Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 
Kryeministri
Prof. Dr. Sali Berisha

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Fjala e plotė e Kryeministrit Berisha nė Konferencėn e 12-tė tė Kėshillit tė Atlantikut tė Shqipėrisė
 

 

 Fjala e plotë e Kryeministrit Berisha në Konferencën e 12-të të Këshillit të Atlantikut  të Shqipërisë

 

“Është një nder dhe kënaqësi e veçantë për mua, t’ju përshëndes përzemërsisht, t’ju falënderoj për ftesën që më bëtë për të shprehur, në emër të qeverisë, pikëpamjet dhe përpjekjet tona në këtë takim të nderuar për të arritur standardet, kriteret, normat e domosdoshme që vendi të meritojë ftesën në Samitin e ardhshëm të Bukureshtit.

 

Shqipëria dhe shqiptarët janë vendi dhe kombi që mbështesin në përqindjen më të lartë, më shumë se çdo vend dhe komb tjetër, anëtarësimin në NATO. Kjo përqindje arrin në 94 për qind. Në rast se do ta gjykonim në rrafshin moral, shqiptarët rezultojnë të jenë moralisht anëtarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Arsyet e kësaj përqindjeje kaq të lartë janë komplekse dhe vijnë që nga e shkuara jo aq e afërt. Shqipëria ishte një vend që për rrethanat politike të kohës u shkëput nga vitet ‘60 nga Traktati i Varshavës. Për shqiptarët, veçanërisht pas pushtimit të Çekisë, ky Traktat përbënte rrezikun kryesor të ekzistencës së tyre. Kjo qe një nga arsyet që shqiptarët ishin të parët, pas shembjes së Murit të Berlinit, që kërkuan anëtarësimin e vendit të tyre në NATO, ishin ndër të parët që firmosën Marrëveshjen e Partneritetit për paqe. Shqipëria, në gjithë këto 15 vite,  vendosi me Aleancën e Atlantikut të Veriut bashkëpunimin më luajal, më të ngushtë. Shqipëria vuri në dispozicion të Aleancës të gjitha  lehtësirat që ajo mund të vendoste për operacionet të vendosjes së paqes në një gadishull konfliktual, në një gadishull ku luftohej.

 

Por, NATO nuk është vetëm një Aleancë ushtarake. NATO është para të gjithash, aleancë politike e vendeve të lira. Shqiptarët mbështesin masivisht anëtarësimin e vendit të tyre, sepse në këtë anëtarësim ata e shohin vendin e tyre jo vetëm më të sigurt, por  shohin më të sigurta liritë e tyre, shohin më të lirë shoqërinë e tyre.

 

Qeveria që unë kryesoj ka bërë dhe bën përpjekje të mëdha për garantimin e këtyre lirive,  për zgjerimin dhe për për konsolidimin e tyre, për shmangien e rreziqeve ndaj këtyre lirive. Shqipëria sot është vendi i standardeve të lirive dhe të drejtave njerëzore, i lirisë dhe të drejtave të minoriteteve, është një vend i cili në bazë të dokumenteve ndërkombëtare ka plotësuar plotësisht, ka përmbushur standardet e OSBE-së për sa i përket arsimit të minoriteteve.

 

Shqipëria është një nga vendet më të pakta ku nuk ekziston padia civile apo penale për mediat, çfarëdo që të  shkruajnë ato, dhe kjo është bërë për të respektuar lirinë e tyre. Ky është një vendim i kësaj qeveria. Shqipëria është një nga vendet e pakta e cila për të zgjeruar hapësirat e lirisë së shtypit, ka dekriminalizuar shpifjen në ligjet e saj penale.

 

Shqipëria, dy vjet më parë, përballej me një situatë shumë të rëndë të krimit të  organizuar, përballej me një situatë shumë të rëndë të korrupsionit të shndërruar në sistem dhe probleme të tjera serioze. Unë dua t’ju informoj me përpjekjet dhe rezultatet e qeverisë në këto dy vjet, të cilat kanë qenë thelbësore.

