V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KONFERENCËS GJYQËSORE KOMBËTARE”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare”, për shqyrtimi dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
P R O J E K T L I GJ
PËR
ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KONFERENCËS GJYQËSORE KOMBËTARE
Në mbështetje të neneve 81, pika 2, shkronja “a”, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Konferenca Gjyqësore Kombëtare e Shqipërisë
1. Konferenca Gjyqësore Kombëtare e Shqipërisë (KGJK) është mbledhje e të gjithë gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë, gjyqtarëve të gjykatave të apelit dhe gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë.
2. KGJK-ja është person juridik publik.
Neni 2
Burimet e financimit
1. KGJK-ja ka buxhet të veçantë që administrohet nga zyra e administrimit të buxhetit gjyqësor në bashkëpunim me Këshillin Ekzekutiv të Konferencës.
2. Burimet e financimit të KGJK-së janë buxheti i shtetit dhe të ardhura të tjera, të lejuara nga ligji. KGJK-ja përcakton në rregulloren e saj masën dhe mënyrën e përdorimit të të ardhurave të tjera.
3. Buxheti për KGJK-në parashikohet, si zë më vete, në buxhetin vjetor të gjykatave.
Neni 3
Kompetencat e Konferencës Gjyqësore Kombëtare
KGJK-ja ka këto kompetenca:
a) Zgjedh anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në përputhje me nenin 147 pika 1 të Kushtetutës;
b) Miraton rregulloren e KGJK-së;
c) Mbron dhe promovon pavarësinë e pushtetit gjyqësor;
ç) Diskuton për drejtimet kryesore të veprimtarisë së gjykatave;
d) Paraqet deklarata dhe rekomandime tek autoritetet përkatëse shtetërore për një administrim të paanshëm dhe efikas të gjykatave të Shqipërisë;
dh) Paraqet rekomandime për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional të pushtetit gjyqësor;
e) Zgjedh komisionet e përhershme dhe të posaçme sipas këtij ligji;
ë) Ushtron çdo kompetencë tjetër të përcaktuar me ligj.
Neni 4
Organet drejtuese të Konferencës Gjyqësore Kombëtare
Organet drejtuese të KGJK-së janë:
a) Mbledhja e Përgjithshme e KGJK-së;
b) Këshilli Ekzekutiv i KGJK-së;
c) Kryetari i KGJK-së;
ç) Zëvendëskryetari i KGJK-së.
Neni 5
Mbledhja e Përgjithshme e KGJK-së
Mbledhja e Përgjithshme e KGJK-së është mbledhja e të gjithë gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë, gjyqtarëve të gjykatave të apelit dhe gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe është organi më i lartë vendimmarrës i KGJK-së.
Gjithashtu, në të marrin pjesë edhe gjyqtarët që shërbejnë në strukturat e tjera shtetërore sipas nenit 28, të ligjit nr.9877, datë 18.2.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”, për aq kohë sa ruajnë statusin e gjyqtarit.
Neni 6
Këshilli Ekzekutiv i KGJK-së
1. Këshilli Ekzekutiv i KGJK-së mbikëqyr organizimin dhe administrimin e brendshëm të KGJK-së. Ai përbëhet nga:
a) Kryetari i Gjykatës së Lartë;
b) 8 gjyqtarë të gjykatave të shkallës së parë;
c) 5 gjyqtarë të gjykatave të apelit;
ç) 1 gjyqtar i Gjykatës së Lartë.
2. Anëtarët e Këshillit Ekzekutiv zgjidhen nga KGJK-ja dhe qëndrojnë në detyrë për 3 (tre) vjet. Ata zgjidhen në mbledhjen e përgjithshme të KGJK-së, me votim të fshehtë dhe me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të KGJK-së. Rregulla më të hollësishme për zgjedhjen e tyre përcaktohen në rregulloren e KGJK-së.
3. Këshilli Ekzekutiv kryesohet nga Kryetari i KGJK-së.
4. Këshilli Ekzekutiv mblidhet me kërkesë me shkrim të kryetarit të KGJK-së, të një të tretës së anëtarëve të Këshillit Ekzekutiv ose të një të pestës së anëtarëve të KGJK-së.
5. Kërkesa me shkrim për thirrjen e Këshillit Ekzekutiv përmban edhe çështjet për të cilat kërkohet mbledhja e tij. Njoftimi i mbledhjes dhe rendi i ditës iu njoftohen anëtarëve të Këshillit të paktën 7 (shtatë) ditë përpara datës së caktuar për zhvillimin e mbledhjes.
6. Këshilli Ekzekutiv:
a) cakton rendin e ditës për mbledhjet e përgjithshme të KGJK-së;
b) raporton përpara çdo mbledhjeje për veprimtarinë e tij që nga mbledhja e fundit e KGJK-së;
c) miraton projektbuxhetin e KGJK-së, të propozuar nga komisioni i buxhetit të KGJK-së;
ç) harton projektrregulloren e KGJK-së, si dhe çdo projekt për ndryshimin apo shtimin e saj;
d) ushtron çdo kompetencë tjetër të parashikuar me ligj apo të ngarkuar nga mbledhja e përgjithshme e KGJK-së.
7. Mbledhja e Këshillit Ekzekutiv është e vlefshme kur në të marrin pjesë të paktën 8 (tetë) anëtarë të tij. Në rast se numri i votave është i barabartë, vota e kryetarit është përcaktuese.
