Qeveria mori sot në shqyrtim dhe diskutoi lidhur me disa projektligje dhe vendime, nga të cilat, Kryeministri veçoi nga rendi i ditës, projektligjin: Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin“Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, si dhe projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e konferencës Gjyqësore Kombëtare” për të cilin, Kryeministri u shpreh se ky institucion në bazë të kushtetutës se vendit ka tagrin të propozojë anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kontribuojë në veprimtarinë e tij në konsolidimin e mëtejshëm të pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe mirëfunksionimin e tij.
Gjithashtu, kryeministri veçoi projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë.” Duke folur për këtë projektligj, kryeministri u shpreh se ndërhyrjet në ligjin ekzistues, do të thellojnë dhe zgjerojnë spektrin e veprimit të tij, dhe kompetencat e këtij institucioni themelor, në luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e standardeve etike të zyrtarëve të lartë.
Përsa i përket projektligjit për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, kryeministri shpjegoi se ky ligj e bën shumë më transparente administratën publike.
Kryeministri vlerësoi se me ligjet e sipërpërmendura vendoset një nga standardet më të mira që ekziston në fushën e konfliktit të interesit dhe të kontrollit të pasurive, duke i dhënë institucionit të kontrollit dhe deklarimit të pasurive kompetenca të reja.
Në kontekstin e ligjeve të shqyrtuara, Kryeministri solli në vëmendje ligjin për heqjen e imuniteteve, i cili sipas kryeministrit i shton barazi dhe civilitet më shumë se çdo ligj tjetër, qeverisë shqiptare.
Duke theksuar se korrupsioni është faktori kryesor që nxit varfërinë, në një vend të lirë, nga mbledhja e këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha ftoi edhe njëherë kryetarin e opozitës Edi Rama të votojë këtë ligj, si interesi më i mirë i socialistëve të thjeshtë dhe i mbarë qytetarëve shqiptarë.
Në diskutimin e tij për këto projektligje, kryeministri Berisha u shpreh:
“Rendi i ditës është i ngjeshur me një sërë vendimesh, ligjesh, reformash të thella, ndër të cilat më të rëndësishme janë ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, ligji “Për organizimin dhe funksionimin e konferencës Gjyqësore Kombëtare”, institucion ky që në bazë të kushtetutës se vendit ka tagrin të propozojë anëtarët e Këshillit të lartë të drejtësisë, por natyrisht dhe të kontribuojë në veprimtarinë e tij në konsolidimin e mëtejshëm të pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe mirëfunksionimin e tij.
Dy projektligje të tjera janë shumë të rëndësishme në betejën tonë me korrupsionin. Njëri prej tyre është projektligji që ka të bëjë me deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë. Ndërhyhet në ligjin ekzistues, duke thelluar dhe zgjeruar spektrin e veprimit të tij, duke thelluar spektrin e veprimit të këtij ligji dhe kompetencat e këtij institucioni themelor në luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e standardeve etike të zyrtarëve të lartë, është fryt i një bashkëpunimi të gjerë, të gjithanshëm, të Komisionit të Lartë të Kontrollit dhe deklarimit të pasurive, të ministrive, të agjencive përkatëse.
Ligji tjetër është ligji” Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” Edhe ky ligj zgjeron rrethin e personave të cilët do të mbikëqyren sipas ligjit, për pasuritë e tyre, për të verifikuar në se ka rrjedhje apo prurje në këto pasuri nga njerëzit e tyre me pushtet. Edhe ky ligj e bën shumë më transparente administratën publike. Ligjet i japin institucionit të kontrollit dhe deklarimit të pasurive kompetenca të reja dhe unë mendoj se me këto ligje vendoset një nga standardet më të mira që ekziston në fushën e konfliktit të interesit dhe të kontrollit të pasurive.
Natyrisht këto ligje nuk zëvendësojnë kurrë një ligj tjetër dhe ai është ligji që zyrtarët të mos kenë imunitet, që gjyqtarët të mos kenë imunitet, është ligji i Shqipërisë pa imunitete, është ligji që barazon kryeministrin, ministrin, presidentin, kryegjykatësin, gjykatësin me qytetarin e thjeshtë, ligji që i shton barazi dhe civilitet më shumë se çdo ligj tjetër, qeverisë shqiptare.
Unë e ftoj nga kjo mbledhje zotin Rama, i cili është përcaktuar në mënyrën më të përsëritur këto muajt e fundit, të mos dëgjojë më këshillin e miliarderëve të partisë, por zërin e socialistëve të thjeshtë, të mos dëgjojë më nënkryetarin në hije të PS që mbron pasuritë e tij dhe aspak interesat e qytetarëve shqiptarë. Pasuritë e tij le ti mbrojë, në mënyrë ligjore, por jo me imunitetin e të tjerëve. Të bëjë zgjidhjen zoti Rama, midis imunitetit të Tom Doshit dhe interesave të ngushta të socialistit që ka 20 vjet që e voton dhe robtohet pas tij dhe që është jo një, por qindra mijëra. Të mos dalë nga tribuna në tribunë, të vajtojë e ligjërojë për varfërinë. Korrupsioni është faktori kryesor në një vend të lirë që nxit varfërinë. Ai vetë nuk ka imunitet. Nuk mund të them se e ka për veten e tij, por nuk e lë këshilli i miliarderëve. Ata janë vendimmarrësit më kryesorë në PS. Janë fabrika e mendimit, apo mashtrimit që i mban pas vetes. Ata janë për të blerë klikime. E morët vesh se çka ndodhur? Ata blejnë klikime. 3 euro për 1 mijë klikime. Po pse, për këtë duhen ata? Paska një qendër që shiska klikime dhe kështu u na bë dhe kryebashkiaku më i votuar. Po të fusësh 1 mijë euro, del pastaj si më i votuari, por ja që s’donin shqiptarët ashtu.
04/07/2012