Kryeministri Berisha zhvilloi sot, në Stamboll, një takim të përzemërt me Presidentin e Turqisë Abdullah Gül.
Presidenti Gül i uroi Kryeministrit Berisha mirëseardhjen dhe kënaqësinë që ky takim ndodhte edhe në 20 vjetorin e Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi.
Presidenti Gül vlerësoi miqësinë e solidaritetin mes të dy vendeve. Ai shprehu urimet për zgjedhjen e presidentit të ri, duke i kërkuar miqësisht Kryeministrit t’i përcjellë presidentit të zgjedhur, përshëndetjet e tij më të përzemërta.
Kryeministri Berisha i rikonfirmoi dëshirën e tij dhe të të gjithë shqiptarëve të mirëpresin në çdo kohë, në Shqipëri, Presidentin Gül dhe Kryeministrin Erdogan. Kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të Presidentin Gül dhe Kryeministrit Erdogan, në konsolidimin e zgjerimin e marrëdhënieve shumë të ngushta e vëllazërore midis dy vendeve, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit frytdhënës në të gjitha fushat. Në një hark të shkurtër kohor, theksoi Kryeministri, investimet turke janë rritur shumë herë dhe investitorët turq kanë një vlerësim e imazh shumë pozitiv në Shqipëri.
Në takim u shpreh besimi se bashkëpunimi mes dy vendeve do të njohë dimensione të reja në shumë fusha, si në atë të shkëmbimeve ekonomike, tregtare, të turizmit, arsimit, në sektorin bankar etj.. Në veçanti në fushën e turizmit, u vlerësua se kompani të rëndësishme turke do të sillnin një kontribut të madh me investimet e tyre, të cilat do të ishin padyshim një histori suksesi për ta dhe për Shqipërinë, duke marrë në konsideratë bukuritë natyrore dhe potencialet e jashtëzakonshme që Shqipëria ofron në këtë sektor.
Duke u ndalur në takimin e Detit të Zi, Kryeministri Berisha vlerësoi vizionin e madh të ish Presidentit Turgut Ozal, për inicimin e këtij forumi të bashkëpunimit rajonal. Në këtë kontekst, ka ardhur koha që vendet e rajonit të fokusohen në ndërtimin e infrastrukturave të rëndësishme që do t’i lidhin më ngushtë dhe do të japin një nxitje të madhe në tregtinë e shkëmbimet e tjera mes vendeve e popujve të këtij rajoni. BSEC mund të japë një ndihmë shumë të madhe në këtë drejtim.
Presidenti Gül ndau të njëjtin mendim se ndërtimi i infrastrukturave të rëndësishme që do të lidhin vendet e rajonit është dhe mbetet jashtëzakonisht i rëndësishëm për bashkëpunimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të tyre.
Korridori 8 u vlerësua si projekti kyç për forcimin e lehtësimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit mes vendeve të rajonit.
Në takim u diskutuan edhe zhvillimet e fundit në rajon.
26/06/2012