ekonomi në kulmin e krizës të marrë investime të huaja 316 % më shumë se më parë; bënë që kjo ekonomi në kulmin e krizës në mënyrë të ndjeshme të rritë të ardhurat e saj; bënë që kjo ekonomi në kulmin e krizës evropiane të mbështesë projekte më ambicioze në mbarë vendin , duke mbajtur borxhin në shifra të njëjta. Meqë jam tek borxhi, këtyre që iu bien sirenave, u them pa shikoni pak borxhin e vendeve përreth. Në se në Shqipëri nga 2008 e deri më sot, borxhi ka mbetur në vend numëro dhe ka lëvizur me + apo – 2 %, në vendet përreth borxhi është dyfishuar. Në rast se ka qenë 20 është bërë 54 , në rast se ka qenë 15 është bërë 40 dhe kështu me rradhë.
Kjo ekonomi ia doli në kulmin e krizës së kontinentit të ketë një rritje ekonomike 4 vitet e fundit, 4 herë më të madhe se mesatarja e vendeve të rajonit, jashtë çdo lloj dyshimi, që pasojat e krizës kanë ndikuar qartësisht mbi të, jashtë çdo lloj ndikimi që euro me luhatjet e saj, situata sociale, punësimi i emigrantëve tanë në Itali dhe në Greqi, situata e tregjeve në këto ende për shkak të krizës që përjetoi, pra që të gjitha këto ndikojnë në ekonominë shqiptare, por këto kanë bërë që kjo të mos ketë një rritje prej 8, 10 apo 12 %, por kanë bërë nga ana tjetër që megjithë ndikimin, ekonomia shqiptare të mos zhytet në recension.
Këto reforma kanë bërë të mundur që Shqipëria të ndjekë, të zbatojë, të mbajë premtimet e kësaj maxhorancë, kanë bërë të mundur që Shqipëria të ketë ritmet e ndryshimit më të mëdha se ndonjë vend tjetër. Ndaj dhe është një moment vlerësimi për të gjithë ata punonjës që me përkushtim të madh në sistemin e tatimeve dhe të doganave, në të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit, në të gjitha agjencitë e reformave, ministritë e angazhuara në reforma, të shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen time se kjo rritje në kohë krize të madhe në kontinent , në një kohë kur ulen jo me 20 , por me 40 % rroga e pensione, si dhe ndihma ekonomike, na bën të mundur ne të rrisim rrogat, të rrisim pensionet, të rrisim ndihmën ekonomike.
Zonja dhe zotërinj,
Tre javë më parë qeveria vendoi rritjen e pagës minimale, të cilën kur erdhëm në pushtet e gjetëm në nivelet më çnjerëzore. Nuk them se është e lartë sot, por të paktën është 110 % më e lartë, ajo u rrit me 210 mijë lekë. Unë e kuptoj dhe e mirëkuptoj plotësisht sipërmarrësist e prodhimeve tekstile, të këpucëve, etj, që për ata është një rritje e kostos, por nga ana tjetër dua të theksoj se ne vjet hoqëm tarifën doganore të mallrave që ata importojnë për prodhim që ishte 10 % , pra duke u përpjekur, ne përpiqemi të balancojmë qëndrimet tona, të jemi sa më miqësor me sipërmarrësit, sikundër të qëndrojmë të palëkundur në anën e interesave të qytetarëve dhe familjeve të tyre.
Në këtë vendim ne bëjmë që paga mesatare në nivel vendi, të rritej nga 273 mijë në 513 mijë lekë;
-Paga mesatare e arsimtarit në arsimin e mesëm të rritet nga 268 mijë lekë që ka qenë në vitin 2005, në 594 mijë lekë me shtesën që bëhet këtë vit, apo 2,2 herë krahasuar me vitin 2005.
- Paga mesatare e arsimtarit, në arsimin 9-vjeçar rritet nga 227 mijë lekë që ka qenë në 2005, në 567 mijë lekë ose 2,2 herë krahasuar me vitin 2005.
- Paga mesatare e mjekut në vitin 2005, ishte gjithësej 226 mijë lekë, ndërsa në korrik të viti 2012, kjo pagë bëhet 557 mijë lekë apo rritet 2,5 herë.
- Paga mesatare e infermierëve në vitin 2005 ishte 150 mijë lekë, ndërsa në korrik të këtij viti kjo pagë do të jetë 367 mijë lekë, me një rritje pra 2,4 herë krahasuar me vitin 2005.
Raporti i pagës së arsimtarit te arsimit 9 vjeçar zbret në raportin 1:4, krahasuar me pagën e kryeministrit dhe 1:6 krahasuar me pagën e infermierit, në një kohë që me pagën e infermierit ishte në raportin 1: 17.
Pra ju konstatoni vet se çfarë vendosmërie ka kjo qeveri që të rrisë në mënyrë progresive pagat dhe dua tu theksoj se kjo rritje pagash dhe pensionesh nuk bëhet në mënyrë absolute duke marrë qoftë edhe një qindarkë borxh. E tëra, plus më shumë se 1/3-ta e investimeve realizohet nga të ardhurat që sigurojnë nga institucionet përkatëse të vendit.
Po kështu, një rritje të madhe pësojnë pensionet, nga 75 mijë lekë që ka qenë pensioni në qytet, bëhet me të ardhura pensionale rreth 130 mijë lekë. Pensioni në fshat nga 34 mijë lekë që ka qenë në 2005 pëson një rritje në 78 mijë e 400 lekë, pra prej 130 %.
Unë mendoj se kjo qeveri ka dëshmuar ndjeshmërinë maksimale ndaj halleve dhe derteve, problemeve të 820 mijë familjeve shqiptare. Janë rritur disa herë fondet për pensionet, fondet për rimbursimin e ilaceve, fondet për ndihmën ekonomike. E theksoj se ekonomia shqiptare nuk është pa vështirësi, ajo përballet me vështirësi serioze. Mjafton të kujtoj ju, tremujorin e parë të këtij viti, kur dy të tretat e vendit për një kohë të gjatë mbeten tërësisht të paralizuara nga një dimër nga më të egrit këto 27 vitet e fundit. Ose tu rikujtoj ju këtu se prodhimi i energjisë ujore nga marsi i vitit 2011, në marsin e vitit 2012 shënoi një rekord të ulët katastrofal të paparë ndonjëherë me një prodhim prej 3,1 miliard kilovat/orë nga 7,2 miliard kilovat/orë që ishte prodhimi më parë, çka imponoi importe të mëdha energjie dhe bërë të mundur që në asnjë vend dhe asnjë zonë, përveç rasteve të defekteve teknike, energjia të mos ndërpritet në asnjë zonë të vendit.
Natyrisht, ai tremujor pati ndikimin e tij të fuqishëm në ingranazhet dhe mekanizmat e ekonomisë shqiptare, pasoja të cilat u zhdukën dalëngadalë në të dytin dhe tërësisht tek i treti dhe i katërti. Pikërisht kjo situatë e përmirësuar bëri të mundur këtë vendim për rritjen e rrogave dhe pensioneve.
Dhe njëherë dua të falenderoj të gjithë ata që me punë dhe përkushtimin bënë të mundur që qeveria shqiptare të marrë në interesin personal të çdo familje shqiptare të 820 mijë familjeve shqiptare një vendim kaq të rëndësishëm për ta.
04/07/2012