Zonja ministre, zotërinj ministra,
Para se të fillojmë me rendin e ditës, më lejoni të falenderoj edhe një herë zotërinjtë, Petrit Vasili dhe Nasip Naço, për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur, mbështetjen dhe angazhimin e tyre në reforma të thella e të gjithanshme dhe t’i siguroj se ruaj vlerësimin më të mirë për punën e tyre. Natyrisht, rregullat janë rregulla dhe po zbatohen, ndaj mirëpres tre të emëruarit e rinj në këto poste: zotin Haxhinasto, me të cilin kam një bashkëpunim të gjatë në fushën e diplomacisë dhe jam i sigurt se ky bashkëpunim do të vazhdojë po me kaq eficencë në fushën e re të ekonomisë, energjetikës, tregtisë dhe minierave; zotin Vangjel Tavo në fushën e mjekësisë, i cili është një personalitet që e njeh sektorin dhe kam bindjen se reformat e avancuara me zotin Vasili do të vazhdojnë më tej me zotin Tavo; përshëndes gjithashtu zotin Panariti, një personalitet që vjen nga bota akademike dhe nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, në detyrën e re që merr dhe ju siguroj se sëbashku me zotin Panariti do të çojmë përpara të gjitha objektivat e rëndësishme të politikës së jashtme shqiptare.
Zonja ministre, zotërinj ministra,
Kryetema e kësaj mbledhjeje është dhe mbetet turizmi, përgatitjet dhe gatishmëria e gjithanshme për të pasur një sezon dinjitoz turistik. Për Shqipërinë, turizmi është një degë kryesore e ekonomisë dhe natyrisht, ekonomia është dhe mbetet më e rëndësishmja për një vend e një komb të lirë. Për ne, shqiptarët, që ishim të shkëputur nga rajoni, kontinenti, por edhe planeti për gjysmë shekulli, turizmi ka rëndësi të jashtëzakonshme edhe për imazhin e njohjen e qytetarëve nga mbarë bota me potencialet, vlerat, virtytet morale, mikpritjen e trashëgiminë kulturore të shqiptarëve. Të mos harrojmë se ne, jo për shkak të të tjerëve, por për shkakun tonë, ishim një vend i zhytur në terr të thellë e izolim. Sa më shumë të njihemi, aq më shumë e më shpejt do të mund të rritet vlerësimi ndaj nesh dhe për ne.
Ky sezon ka një fillim të fuqishëm. Ata që kanë pasur rastin të vizitojnë bregdetin e kanë gjetur më të mbushur se asnjëherë. Të tilla kanë qenë dhe kalimet në pikat kufitare. Si kurrë më parë ka një vërshim të vërtetë edhe drejt zonave malore. Ndaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që:
- Policia Rrugore, Drejtoria e Rrugëve dhe Ministria e Punëve Publike të përmbushin në kohë çdo detyrim për transportin më të sigurt të turistëve. Zoti ministër, ne zgjeruam e përmirësuam tunelin tek Uji i Ftohtë. E domosdoshme është të bllokohet qarkullimi i kamionëve në orët e lëvizjes masive. Kjo zonë nuk ka trafik të rëndë të mjeteve të rënda, por gjithsesi ka, ndaj duhet të vihet në funksion të turistëve, autobusëve dhe makinave të tjera, ndërsa kamionët të lëvizim pas orës dhjetë të mbrëmjes apo pas një orë të caktuar dhe të dihet që ajo trajektore nuk kalohet nga makinat e rënda transportuese, deri në këtë orë.
- Doganat të ofrojnë shërbimet më të mira në pikat e kalimit kufitar. Së bashku me Policinë Kufitare, Ministria e Brendshme të marrë masa për të garantuar në të gjitha skajet e vendit, rregullin dhe rendin më të sigurt.
- E domosdoshme të shqyrtohet një ripozicionim i postave të policisë. Po marr shembull zonën e Alpeve, ku dikur mbaheshin posta për të mbrojtur kufirin, tani duhet të kemi posta për të ndihmuar turistët, të kemi gjithashtu një ekip të vogël shëndetësor, si dhe njësi policie të pozicionohen në zonat që janë më shumë të populluara, të cilat do t’i përcaktoni vetë.
- Ministria e Shëndetësisë duhet që, krahas gatishmërisë së njësisë së helikopterëve, detyrimisht duhet të ketë ekipe të ndihmës së shpejtë edhe në skajet më të largëta, ku shkojnë turistë. Sigurisht që ka në Theth, në Valbonë, por duhen parë dhe zonat e tjera që janë larg Thethit e Valbonës. Duhet të bëjmë gjithçka për sigurinë e tyre, për ndihmën më të shpejtë të mundshme, në rast se qytetarët e vizitorët do të kenë nevojë. Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Brendshme bashkë me pushtetin vendor duhet të garantojnë funksionimin e ekipeve të ndihmës së shpejtë, në çdo plazh.
