I nderuar zoti ministër,
E nderuara e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA-së, zonja Jones,
Zoti Shef i Shtabit të Përgjithshëm,
Zotërinj gjeneralë, komandantë të Forcave tona të Armatosura,
Të dashur fëmijë, bashkëshorte, prindër e familjarë të ushtarëve të njësisë “Eagle 1”,
Sot, ne jemi mbledhur në këtë ceremoni për t’ju uruar juve, ushtarëve, oficerëve, nënoficerëve të njësisë “Shqiponja 1” të Forcave tona të Armatosura, të sapokthyer nga fushëbetejat e Kandaharit, mirëseardhjen tonë më vëllazërore, më të përzemërt, por edhe për t’ju shprehu mirënjohjen më të thellë, krenarinë më të madhe, nderimin e respektin për mision e lartë fisnik që ju përmbushët. Ju, për 6 muaj, për çdo ditë e natë, në çdo kohë e mot, ndërmorët në fushat e kodrat e Kandaharit qindra e qindra misione, detyra luftarake të suksesshme dhe u kthyet gjithnjë fitimtar në njësinë tuaj ushtarake, në Brigadën 525 të Ushtrisë Amerikane, duke nderuar kështu flamurin tonë kombëtar, flamurin e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Zoti ju bekoftë!
Unë jam këtu për të shprehur një mirënjohje të thellë edhe ndaj bashkëshorteve, fëmijëve, prindërve, vëllezërve e motrave tuaj, të cilët në këto 6 muaj kanë ndarë me ju, me shpirt e zemër, të gjithë sakrificën tuaj dhe janë bërë gjithashtu një mbështetje e fuqishme morale, në përmbushjen me dinjitet të misionit tuaj. Faleminderit shumë.
Misioni juaj, misioni i njësisë “Shqiponja 1” do të mbetet në memorien e Forcave tona të Armatosura dhe kombit tonë si misioni i parë paqeruajtës luftarak që Forcat tona ndërmarrin, pas anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Ju bëtë që flamuri ynë kombëtar po me atë krenari e dinjitet që valëvitet kudo në Shqipëri, valëvitet sot në Aleancën e Atlantikut të Veriut, të valëvitet krenar në Kandahar, në fushëbetejat që NATO zhvillon për lirinë e kombit afgan.
Në 6 muaj, ju u përballët me misione ndër më të rrezikshmit. Ju dëshmuat trimëri të madhe, dëshmuat gjakftohtësi të madhe, përgatitje ushtarake të shkëlqyer, komunikim të zhdërvjellët. Ju nuk ishit një njësi e madhe, por ia dolët të fitonit respektin, dashurinë dhe vlerësimin e të gjitha njësive të tjera të vendeve aleate të Atlantikut të Veriut dhe para së gjithash, të ushtrisë amerikane, të njësive ushtarake të marinsave të Shteteve të Bashkuara, të komandantëve dhe të vetë komandantit Petraeus. Ju u bëtë një emër shumë i mirë i ushtrisë sonë midis tyre. Edhe një herë faleminderit shumë.
Në këtë mision, me dhjetëra, në mos qindra herë, ju u përballet me armiq të egër, të cilët përpiqen të rrënojnë të ardhmen e kombit afgan. Në këtë mision, ju u udhëhoqët nga ideali dhe pasioni i lirisë, të bindur se rreziku që kërcënon paqen e lirinë në Afganistan nuk është vetëm një rrezik afgan, por është një rrezik për paqen dhe lirinë këtu, në Shqipëri, Europë dhe kudo në botë. Qeveria shqiptare mbetet e vendosur të bëjë çdo përpjekje për modernizimin e Forcave tona të Armatosura, të bëjë çdo përpjekje për të përmbushur me dinjitet të gjitha detyrimet që rrjedhin nga anëtarësia në Aleancën e Atlantikut të Veriut, të mbajë lart frymën morale të përkushtimit tonë në Aleancën më të madhe të lirisë së kohërave. Arritja, me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO ishte historike, por gjithashtu përgjegjësia jonë ndaj Aleancën është dhe do të mbetet historike. Ju garantoj ju dhe forcat tona të Armatosura se qeveria do të mbështesë plotësisht me të gjitha mjetet përmbushjen me dinjitet të misioneve të ardhme, siç e përmbushët ju, anëtarët e njësisë “Shqiponja 1”.
Të dashur ushtarë, nënoficerë e oficerë të njësisë “Shqiponja1”,
Ndërkohë kur ju përballeshit me armikun më të egër të lirisë së kombit afgan, në shpellat e malet e Kandaharit, më 21 janar, grupe bashibozukësh do të sulmonin selinë e Këshillit të Ministrave. Dua t’ju garantoj se të parët që më kanë ardhur në mendje keni qenë ju. Natyrisht, institucionet kushtetuese të një vendi anëtar të NATO-s nuk mund të pushtohen kurrë. Ato i mbrojtën trup me trup vëllezërit dhe motrat tuaja me uniformë. Ato janë kështjella lirie e nuk mund të mposhten, por dhimbja ime ishte e madhe, sepse ju përfytyroja ju tek ktheheshit nga misioni juaj dhe në ekranet e televizionit sëbashku me vëllezërit tuja të armëve shikonit se ç’ndodhte në vendin tuaj. Unë dua t’ju garantoj se pasioni për lirinë e vlerat e saj janë ato që na udhëheqin neve, në rrugën e ndërtimit të sistemit demokratik. Ju garantoj se ajo që ndodhi vërtet ishte një akt i shëmtuar, por ne sëbashku do të bëjmë çdo gjë t’i rikthejmë Shqipërisë imazhin që ajo meriton, të dëshmojmë se liria e vlerat e saj janë të pakapërcyeshme, të padhunueshme në këtë vend.
Edhe një herë ju përshëndes dhe ju falënderoj me mirënjohje. Ju garantoj se do të bëjmë gjithçka që çdo mision në Afganistan e kudo në kuadrin e Aleancën të jetë një mision i vërtetë suksesi. Ju faleminderit.