Neni 7
Kryetari i KGJK-së dhe zëvendësi i tij
1. Kryetar i KGJK-së është kryetari i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë.
2. Kryetari i KGJK-së organizon dhe drejton punën e Konferencës, si dhe e përfaqëson atë në marrëdhënie me të tretët.
3. Kryetari i KGJK-së drejton mbledhjen e përgjithshme të KGJK-së, si dhe mbledhjet e Këshillit Ekzekutiv.
4. Në rast mungese të kryetarit, detyrat e tij kryhen nga zëvendëskryetari i KGJK-së. Zëvendëskryetari zgjidhet prej Këshillit Ekzekutiv nga radhët e tij me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës të të gjithë anëtarëve të tij.
Neni 8
Funksionimi i KGJK-së
1. KGJK-ja mblidhet të paktën një herë në vit në mbledhje të përgjithshme.
2. Mbledhjet e përgjithshme të KGJK-së thirren me kërkesë me shkrim të kryetarit të KGJK-së, të një të tretës së anëtarëve të Këshillit Ekzekutiv ose të një të pestës së anëtarëve të KGJK-së. Kërkesa me shkrim për thirrjen e KGJK-së përmban edhe çështjet për të cilat kërkohet mbledhja.
3. Për mbledhjen e përgjithshme të KGJK-së njoftohen me shkrim të gjithë anëtarët e saj të paktën 30 (tridhjetë) ditë përpara datës së caktuar për zhvillimin e saj. Kur mbledhja e përgjithshme e KGJK-së thirret për zgjedhjen e anëtarëve të KLD-së ose me kërkesë me shkrim të anëtarëve të Këshillit Ekzekutiv ose të anëtarëve të KGJK-së, afati i njoftimit mund të shkurtohet, por në çdo rast anëtarët duhet të njoftohen të paktën 10 (dhjetë) ditë përpara datës së mbledhjes.
4. Shërbimet e nevojshme administrative dhe teknike për funksionimin e KGJK-së kryhen nga stafi i zyrës së administrimit të buxhetit gjyqësor.
Neni 9
Zgjedhja e anëtarëve për Këshillin e Lartë të Drejtësisë
1. KGJK-ja zgjedh anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në mbledhjen e përgjithshme të saj në përputhje me nenin 147, të Kushtetutës, dhe me legjislacionin që rregullon organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
2. Anëtarët e KLD-së, që zgjidhen nga KGJK-ja, duhet të jenë:
a) 5 (pesë) gjyqtarë të gjykatave të shkallës së parë;
b) 3 (tre) gjyqtarë të gjykatave të apelit;
c) 1 (një) gjyqtar i Gjykatës së Lartë.
3. Procedura për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nga KGJK-ja fillon me një urdhër të veçantë të kryetarit të KGJK-së për thirrjen e KGJK-së brenda 90 (nënrëdhjetë) ditëve nga data kur:
a) mbaron mandati i anëtarit përkatës;
b) KLD-ja deklaron mbarimin para afatit të mandatit të anëtarit përkatës; ose
c) KLD-ja i paraqet kërkesë KGJK-së për zhvillimin e zgjedhjeve të reja, pasi ka çmuar që zgjedhja dhe qëndrimi në detyrë i anëtarit të KLD-së nuk janë në përputhje me ligjin.
4. Kandidatët për anëtarë të KLD-së duhet të propozohen me shkrim nga të paktën 10 (dhjetë) gjyqtarë, që nënshkruajnë propozimin. Këtij propozimi i bashkëngjitet edhe pëlqimi me shkrim i gjyqtarit që kandidon, së bashku me jetëshkrimin përkatës. Një gjyqtar mund të mbështetë vetëm një kandidaturë për çdo vend vakant në KLD.
5. Gjyqtarët, ndaj të cilëve janë marrë masa disiplinore, për aq kohë sa këto masa janë në fuqi, ndalohen të kandidojnë për anëtarë të KLD-së.
6. Kandidaturat paraqiten deri në 7 (shtatë) ditë para datës së caktuar për votimin e tyre nga KGJK-ja në Mbledhjen e Përgjithshme të saj.
Neni 10
Procedura e votimit të anëtarëve të KLD-së
1. Komisioni i etikës, verifikimit të mandateve dhe i përmirësimit të vazhdueshëm profesional shqyrton plotësimin e kritereve formalo - ligjore të kandidatëve dhe paraqet para KGJK-së raport me shkrim nëse kandidatët i plotësojnë këto kritere. Për këtë qëllim, komisioni i kërkon informacion me shkrim Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili duhet të përgjigjet brenda 48 (dyzet e tetë) orëve nga marrja e kërkesës.
2. Anëtarët e KLD-së zgjidhen me votim të fshehtë me shumicën e votave në prani të më shumë se dy të tretave të të gjithë anëtarëve të KGJK-së. Në rast se në votimin e parë asnjë nga kandidatët nuk ka marrë shumicën e votave, menjëherë zhvillohet një raund i dytë votimi mes kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave për vendin vakant. Në këtë rast, kandidatët për raundin e dytë të votimit janë sa dyfishi i numrit të vendeve vakante në KLD. Në raundin e dytë shpallen fitues kandidatët që kanë marrë shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të KGJK-së, anëtarë të pranishëm në votim. Në rast se edhe në raundin e dytë asnjë kandidat nuk merr shumicën e kërkuar të votave, procesi i zgjedhjes së anëtarëve të KLD-së rifillon me paraqitjen e kandidaturave të reja.