 

Në dy vjet, Shqipëria është shndërruar nw nga vendet më të sigurta në Evropë dhe kjo është arritur me një punë të jashtëzakonshme, duke aplikuar zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Policia shqiptare, organet e zbatimit të ligjit në Shqipëri ia kanë dalë të çmontojnë mbi 204 grupe dhe organizata kriminale të vendit, 850 anëtarë dhe drejtues të tyre janë vendosur para ligjit, ndërkohë janë vendosur para ligjit mbi 1200 të tjerë, të cilët ishin persona në kërkim, por që shëtisnin të lirë rrugëve dhe shesheve të qyteteve tona apo të fshehur kudo që ndodheshin. Unë mendoj se puna e organeve të zbatimit të ligjit në Shqipëri është një shembull i shkëlqyer i përkushtimit, i profesionalizmit, i përgjegjësisë ndaj detyrës.

 

Ka një rënie dramatike të trafiqeve dhe kjo jo vetëm se e tregojnë statistikat tona, por këtë gjë e tregojnë statistikat e Italisë, bregut përkarshi, të cilat këtë vit janë tërësisht ndryshe dhe tregojnë  një rënie shumë të madhe. Në këtë rënie të trafiqeve, një ndihmesë të madhe ka dhënë ligji i ndalimit të skafeve në ujërat tona territoriale, sikundër ka një rënie dramatike në mbjelljen e kanabisit në territoret shqiptare pas vendosjes së ligjit të përgjegjësisë penale të autoriteteve vendore, në rast të kësaj mbjelljeje. Ka një rënie të madhe të trafiqeve njerëzore.

 

Në dy vite Shqipëria ka pasur një bum, të madh turistik. Turizmi është rritur në këto dy vjet me 70 për qind, por nuk regjistrohet në regjistrat e policisë shqiptare as edhe incidenti më i vogël, qoftë edhe ndaj një turisti të vetëm.

 

Unë deklaroj këtu se vendi im është i gatshëm të nënshkruajë çdo marrëveshje me qeveritë e vendeve tuaja për të adaptuar në Shqipëri dhe kudo, “zero tolerancë” ndaj krimit të organizuar.

 

Një nga problemet madhore të Shqipërisë ka qenë korrupsioni. Korrupsioni është një kancer i vërtetë i një shoqërie, një kancer që në vërtetë gërryen dhe gllabëron çdo ditë e më shumë liritë e qytetarëve, sepse u gllabëron gjendjen e tyre materiale, iu errëson të ardhmen. Ky ka qenë qëndrimi i qeverisë sime ndaj tij.

 

Në një hark kohor të shkurtër ne kemi rezultate konkrete inkurajuese. Në një nga hapat tanë madhor, ne shkurtuam shpenzimet operative në zyrat tona me 40 për qind. E realizuam këtë vetëm duke parandaluar përdorimin e parave publike për qëllime private.

 

Ne shkurtuam administratën qendrore me 25 për qind dhe punonjësit e saj me 30 për qind. Ne nxorëm administratën jashtë konfliktit të interesit dhe cilido që gjendet në administratë në konflikt interesi, largohet prej saj. Vendosëm një ligj që mbron njësoj si dëshmitarët e krimeve të rënda, ashtu edhe denoncuesit e korrupsionit dhe shpërblimin e tyre me 6 për qind.

 

Kemi dixhitalizuar një seri procedurash dhe po privatizojmë një seri   shërbimesh.

 

Cilat janë rezultatet e prekshme, në dy vjet të qeverisjes?

 

Së pari janë shkurtuar shpenzimet operative me 40 për qind.

 

Së dyti, është ulur kostoja e prokurimeve publike me 23 për qind

 

Së treti, dy vjet me radhë parlamenti shqiptar ka votuar në muajin qershor një buxhet të dytë suplementar, rreth 24 për qind të buxhetit vjetor.

 

Së katërti, në rast se të ardhurat në buxhetin e shtetit për vitin 2005 ishin 22 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, këtë vit ato janë 27 për qind, pavarësisht nga ulja më drastike e taksave që ne kemi ndërmarrë. Ne ia kemi dalë të rrisim të ardhurat me 1.2 miliardë dollarë në buxhetin tonë.