Në sezon, turizmi përbën sektorin më kryesor të punësimit. Sipas një statistike të huaj, turizmi shqiptar punëson në sezon, rreth 170 mijë vetë, në të gjithë vendin. Ky punësim përbën një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv. Në tërësi, këta janë të punësuar të përkohshëm, studentë, të rinj, të cilët me fitimet që nxjerrin nga puna e tyre lehtësojnë barrën e familjeve të tyre, për vitin e ardhshëm shkollor. Ndaj thirrja ime është t’i japim preferencë të rinjve në këto rekrutime për punësim, sepse edhe shërbimet sigurisht që i kryejnë më mirë, përshtaten më shpejt, por edhe plotësohet një nevojë reale e tyre për vitin që vjen, me fitimin e disa të ardhura, me të cilat do të përballojnë më lehtë vitin e shkollor.
Natyrisht, nuk janë vetëm të rinjtë ata që punësohen. Mos harroni se dyfishimi i popullatës gjatë verës është dyfishim i tregut dhe numrit të atyre që punësohen në restorante, klube e hotele u shtohen dhjetëra mijëra të tjerë, të cilët prodhojnë në funksion të zonave turistike të vendit. Kjo përbën një zhvillim shumë pozitiv, sepse faktikisht krijon një hapësirë të madhe për shitjen e produkteve të tyre dhe është më e leverdishme në këto raste, sesa përpjekja për ta eksportuar apo rieksportuar në vende të tjera, ndonëse edhe kjo është e këshillueshme. Shtimi i konsumit përbën një avantazh për prodhuesit.
Është një rast që bashkitë komunat, me të ardhurat që krijojnë, të punësojnë dhjetëra e qindra punonjës të përkohshëm, para së gjithash e mbi të gjitha, për pastrimin e territorit. Të bëjmë gjithçka që në këtë sezon turistik, Shqipëria të paraqitet më e pastër se asnjëherë. Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Inspektorati i Shëndetit Publik, të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit, për të cilat krimet ndaj mjedisit janë krime të rënda, të marrin masa për denoncimin apo për dërgimin për ndjekje penale për të gjithë ata që kryejnë krim ndaj mjedisit. Toleranca duhet të jetë zero! Askush nuk mund të pasurohet duke dëmtuar e kërcënuar shëndetin e të tjerëve. Le ta ngremë këtë angazhim e përkushtim në nivelin e mikpritjes shqiptare, e cila është e mrekullueshme, por, natyrisht, është e pamjaftueshme që miliona vizitorë e turistë që vijnë nga mbarë bota të kenë këtu pushimet që meritojnë, por kërkohen edhe një seri kushtesh të tjera që ne kemi plotësisht mundësi t’i sigurojmë. Zyrat e turizmit në rrethe duhet të jenë të hapura, të promovojnë potencialet turistike e të jenë në ndihmë të turistëve, të bashkëpunojnë ngushtë me agjencitë turistike.
Ky sezon veror duhet të jetë sezoni më i bukur turistik e më masiv në historinë e vendit. Unë kam shumë besim se të gjitha mundësitë ekzistojnë. Janë bërë investime kolosale në infrastrukturën rrugore e ujore për turizmin, janë bërë investime të mëdha në energjetikë në zonat turistike të vendit, por nga ne kërkohet që gjithçka ta vëmë në funksion të një mikpritje të shkëlqyer, shërbimi shembullor të miliona vizitorëve që po vijnë e do të vijnë gjatë kësaj vere.
Edhe një herë e theksoj se Ministria e Turizmit, bashkë me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Shëndetësisë duhet të përkujdesen për një qëndrim të ri ndaj turizmit malor. E vërteta është se fluksi drejt Alpeve është më i madh se asnjëherë tjetër.
Zonja ministre, zotërinj ministra,
Në rendin e ditë kemi për shqyrtim një vendim të rëndësishëm. Universitetet, kryesisht ato në rrethe, kanë kërkuar në mënyrë insistuese rritjen krahas kuotave, edhe të tarifave për studentët. Madje është kërkuar dyfishimi i tarifës. I kërkova Ministrit të Arsimit ta diskutojë edhe një herë me universitetet se rritja e tarifave është absolutisht e papranueshme. Natyrisht pranojmë rritjen e tyre sa është inflacioni, por rritje tjetër nuk mund të ketë. Zoti Ministër duhet të informosh rektoratet e universiteteve që të mos presin që qeveria të miratojë rritje të tarifave. Kjo qeveri nuk do të miratojë rritje tjetër të tarifave, përsa kohë do ta votojnë qytetarët shqiptarë. Të rrisësh tarifat nga 160 mijë në 330 mijë është një rritje e papranueshme, por ato do të rriten aq sa është inflacioni. Tarifat e propozuara nuk i përshtaten Shqipërisë, por edhe zotimit solemn të kësaj qeverie që nuk rrit tarifat. Vendimi është pozitiv përsa i përket rritjes së kuotave të pranimit në shkollat e larta.