3. Procedura më e hollësishme e thirrjes së mbledhjes së KGJK-së dhe e kryerjes së votimit, ngritja e komisionit të votimit, mënyra e numërimit dhe nxjerrja e rezultatit të votimit përcaktohen në rregulloren KGJK-së.
Neni 11
Marrëdhëniet e të zgjedhurve në KLD me KGJK-në
1. Në mbledhjen e përgjithshme vjetore të KGJK-së anëtarët e zgjedhur në KLD prej KGJK-së, në mënyrë individuale ose kolegjialisht, duhet të paraqesin një raport të hollësishëm për përfaqësimin e interesave dhe përgjegjësive të pushtetit gjyqësor në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.
2. Në përfundim të raportimit, KGJK-ja mund të miratojë një rezolutë nëpërmjet së cilës përcakton drejtimet kryesore të veprimtarisë së përfaqësuesve të saj në KLD për vitin e ardhshëm, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.
3. Anëtarët e KLD-së të zgjedhur nga KGJK –ja nuk mund të paraqesin kërkesë për transferim apo ngritje në detyrë gjatë ushtrimit të mandatit të tyre.
4. Rregulla më të hollësishme për marrëdhëniet e të zgjedhurve në KLD me KGJK-në përcaktohen në rregulloren e KGJK-së.
Neni 12
Komisionet e KGJK-së
1. Komisionet e KGJK-së këshillojnë dhe i paraqesin rekomandime KGJK-së, Këshillit Ekzekutiv apo organeve të tjera shtetërore në lidhje me politikat dhe programet, sipas fushave të tyre të kompetencës. Komisionet dorëzojnë një raport me shkrim me rekomandime, sipas rastit, në çdo mbledhje të KGJK-së.
2. Anëtarët e komisioneve të KGJK-së propozohen nga kryetari i KGJK-së ose nga një e pesta e anëtarëve të KGJK-së dhe emërohen nga Këshilli Ekzekutiv. Kryetari i komisionit zgjidhet nga vetë anëtarët e komisionit. Në komision bëjnë pjesë gjyqtarë me njohuri dhe përvojë në fushën që mbulon veprimtaria e komisionit.
3. KGJK-ja krijon këto komisione të përhershme:
a) Komisionin e buxhetit, i cili këshillon dhe i paraqet rekomandime edhe zyrës së administrimit të buxhetit gjyqësor për përcaktimin e nevojave të gjykatave. Anëtarët e bordit drejtues të kësaj zyre janë anëtarë për shkak të detyrës së komisionit të buxhetit;
b) Komisionin e etikës, verifikimit të mandateve dhe të përmirësimit të vazhdueshëm profesional, i cili këshillon dhe i paraqet rekomandime edhe:
i. Shkollës së Magjistraturës për programe të reja, si dhe për ndryshime në programet ekzistuese për përmirësimin e vazhdueshëm profesional të gjyqtarëve dhe të punonjësve të tjerë të gjykatave. Gjyqtarët që janë anëtarë të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës janë anëtarë për shkak të detyrës të këtij komisioni;
ii. Inspektoratit të KLD-së dhe të Ministrisë së Drejtësisë nëse një veprim apo veprimtari bie ndesh me rregullat e kodit të etikës;
c) Komisionin për marrëdhëniet me institucionet shtetërore, organizatat ndërkombëtare, mediat, organizatat jofitimprurëse dhe publikun, i cili këshillon dhe jep rekomandime edhe:
i. Drejtorisë së Përgjithshme të Kodifikimit, në Ministrinë e Drejtësisë, për hartimin e legjislacionit që lidhet me veprimtarinë e gjykatave;
ii. institucioneve të tjera shtetërore me qëllim promovimin e arritjeve të pushtetit gjyqësor si shërbim publik dhe për ndikimin në rritjen e besimit të publikut te drejtësia. Komisioni siguron që veprimtaria e gjykatave të pasqyrohet në mënyrën e duhur në media, në këto organizata dhe në publik, si dhe mban lidhje me to.
4. KGJK-ja, sipas nevojave, mund të krijojë edhe komisione të tjera, të përhershme ose të posaçme.
Neni 13
Dispozitë kalimtare
1. Kryetari i KGJK-së, me hyrjen në fuqi të këtij ligji,:
a) emëron Këshillin Ekzekutiv të Përkohshëm me 7 (shtatë) anëtarë, i cili harton projektrregulloren për t’u prezantuar në mbledhjen e parë të KGJK-së, në zbatim të këtij ligji;
b) cakton datën e thirrjes së mbledhjes së parë të KGJK-së në zbatim të këtij ligji, duke respektuar procedurën e parashikuar në nenin 8, të këtij ligji;
c) emëron komisionin e përkohshëm me 5 (pesë) anëtarë për verifikimin e kritereve formalo - ligjore të kandidatëve për t’u zgjedhur anëtarë të KLD-së, nëse ekziston ndonjë prej shkaqeve të parashikuara në pikën 3, të nenit 9, të këtij ligji.
2. KGJK-ja merr masat që në mbledhjet e radhës për zgjedhjen e anëtarëve të KLD-së të zbatojë, për aq sa është e mundur, pikën 2, të nenit 9, të këtij ligji, deri në arritjen e raportit të përcaktuar në këtë nen.
3. Në mbledhjen e parë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, në rendin e ditës së mbledhjes është miratimi i rregullores së KGJK-së dhe zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Ekzekutiv sipas rregullave të nenit 6, të këtij ligji.
