16/06/2008
“Zoti ministër,
I nderuar President i kompanisë ndërtuese sllovene, zoti Znedar
Të dashur punonjës të portit dhe të kompanisë SCT
Është një ngjarje e madhe për këtë port, për Durrësin dhe mbarë Shqipërinë, fillimi i punimeve për këtë terminal, me një projekt të cilin porti i Durrësit, njëri prej porteve më të vjetra të Mesdheut, e ka pritur me shekuj. Ky do të jetë një terminal modern për pasagjerët e këtij porti. Me këtë projekt, porti merr një pamje të re, evropiane, moderne dhe që u ofron qytetarëve shërbimet më të mira, me kapacitete të mëdha. Portet në tërësi janë barometrat më të saktë të zhvillimit të një shoqërie dhe të një vendi. I tillë ka qenë Durrësi në shekuj e mijëvjeçarë, ku shqiptarët kanë arritur të marrin frymë lirshëm dhe ka mbetur gjithnjë një port simbol i tyre, porti kryesor i tyre.
Shqiptarët tashmë ecin të sigurt në rrugën e lirisë, ata janë të lirë dhe ky port, me shpejtësi, fuqizohet dhe zhvillohet. Ky port, me shpejtësi, do të konsumojë të gjitha kapacitetet e tij. Ky projekt parashikon ndërtimin e një terminali modern, me një sipërfaqe mbi 5 mijë metër katror, me një kapacitet përpunimi për 2 mijë pasagjerë njëherësh, me një parkim prej 2 mijë automjetesh. Parashikohet gjithashtu betonimi i një sipërfaqeje prej 63 mijë metra katrorë dhe një seri shërbimesh të tjera, të cilat e bëjnë portin e Durrësit një port evropian, modern.
Dua të theksoj dy elementë kryesor; fondi limit i investimit për terminalin ka qenë i parashikuar 22 milionë euro, ndërkohë që kontrata është nënshkruar me 15 milionë euro. Pra kjo është transparenca, të nderuar qytetarë. Kontrata është firmosur me 7 milionë euro kursim. Këto 7 milionë euro kanë vlerë të madhe, sepse së pari, ato janë kursyer dhe së dyti, ato i shërbejnë një projekti tjetër.
Së dyti, një risi tjetër është fakti që kontraktori SCT është një kompani sllovene mjaft e njohur, e cila kryen edhe punime të tjera në Shqipëri. Ajo është e angazhuar edhe në një nga segmentet e autostradës Durrës – Morinë. Presidenti i kompanisë na siguroi këtu se do të bëjë punën më cilësore dhe se do ta përfundojë projektin brenda afatit. Duke shprehur besimin e plotë në punën cilësore të kompanisë së tij, njerëzisht do t’i kërkoja që afatin e përfundimit ta nënkuptojë disa muaj më parë se muaji i shpallur. Në Durrës punohet me tre turne në mënyrë komode, sepse klima e këtij qyteti e lejon këtë, madje turni i tretë në punë mund të jetë edhe më i lehtë se dy turnet e tjera.
Ndaj, le të punojmë bashkërisht që t’ia dorëzojmë sa më shpejt këtij qyteti kaq të dashur, kaq të respektuar, kaq të rëndësishëm, terminalin që ai e pret me padurim.
Edhe njëherë, dua t’ju uroj shumë suksese në kryerjen e punimeve e të përgëzoj autoritetet e portit dhe kompaninë, duke shprehur besimin se kompania do të realizojë në kohen më të shkurtër të mundshme këtë investim.
Dua të falënderoj investitorët, dy bankat e mëdha, Bankën Evropiane të Investimeve dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për kredinë që i kanë dhënë qeverisë shqiptare, kredi e cila shndërrohet në këtë projekt madhor, në këtë port.
Edhe njëherë, urimet më të mira”.