 

Me gjithë vështirësitë e njohura që ne kemi pasur, janë vendosur  para ligjit rreth 50 zyrtarë nga të gjitha nivelet. Ligji nuk do të kursejë asnjë njeri që do të mund të përdorë paratë publike për qëllimet e veta. Lufta kundër korrupsionit është një nga betejat më të rëndësishme të qeverisë. Edhe njëherë e theksoj se ky është një kancer me të cilin duhet të përballesh çdo minutë, çdo orë, çdo ditë. Por ne mbetemi shumë të vendosur në këtë përballje.

 

Demokracia dhe varfëria nuk ecin njëra me tjetrën. Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha, të jashtëzakonshme, potenciale të mëdha njerëzore, burime të mëdha natyrore, e megjithatë ajo  renditej poshtë në nivelin e tërheqjes së investimeve të huaja. Korrupsioni, krimi i organizuar, burokracia, mungesa e transparencës, të gjitha këto kishin bërë që Shqipëria, ky vend me potenciale shumë të mëdha, të humbasë interesin e biznesit ndërkombëtar.

 

Objektivi ynë  më ambicioz ishte të shndërrojmë Shqipërinë në një vend tërheqës për investimet e huaja dhe ne e kemi bërë këtë atëherë kur ky objektiv dukej shumë i largët.

 

Krahas luftës kundër krimit e korrupsionit, ne kemi bërë një  punë  shumë serioze në zvogëlimin e barrës burokratike për biznesin. Dy vjet më parë koha e regjistrimit të nje biznesi ishte 42 ditë, ndersa sot sot nje biznes regjistrohet brenda një ore në “One Stop Shop”. Së shpejti nisim punën për “One Stop Shop” për liçencat dhe lejet.  Përpjekjet tona për të lehtësuar burokracitë mbi biznesin vazhdojnë. Një javë më parë ne inauguruam taksën on-line. Po ashtu, jane dixhitalizuar dhe doganat tona. Kemi përgjysmuar procedurat për licencat dhe lejet dhe i kemi liberalizuar ato.

 

Por krahas kësaj, ne kemi vendosur që Shqipëria të jetë vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë, si dhe vendi me koston e prodhimit më të ulët në Evropë. Unë kam kënaqësi t’ju  informoj se këto dy objektiva janë realizuar plotësisht. Shqipëria sot është vendi i taksës së sheshtë, pas një uljeje nga 23 në 10  për qind të tatimit mbi të ardhurat, pas uljes nga 25 në 10 për qind të taksës mbi fitimin, e cila hyn në fuqi  në 1 janar, pas uljes me 50 për qind  të taksës për biznesin e vogël, uljes me 32 për qind të kontributeve të sigurimeve shoqërore, uljes me 33 për qind të çmimit të energjisë. Dua t’’ju informoj se vërtetë ne jemi përballë me vështirësi energjetike, por konsumi i energjisë për biznesin për këtë vit është 12.6 për qind më i lartë se vitin e kaluar.

 

Po punojmë  për krijimin e zonave industriale dhe të parqeve Industriale. Një ligj i ri mbi Partneritetin Publik Privat, në disa sektorë ka një funksionim të shkëlqyer, një ligj  i ri për prokurimet publike i ka bërë ato më transparente.

 

Shqipëria ka inauguruar dhe së shpejti e instalon përfundimisht prokurimin elektronik si formën më transparente të prokurimit.

 

Cilat kanë qenë rezultatet e këtyre reformave?

 

Treguesit  e ekonomisë sonë janë këta:

 

Ka 28 për qind rritje të eksporteve, ka 22 për qind rritje të indeksit të shitjes, ka 25 për qind rritje të depozitave bankare, ka pothuaj dyfishim të kreditit bankar  për ekonominë dhe ka një fluks të panjohur më parë të kompanive të mëdha. Kompani të mëdha nga vendet të huaja, nga Norvegjia në Qipro, ndodhen në vendin tim, të cilat marrin pjesë me investime në punët publike apo private. Kompani shumë të mëdha janë vendosur në tregjet bankare dhe financiare, të tjera në fushën e energjetikës, në turizë, në çimento.