Neni 14
Miratimi i rregullores së KGJK-së
Në Mbledhjen e Përgjithshme të KGJK-së, në bazë dhe për zbatim të këtij ligji, miratohet rregullorja e saj bazuar në parimet e pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe të përfaqësimit të drejtë.
Neni 15
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI (ÇOBA)
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIM E AKTEVE DHE TË DOKUMENTEVE TË KONGRESIT TË 24-T TË BASHKIMIT POSTAR TË PËRBOTSHËM (UPU), GJENEVË, 2008”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e akteve dhe të dokumenteve të Kongresit të 24-t të Bashkimit Postar të Përbotshëm (UPU), Gjenevë, 2008”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E E AKTEVE DHE TË DOKUMENTEVE TË KONGRESIT TË 24-T TË BASHKIMIT POSTAR TË PËRBOTSHËM (UPU), GJENEVË, 2008
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e akteve dhe të dokumenteve të Kongresit të 24-të të Bashkimit Postar të Përbotshëm (UPU), Gjenevë, 2008”
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.545, DATË 11.8.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË NËPUNËSVE CIVILË/NËPUNËSVE, ZËVENDËSMINISTRIT DHE NËPUNËSVE TË KABINETEVE, NË KRYEMINISTRI, APARATET E MINISTRIVE TË LINJËS, ADMINISTRATËN E PRESIDENTIT, KUVENDIT, KOMISIONIT QENDROR TË ZGJEDHJEVE, PROKURORINË E PËRGJITHSHME, DISA INSTITUCIONE TË PAVARURA, INSTITUCIONET NË VARËSI TË KRYEMINISTRIT, INSTITUCIONET NË VARËSI TË MINISTRAVE TË LINJËS DHE ADMINISTRATËN E PREFEKTIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 18 e 29, të ligjt nr.8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”, të nenit 4/2, të ligjit nr.10 405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, dhe të ligjit nr.10 487, datë 5.12.2011, “Për buxhetin e vitit 2012”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.545, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëhen këto shtesa:
a) Në shkronjën “a”, të pikës 1/3, shtohet emërtesa “Drejtoria e Shifrës”.
b) Pas pikës 4/11 shtohet pika 4/12, me këtë përmbajtje:
“4/12. Në Drejtorinë e Shifrës, nëpunësit në pozicionet “Përgjegjës sektori” dhe “Specialist”, në masën 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj.”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondet e miratuara tashmë për Drejtorinë e Shifrës dhe të fillojnë nga momenti i emërimit të nëpunësve në detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.718, DATË 29.10.2004, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR LISTËN E PERSONAVE TË SHPALLUR SI FINANCUES TË TERRORIZMIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 5, të ligjit nr.9258, datë 15.7.2004, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në listën e personave të shpallur sipas rezolutave të Këshillit të Sigurimit (“Lista e OKB-së”), që i bashkëlidhet vendimit nr.718, datë 29.10.2004, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Në fund të shkronjës “A”, “Lista e individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë me talibanët”, shtohen personat e renditur në listën “a”, “Lista e shtuar e individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë me talibanët”, që i bashkëlidhet këtij vendimi, si anëtarë ose bashkëpunëtorë me talibanët, sipas shtesave në listën e konsoliduar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për personat që janë anëtarë, bashkëpunëtorë apo financues për talibanët.
2. Në fund të shkronjës “C”, “Lista e individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë me organizatën AI-Qaida”, shtohen personat e renditur në listën “c”, “Lista e shtuar e individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë me organizatën Al-Qaida”, që i bashkëlidhet këtj vendimi, si anëtarë ose bashkëpunëtorë me Al-Qaida-n, sipas shtesave në listën e konsoliduar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për personat që janë anëtarë, bashkëpunëtorë apo financues për Al-Qaida-n.
3. Nga lista e shkronjës “A”, “Lista e individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë me talibanët”, çregjistrohen personat e renditur në listën “b”, “Lista e të çregjistruarve nga “Lista e individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë me talibanët””, që i bashkëlidhet këtj vendimi, si persona të çregjistruar nga anëtarë ose bashkëpunëtorë me talibanët me rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
4. Nga lista e shkronjës “C”, “Lista e individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë me organizatën AI-Qaida” çregjistrohen personat e renditur në listën “d”, “Lista e të çregjistruarve nga “Lista e individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë me organizatën Al-Qaida””, që i bashkëlidhet këtj vendimi, si persona të çregjistruar nga anëtarë ose bashkëpunëtorë me Al-Qaida-n me rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K r y e m i n i s t r i
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8873, DATË 29.3.2002, “PËR SIGURIMIN E DEPOZITAVE”, Të NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8873, datë 29.3.2002, “Për sigurimin e depozitave”, të ndryshuar, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8873, DATË 29.3.2002, “PËR SIGURIMIN E DEPOZITAVE”, Të NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.8873, datë 29.3.2002, “Për sigurimin e depozitave”, të ndryshuar, të bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Në nenin 2 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Pas shkronjës “ç” shtohet shkronja “ç/1”, si më poshtë vijon:
“ç/1.”Shoqëria e Kursim Kreditit (SHKK)” është personi juridik i cili themelohet dhe vepron në përputhje me dispozitat ligjore të parashikuara në ligjin nr.8782, datë 3.5.2001, “Për shoqëritë e kursim kreditit”, të ndryshuar.”.
Përafruar me:
direktivën 1994/19/KE, datë 30 maj 1994, e Parlamentit Europian dhe e Këshillit “Mbi skemat e garantimit të depozitave”; Celex 31994L0019: OJ L 135, 31/05/1994 P. 0005 – 0014, e ndryshuar nga: direktiva 2005/1/KE, datë 9 mars 2005, e Parlamentit Europian dhe e Këshillit, Celex 32005L0001: OJ L 079, 24/03/2005 P. 0009 – 0017 dhe direktiva 2009/14/KE, datë11 mars 2009, e Parlamentit Europian dhe e Këshillit, Celex 32009L0014: OJ L 68, 13.3.2009, p. 3–7
2. Pas shkronjës “d” shtohet shkronja d/1, me këtë përmbajtje:
“d/1. “subjekt i siguruar” është banka dhe dega e bankës së huaj në Shqipëri, shoqëria e kursim kreditit që pranon depozita të siguruara nga Agjencia.”.
3. Në shkronjën “f” shtohet nënpika “iii”, si më poshtë vijon:
“iii. çdo shumë parash, që anëtari, individ i Shoqërisë së Kursim Kreditit depoziton pranë saj, në përputhje me ligjin nr.8782, datë 3.5.2001, “Për shoqëritë e kursim kreditit”, të ndryshuar.”
4. Shkronja “ll” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ll. “Ndërhyrje” është vënia në likuidim të detyruar e subjektit të siguruar me vendim të Autoritetit Mbikëqyrës.”.
Neni 2
Pas nenit 2 shtohet neni 2/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 2/1
Kudo në këtë ligj termi “bankë e siguruar” zëvendësohet me termin “subjekt i siguruar”, me përjashtim të neneve 21/1, pika 7, 23 dhe 26, të këtij ligji.”.
Neni 3
Pas pikës 2, të nenit 3, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Depozita në shoqëritë e kursim kreditit sigurohet nga Agjencia, sipas dispozitave të këtij ligji dhe akteve rregullatore, dhe asnjë shoqëri e kursim kreditit nuk pranon dhe nuk grumbullon depozita kur nuk është e siguruar nga Agjencia, sipas dispozitave të këtij ligji.”.
Neni 4
Në nenin5 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Shkronja “c” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c. depozitat e drejtorit, të administratorëve të subjektit të siguruar ose të çdo depozituesi tjetër me të njëjtin status në personat juridikë të lidhur me subjektin e siguruar në fjalë.”.
2. Pas shkronjës “g” shtohet shkronja “gj”, me këtë përmbajtje:
“gj. depozitat e personave juridikë në shoqërinë e kursim kreditit.”.
Neni 5
Në nenin 6 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Agjencia kompenson depozitat e siguruara kur Autoriteti Mbikëqyrës ndërhyn në subjektin e siguruar.”.
2. Shkronja “c”, e pikës 4, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c. depozitat e siguruara, të mbajtura nga çdo depozitues në subjektin e siguruar në ditën e ndërhyrjes, do të agregohen. Në mbështetje dhe për zbatimin e këtij ligji, agregim është llogaritja e shumës së përgjithshme të depozitave të siguruara të një depozituesi në subjektin e siguruar, duke zbritur vetëm shumën e detyrimeve të papaguara në kohë të depozituesit ndaj subjektit të siguruar, që rezulton në vonesë shlyerjeje në ditën e ndërhyrjes nga Autoriteti Mbikëqyrës.”.
Neni 6
Në nenin 7 bëhen këto ndryshime dhe shtesa :
1. Në pikën 1, togfjalëshi “... ose për vendimin e likuidimit vullnetar...” hiqet.
2. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon :
“3. Kur shuma e kërkuar për kompensimin e depozitave të siguruara është më e madhe se mjetet financiare të zotëruara nga Agjencia, atëherë kjo e fundit:
a) mund të marrë hua nga Buxheti i Shtetit, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Masa e huasë që do të jepet përcaktohet në mënyrë që kapaciteti financiar i Agjencisë të jetë në proporcion me detyrimet e saj dhe në çdo rast duhet të sigurojë qëndrueshmërinë e sistemit bankar e financiar në vend, si dhe të jetë në përputhje me qëndrueshmërinë e financave publike, në këndvështrimin afatmesëm dhe afatgjatë.
b) Interesi i huasë që do të jepet sipas sipas shkronjës “a”, të kësaj pike, duhet të jetë i njëjtë me normat e interesit të titujve, me maturitet të krahasueshëm, të emetuara nga qeveria shqiptare e të tregtueshëm në Republikën e Shqipërisë.
c) Për dhënien e huasë sipas shkronjave “a” dhe “b”, të kësaj pike, Ministria e Financave lidh marrëveshje me Agjencinë dhe Autoritetin Mbikëqyrës, ku përcaktohen, ndër të tjera, kushtet e kësaj huaje.”.
3. Pas pikës 5 shtohet pika 6, me këtë përmbajtje:
“6. Në rastin e transferimit të disa ose të të gjitha aseteve dhe detyrimeve të subjektit të siguruar tek një subjekt tjetër i siguruar ose një bankë-urë, përfshirë në çdo rast totalin e depozitave të siguruara, në bazë të urdhrit të Autoritetit Mbikëqyrës ose gjatë procesit të kujdestarisë apo likuidimit, Agjencia, me miratimin e Autoritetit Mbikëqyrës, transferon mjetet e saj financiare të nevojshme për plotësimin e diferencës ndërmjet detyrimeve dhe aseteve që transferohen, nëse vlera e detyrimeve është më e madhe se vlera e aseteve.
a) Plotësimi i diferencës, nga ana e Agjencisë, ndërmjet detyrimeve dhe aseteve që transferohen, kryhet deri në shumën e depozitave të siguruara dhe vetëm nëse kjo mënyrë është më pak e kushtueshme se kryerja e procesit të kompensimit të depozitave, duke përfshirë të gjitha shpenzimet që lidhen me këtë proces.
b) Pretendimet e Agjencisë të cilat rrjedhin nga plotësimi i diferencës midis detyrimeve dhe aseteve të transferuara renditen në radhë së bashku me depozituesit e vegjël, sipas ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë.”.
Neni 7
Pas pikës 5, të nenit 8, shtohen pikat 6 dhe 7, me këtë përmbajtje:
“6. Ekzekutimi i detyrimeve të lindura për Agjencinë gjatë procesit të kompensimit pezullohet, sipas dispozitave të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile, deri në përfundim të plotë të këtij procesi.
7. Vetëm për qëllim të kryerjes së procesit të kompensimit, sipas dispozitave të këtij ligji, Agjencia përjashtohet si subjekt i dispozitave të ligjit “Për prokurimin publik”, si dhe të akteve nënligjore në fuqi për zbatimin e tij.”.
Neni 8
Në pikën 2, të nenit 11, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Pas shkronjës “e” shtohen shkronjat “ë” dhe “f”, të cilat zhvendosin shkronjat vijuese sipas rendit alfabetik:
“ë propozon për Autoritetin Mbikëqyrës aktet nënligjore për miratimin e kontributit të veçantë që paguhet nga subjektet e siguruara, sipas dispozitave të parashikuara në nenin 20/1, pika 4, të këtij ligji.
f propozon për miratim te Autoriteti Mbikëqyrës vendimin për transferimin e mjeteve financiare të Agjencisë për plotësimin e diferencës midis aseteve dhe detyrimeve që transferohen nga një subjekt i siguruar tek një subjekt tjetër i siguruar ose bankë-urë, sipas vendimit të Autoritetit Mbikëqyrës për këtë transferim, në përputhje me pikën 6, të nenit 7, të këtij ligji.”.
2. Pas nënpikës “vi”, të shkronjës “ll”, shtohet nënpika “vii”, me këtë përmbajtje:
“vii. rregullat dhe procedurat për prokurimin e shërbimeve dhe mallrave gjatë procesit të kompensimit.”.
Neni 9
Pas pikës 5, të nenit 19, shtohet pika 6, me këtë përmbajtje:
“6. Fondi Themeltar i Agjensisë së Sigurimit të Depozitave për sigurimin e depozitave në shoqëritë e kursim kreditit është 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekë dhe është kontribut i buxhetit të shtetit. Ky fond është i pagueshëm sipas kushteve, afateve dhe procedurave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 10
Në nenin 20, pas shkronjës “ç” shtohet shkronja “d”, e cila zhvendos shkronjat vijuese sipas rendit alfabetik:
“d. kontributi i veçantë i subjekteve të siguruara sipas përcaktimeve në nenin 20/1, pika 4, të këtij ligji.”.
Neni 11
Në nenin 20/1 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Huatë apo kreditë e marra nga Agjencia, sipas nenit 20 të këtij ligji, për mbulimin e pamjaftueshmërisë së mjeteve financiare, përfshirë dhe ato që merren nga buxheti i shtetit, mund të garantohen me një garanci të lëshuar nga vetë Agjencia, duke përdorur asetet e saj apo pretendimet e ardhshme të Agjencisë për pagimin e primit vjetor nga bankat e siguruara.”.
2. Pas pikës 3 shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Me propozimin e Këshillit Drejtues të Agjencisë dhe miratimin e Autoritetit Mbikëqyrës, subjektet e siguruara paguajnë një kontribut të veçantë, sipas nenit 20, shkronja “c”, të këtij ligji, i cili përmbush kriteret e mëposhtme:
a) Kontributi i veçantë është kontribut i subjekteve të siguruara, që përdoret për qëllim të rindërtimit të mjeteve financiare në rast të kompensimit të depozitave të siguruara ose për shlyerjen e huave të Agjencisë të marra për këtë qëllim në kuptim të nenit 20 shkronja “d” si dhe pikës 4 dhe 5 të këtij neni.
b) Kontributi i veçantë i subjekteve të siguruara mblidhet nga Agjencia vetëm njëherë gjatë vitit kalendarik. Masa e kontributit të veçantë përcaktohet e njëjtë për të gjitha subjektet e siguruara dhe në çdo rast jo më shumë se 1 % e totalit të depozitave të siguruara që janë regjistruar në subjektin e siguruar në ditën e fundit të muajit pararendës nga data e njoftimit të Agjencisë.
c) Kontributi paguhet nga subjektet e siguruara në lekë me marrjen e njoftimit nga Agjencia për vendimin e Autoritetit Mbikëqyrës mbi detyrimin e pagesës së tij, dhe në çdo rast jo më vonë se data e përcaktuar në njoftimin e Agjencisë.
ç) Me propozimin e të Këshillit Drejtues të Agjencisë, Autoriteti Mbikëqyrës përcakton subjektet e siguruara të cilat, për arsye të ruajtjes së aftësisë paguese të tyre, mund të përjashtohen nga pagesa e kontributit të veçantë përkatës.”.
