Kryeministri Berisha i dërgoi një mesazhi urimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama, me rastin e 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA.
Në mesazh, Kryeministri Berisha shprehet:
“I dashur Zoti President,
Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë, që, me rastin e 4 korrikut, Ditës së madhe të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mikut më të madh e strategjik të Shqipërisë e kombit shqiptar, t’Ju përcjell, në emrin tim, të qeverisë shqiptare dhe të të gjithë qytetarëve të vendit tim, përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për lartësimin e mëtejshëm të vendit e kombit Tuaj të madh, udhëheqës dhe simbol i lirisë e demokracisë për të gjithë popujt e njerëzit e lirë anembanë globit.
Nënshkrimi i Deklaratës së Pavarësisë më 4 korrik 1776 përbën jo vetëm ngjarjen më të shënuar në historinë e kombit të madh amerikan, por edhe një ndër stacionet më të rëndësishme të rrugëtimit të qytetërimit tonë dhe vlerës më të lartë të shoqërisë njerëzore, lirisë. Kurrë ndonjëherë më parë, në asnjë dokument të një rëndësie të tillë, nuk ishin sanksionuar aq solemnisht të vërtetat sublime të njerëzimit; e drejta e jetës, lirisë, barazisë dhe lumturisë individuale e detyrimi i shtetit për t’iu dedikuar atyre dhe për t’i garantuar ato, sesa në Kushtetutën e SHBA.
Ne shqiptarët festojmë këtë vit 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë si një komb i lirë, anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut, që ndërton demokracinë të bazuar në vlerat e tregut dhe jep kontributin në paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë, por dhe në rajone të tjera të botës.
Në të gjitha arritjet historike të kombit tim, mbështetja e paçmuar, kontributi i jashtëzakonshëm dhe ndihma bujare e SHBA-ve, e ideuar dhe e mbështetur tërësisht mbi vlerat e lirisë, kanë përbërë faktor vendimtar për arritjen e tyre. Ndaj dëshiroj të shfrytëzoj këtë rast për t’Ju shprehur Juve personalisht, qeverisë së SHBA-ve, Senatit dhe Kongresit Amerikan dhe kombit Tuaj të madh e mik të shqiptarëve, falënderimet e mia më të përzemërta dhe mirënjohjen më të thellë dhe në emër të shqiptarëve, për të gjithë ndihmën dhe mbështetjen e paçmuar. Sikundër dëshiroj t’Ju ripohoj vendosmërinë dhe angazhimin tim, të qeverisë shqiptare e të vendit e kombit tim për të konsoliduar edhe më tej në të ardhmen këtë partneritet të ngushtë e frytdhënës ndërmjet të dyja vendeve e kombeve, në dobi të së mirës e interesit më të lartë të tyre dhe paqes e miqësisë në botë.
Së fundi, dëshiroj t’Ju shpreh i dashur President Obama, falenderimet e mia të përzemërta, mirënjohjen time më të thellë, si dhe dëshirën time e të të gjithë shqiptarëve, t’Ju presim në Tiranë, si mik i madh dhe i shquar i Shqipërisë dhe kombit shqiptar, për të vizituar vendin tim dhe për të festuar së bashku këtë jubile historik.
Me sigurimet e konsideratës e të respektit më të lartë,
JUAJI,
SALI BERISHA”
04/07/2012