 

Vetëm  pak ditë më parë, një gazetë e njohur e Londrës,  “Observer”, shkruante se Shqipëria është një nga 20 vendet më të përshtatshme për investime dhe për investitorët vendas dhe të huaj. Unë nuk jam në dijeni se nga e ka nxjerrë gazeta këtë konkluzion, por ju siguroj se ambicia ime dhe e qeverisë që unë kryesoj mbetet që të konsiderojmë këto që kemi arritur vetëm si hapat e parë. Sepse ne mbetemi të vendosur që ta shndërrojmë vërtetë Shqipërinë në vendin më tërheqës për investimet e huaja. Ne jemi shumë të inkurajuar  për këto rezultate, por absolutisht ato janë thjesht një stacion për të arritur rezultate të tjera.

 

Këto rezultate bënë të mundur thellimin e mëtejshëm të reformave në ushtri. Ushtria shqiptare është një nga institucionet më të reformuara të këtij vendi.. Nga një ushtri “bunker”, e konceptuar në një paranojë me 360 mijë ushtarë, nënoficerë dhe oficerë, sot ajo shkon drejt një ushtrie të vogël, profesionale, të mirë trajnuar. Ushtria ka përparësi në buxhet dhe brenda vitit 2010, të gjithë ushtarët shqiptare do të jenë buxhetorë. Njësitë tona janë shndërruar në përfaqësues të shkëlqyer të vendit dhe të kombit tonë në misionin që kryejnë në Bosnje, në Afganistan, në Irak.

 

10 ditë më parë isha në Reikiavik, ku pata rastin të paraqes përpjekjet e Shqipërisë për të merituar ftesën për anëtarësim në NATO. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Japp De Hop Scheffer shtroi kërkesën e domosdoshmërisë së dërgimit të një njësive të vogla “Omlete” për  trajnime në Afganistan. Ministria e Mbrojtjes ka marrë porosinë të shqyrtojë këtë mundësi që ne, përveçse dërguam një kompani 3 muaj më parë në Herat, me njësitë italiane, të mund të dërgojmë grupe trajnuese të tjera, në mbështetje të kërkesave të NATO-s.

 

Nga Bukureshti na ndajnë 4 muaj, disa e quajnë 100 metërshi i fundit, disa të tjerë 400 metërshi, por unë e quaj kilometri i fundit. Ne jemi të vendosur të bëjmë çdo përpjekje me reformat në fushën politike, ekonomike dhe ushtarake, reformën zgjedhore, reformën në sistemin e drejtësisë dhe reforma të tjera. Jemi të vendosur të thellojmë afrimin gjithnjë e më shumë të Shqipërisë në moshën dixhitale. Shumë procedura sot në Shqipëri janë elektronike, të tjerat do të vazhdojnë. Jemi të vendosur të aftësojmë çdo ditë e më shumë njësitë tona ushtarake, në mënyrë që këtë kilometër ta përshkojmë ashtu siç kërkohet nga Aleanca e Atlantikut për të arritur kriteret dhe standardet e saj dhe të meritojmë ftesën.

 

Zonja  dhe Zotërinj!

 

Asnjë rajon në Evropë nuk është përballur me luftërat, konfliktet, spastrimet etnike sa Ballkani. Në këtë kontekst, mund të thuhet  se asnjë rajon nuk ka ndryshuar më shumë se  rajoni ynë. Sot  në tërësi ky është një rajon paqeje, bashkëpunimi, mirëkuptimi. Kombe që pak vite më parë ishin në armiqësi të thella më njeri-tjetrin, sot kanë shtrirë urat e bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit dhe  shohin së bashku të ardhmen e tyre në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

 

Ne këtë kontekst, unë dua të përshëndes arritjen e marrëveshjes në Lisbonë për Traktatin e Ri Europian, si një ngjarje të madhe për mbarë Evropën, si një ngjarje e cila i jep fund status quo-së në drejtimin e Bashkimit Evropian dhe e vendos këtë bashkim në një nivel të ri bashkëpunimi, e vendos atë para një horizonti . Ky ishte një zhvillim shumë pozitiv edhe për vendet tona që aspirojnë të anëtarësohen.