- Pika 4 në këtë nen bëhet pika 5.
Neni 12
Neni 21 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 21
Qëllimi i përdorimit të mjeteve financiare
Mjetet financiare të Agjencisë, në kuptim të nenit 20 të këtij ligji, përdoren për:
a) kompensimin e depozitave të siguruara sipas dispozitave të këtij ligji;
b) plotësimin e diferencës ndërmjet detyrimeve dhe aktiveve që transferohen nga një subjekt i siguruar tek një subjekt tjetër i siguruar ose bankë-urë, sipas vendimit të Autoritetit Mbikëqyrës për këtë transferim, sipas pikës 6, të nenit 7, të këtij ligji;
c) mbulimin e të gjitha shpenzimeve administrative për zbatimin e procesit të kompensimit të depozitave të siguruara dhe administrimin e aseteve të Agjencisë;
ç) mbulimin e të gjitha shpenzimeve administrative dhe financiare për veprimtarinë e Agjencisë, sipas buxhetit të miratuar nga Autoriteti Mbikëqyrës;
d) shlyerjen e detyrimeve, kredive dhe huave të marra për përmbushjen e qëllimeve të përcaktuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c” të këtij neni,”.
Neni 13
Pas nenit 21 shtohet neni 21/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 21/1
Administrimi i mjeteve financiare
1. Mjetet likuide të Agjencisë investohen vetëm në:
a) tituj të emetuar nga qeveria e Republikës së Shqipërisë ose Autoriteti Mbikëqyrës, në lekë dhe në monedhë të huaj;
b) tituj të emetuar nga qeveritë ose bankat qendrore në monedhë të huaj të cilat konsiderohen të sigurta nga agjenci për vlerësimin e riskut të njohura ndërkombëtarisht;
c) tituj të emetuara nga institucionet financiare ndërkombëtare;
ç) depozita me interes në Autoritetin Mbikëqyrës.
2. Titujt e blerë nga Agjencia nuk duhet të jenë me maturitet më shumë se një vit që nga momenti i fitimit të pronësisë nga Agjencia.
3. Agjencia administron mjetet e saj financiare me qëllim që:
a) të eliminojë shpenzimet e pajustifikuara administrative dhe operacionale;
b) të administrojë mjete financiare në investime në instrumente financiare me nivel të pranuar rreziku dhe shlyerjeje;
c) të garantojë plotësimin, në çdo kohë, të nevojave për mjete financiare likuide të Agjencisë;
ç) të zvogëlojë koston e oportunitetit dhe minimizimin e rrezikut të zhvleftësimit të mjeteve financiare të Agjencisë nga luhatja në këmbimet valutore.
d) të shlyejë në kohë detyrimet.
4. Me qëllim administrimin e mjeteve të saj financiare sipas qëllimeve të parashikuara në pikën 3, të këtij neni, Agjencia mund të shesë me detyrim riblerjen e tyre, instrumente të detyrimeve të emetuara nga Ministria e Financave, sipas kushteve të miratuara nga Këshilli Drejtues i Agjencisë dhe Autoriteti Mbikëqyrës.
5. Ministria e Financave, Autoriteti Mbikëqyrës dhe Agjencia hyjnë në marrëveshje ndërmjet tyre për detyrime të parashikuara sipas pikës 4 të këtij neni, lidhur me sigurimin e mjeteve financiare të nevojshme për kryerjen e procesit të kompensimit nga Agjencia.
6. Agjencia e Sigurimit të Depozitave mban llogari pranë Autoritetit Mbikëqyrës.
7. Agjencia e Sigurimit të Depozitave mban në llogari të ndryshme, pranë Autoritetit Mbikëqyrës, mjetet financiare për depozitat e siguruara në bankat dhe degët e bankës së huaj dhe mjetet financiare për sigurimin e depozitave në shoqëritë e kursim kreditit, në kuptim të nenit 20, të këtij ligji.
8. Pagesat e kontributit fillestar, pagesat e primit vjetor të sigurimit të depozitave si dhe pagesat e kontributit të veçantë nga subjektet e siguruara do të derdhen në lekë në llogaritë përkatëse të Agjencisë pranë Autoritetit Mbikëqyrës.”.
Neni 14
Në nenin 24, pika 7, termi “... bankë e porsalicencuar....” zëvendësohet me “... subjekt i porsalicencuar....”.
Neni 15
Neni 25 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 25
“Kontabilizimi i kontributeve dhe i primeve” :
1. Kontributet fillestare, primet vjetore dhe kontributet e veçanta llogariten si shpenzime të subjekteve të siguruara.
2. Kontributet fillestare, primet vjetore dhe kontributet e veçanta nuk rimbursohen, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë ligj.”.
Neni 16
Pas pikës 3, të nenit 30, shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Në rastin e transferimit të disa ose të të gjitha aktiveve dhe detyrimeve të bankës tek një bankë tjetër ose një bankë-urë, përfshirë në çdo rast totalin e depozitave të siguruara, në rast se ky transferim bëhet në bazë të urdhrit të Autoritetit Mbikëqyrës para, gjatë kujdestarisë ose likuidimit, nuk është e nevojshme të merret miratimi i aksionarëve, depozituesve, kreditorëve ose palëve të treta.”.
Neni 17
Në nenin 31 shtohen këta paragrafë:
“Shoqëritë e kursim kreditit, brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, marrin të gjitha masat e nevojshme për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga ky ligj dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.
Të gjitha depozitat e anëtarëve individë në shoqëritë e kursim kreditit do të sigurohen sipas dispozitave të këtij ligji, pas kryerjes se pagesës së kontributit fillestar sipas njoftimit të Agjencisë.”.
Neni 18
Pas pikës 3, të nenit 32, shtohen pikat 4 dhe 5, me këtë përmbajtje:
“4. Ngarkohet Agjencia e Sigurimit të Depozitave që brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, t’i propozojë për miratim Autoritetit Mbikëqyrës kuadrin rregullator në lidhje me përfshirjen e shoqërive të kursim kreditit në skemën e sigurimit të depozitave, pranimin dhe përfundimin e sigurimit të depozitave, përjashtimin dhe dënimin sipas dispozitave të parashikuara në këtë ligj.
5. Jo më vonë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë kalendarike nga miratimi i kuadrit rregullator, sipas pikës 4, të këtij neni, Agjencia njofton shoqëritë e kursim kreditit për politikën e sigurimit të depozitave dhe i udhëzon për shumën e kontributit dhe të primit vjetor fillestar që ato do të paguajnë për Agjencinë. Shuma e primit fillestar vjetor është proporcionale me periudhën e mbetur sipas njoftimit të Agjencisë.”.
Neni 19
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI (ÇOBA)
***
PËR
RISHPËRNDARJE FONDESH PËR SHPENZIME KAPITALE, NDËRMJET PROGRAMEVE, BRENDA BUXHETIT TË VITIT 2012, MIRATUAR PËR MINISTRINË E MJEDISIT, PYJEVE DHE ADMINISTRIMIT TË UJËRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.10 487, datë 5.12.2011, “Për buxhetin e vitit 2012”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Rishpërndarjen e fondeve për shpenzime kapitale, ndërmjet programeve brenda buxhetit të vitit 2012, miratuar për Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, si më poshtë vijon :
a) Në programin “Administrimi i pyjeve”, për projektin “Zhvillimi i burimeve natyrore”, për kosto lokale, të shtohet fondi në vlerën 1 657 705 (një milion e gjashtëqind e pesëdhjetë e shtatë mijë e shtatëqind e pesë) lekë.
b) Në programin “Mbrojtja e mjedisit”, për projektin “Transformimi i tregut për panelet diellore (Ndryshimet klimatike)”, për kosto lokale, të pakësohet fondi në vlerën 1 657 705 lekë (një milion e gjashtëqind e pesëdhjetë e shtatë mijë e shtatëqind e pesë) lekë.
2. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE NË KOMUNËN SHOSH, TË QARKUT TË SHKODRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 8, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që janë në juridiksionin, territorial dhe administrativ, të komunës Shosh, të qarkut të Shkodrës, sipas propozimit të paraqitur nga këshilli i kësaj komune.
Lista me 84 (tetëdhjetë e katër) fletë, që i bashkëlidhet këtij vendimi, përfundon me numrin rendor 596 (pesëqind e nëntëdhjetë e gjashtë).
2. Ndryshimet, që mund t’i bëhen listës gjatë periudhës së afishimit, të pasqyrohen në listën përfundimtare të pronave, e cila miratohet nga Këshilli i Ministrave.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROJEKTDOKUMENTIT TË PROGRAMIT BUXHETOR AFATMESËM, 2013 - 2015
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 25, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e projektdokumentit të programit buxhetor afatmesëm, për periudhën 2013 - 2015, sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, TË CILAT PREKEN NGA NDËRTIMI I VARREZAVE PUBLIKE, NË KOMUNËN BUSHAT, TË QARKUT TË SHKODRËS SHPRONESIMIN PER INTERES PUBLIK TE PASURIVE TE PALUAJTESHME, SHPRONESIMIN PER INTERES PUBLIK TE PASURIVE TE PALUAJTESHME, TE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i varrezave publike, në komunën Bushat, të qarkut të Shkodrës.
2. Shpronësimi bëhet në favor të komunës Bushat.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen sipas tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për sipërfaqen 2 500 (dy mijë e pesëqind) m², tokë arë, në masën 777 500 (shtatëqind e shtatëdhjetë e shtatë mijë e pesëqind) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit përballohet nga buxheti i komunës Bushat, sipas planifikimit përkatës.
5. Afati i përfundimit të procedurës së shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
6. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga komuna Bushat.
8. Regjistrimi i ri i pasurisë prej 2 500 (dy mijë e pesëqind) m², tokë arë, shpronësuar në favor të komunës Bushat, të bëhet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
9. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe komuna Bushat, e qarkut të Shkodrës, për ndjekjen e zbatimit të këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.742, DATË 8.9.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË KOMUNËS DRENOVË, TË QARKUT TË KORÇËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.742, datë 8.9.2010, të Këshillit të Ministrave, të shtohen pronat me nr.574 - 575 (pesëqind e shtatëdhjetë e katër - pesëqind e shtatëdhjetë e pesë), gjithsej 2 (dy) prona, sipas lidhjes 1 dhe formularit, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë dhe komuna Drenovë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.948, DATË 2.9.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË KOMUNËS GRADISHTË, TË QARKUT TË FIERIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.948, datë 2.9.2009, të Këshillit të Ministrave, shtohen pronat me nr.291 - 294, sipas lidhjes 1 dhe formularëve, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen ministri i Brendshëm, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë dhe komuna Gradishtë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
04/07/2012