 

Në Ballkan mbetet një problem themelor për t’u zgjidhur dhe ky është problemi i Kosovës. Kosova në të vërtetë ka qenë  thelbi apo zemra e krizës ballkanike. Qeveria shqiptare beson se projekti që përgatiti Presidenti Ahtisaari dhe që e dorëzoi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ishte një projekt shumë i ndershëm, i drejtë, mbi të cilin paqja në Kosovë mund të ndërtohej dhe të qëndronte. Por ky projekt ishte shumë i rëndësishëm jo vetëm për Kosovën, por dhe për paqen në rajon. Projekti garantonte standardet më të gjera se në çdo vend tjetër të Evropës për minoritet. Kjo ishte normale sepse Kosova ishte një zonë e lënduar dhe nuk mund të mos merrej në konsideratë ky fakt për t’u dhënë garanci të  plotë serbëve  dhe minoriteteve të tjera që të jetonin në Kosovë.

 

Por projekti i Presidentit Ahtisaari njihte dhe vullnetin e shumicës për pavarësi, si zgjidhjen e vetme që jep paqe dhe stabilitet. Ky projekt u refuzua nga Beogradi, duke dëshmuar për fat të keq se preokupimi kryesor i Beogradit nuk janë të drejtat dhe liritë e serbëve në Kosovë, por diçka tjetër, territori, gjë e cila është absolutisht e papranueshme, është në kundërthënie të plotë me paqen e qëndrueshme në Kosovë dhe në rajon.

 

Ne kemi  mbështetur përpjekjet e Trojkës e cila më datën 10 dhjetor do të dorëzojë raportin. Ne dyshojmë se të njëjtët mekanizma që bllokuan projektin e Presidentit Ahtisari, mund të bllokojnë dhe një zgjidhje nga Trojka.

 

Sidoqoftë, qeveria shqiptare u bën thirrje autoriteteve të Kosovës të mos ndërmarrin veprime të njëanshme, por të koordinojnë dhe të bashkërendojnë  opsionin e mbetur. Sepse duket se opsioni i mbetur, të paktën për momentin, është ecja nëpërmjet njohjes një nga një të pavarësisë së Kosovës dhe ky proces duhet të bashkërendohet me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe vendet e tjera të Grupit të Kontaktit, të cilat kanë një koncept të qartë për paqen, stabilitetin në Kosovë dhe në rajon, të cilat mbështesin në tërësi projektin e Presidentit Ahtisari dhe kanë luajtur një rol përcaktues në daljen e Ballkanit nga spirali i luftërave, i barbarive, i spastrimeve  në etnike, në arenën e bashkëpunimit, miqësisë dhe integrimit.

 

Në këtë aspekt, unë jam optimist se paqja dhe stabiliteti, pavarësisht nga vështirësitë e krijuara me statusin e Kosovës, do të krijojnë zhvillime më pozitive në zgjidhjen përfundimtare të Statusit, në përputhje me vullnetin e qytetarëve të saj.

 

Faleminderit”

 

                          

 

                  

 

 

 


   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Kryeministri Berisha pret shefen e Misionit tė ODIHR-it Conny McCormak dhe anėtarė tė tjerė tė misionit vėzhgues tė OSBE/ODIHR
Kryeministri Berisha pėrshėndet Konferencėn e Nivelit tė Lartė tė OSBE-sė mbi Tolerancėn dhe Mosdiskriminimin
Fjala e Kryeministrit Berisha nė tubimin elektoral nė Gjirokastėr
Konferencė pėr shtyp e Kryeministrit Berisha nė Vlorė
Fjala e Kryeministrit Berisha nė tubimin elektoral nė Berat
Kryeministri Berisha inauguron rehabilitimin e dy nėnstacioneve elektrike nė Elbasan, me vlerė 11 milionė euro
Kryeministri Berisha pėrshėndet takimin e BSPSH-sė nė kujtim tė 22 vjetorit tė grevės sė pėrgjithshme tė vitit ‘91
Kryeministri Sali Berisha pret kryetarėt e Bashkėsive Islame tė Ballkanit
Konferencė pėr shtyp e Kryeministrit Berisha nė Korēė
Kryeministri Berisha nė inaugurimin e impiantit tė pėrpunimit tė ujėrave tė zeza nė Korēė: Infrastruktura ujore, me rėndėsi parėsore
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave