Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryeministri u ndal në 3 çështje kryesore.
Së pari, Kryeministri trajtoi vendimin e qeverisë për rritjen e rrogave që u konkretizua në muajin korrik, duke theksuar se ky vendim ishte përmbushja e njërit prej premtimeve më madhore të kësaj mazhorance. Suksesi i këtij vendimi qëndron në faktin se kjo rritje është bërë dhe bëhet duke mos marrë qoftë edhe një qindarkë borxh për këtë gjë, theksoi kryeministri.
Së dyti, Kryeministri u ndal në diskutimet qe po zhvillohen në komisionin parlamentar për reformën zgjedhore, një tematikë kjo që, siç theksoi kryeministri, duket se po shkon drejt zgjidhjes.
Kryeministri foli dhe për diskutimet për çështjen e heqjes se imunitetit. Kryeministri shprehu besimin se, propozimi i deputetëve të koalicionit qeverisës për heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë dhe gjyqtarët, e cila vlerësohet si një reformë jashtëzakonisht e rëndësishme e thelbësore në luftën kundër korrupsionit, do të miratohej nga opozita, pasi mazhoranca ka çuar për votim në Parlament variantin e mbështetur publikisht nga vet opozita, qysh nga viti 2005 e më tej, pra, variantin me ndryshimin e Kushtetutës.
Së treti, Kryeministri i njohu deputetët e grupit parlamentar demokrat me dy ligje të amenduara që qeveria do të sjellë në Kuvend, në kuadër të luftës kundër korrupsionit; ligjin kundër konfliktit të interesit dhe ligjin për deklarimin e pasurive, të hartuar me ekspertë të shquar dhe me pjesëmarrjen aktive të institucioneve respektive. Kryeministri uroi që këto dy ligje të mbështeten nga opozita, pasi ai u shpreh i sigurt se me këto ligje, lufta kundër korrupsionit dhe përpjekja për transparencë, do të njohë nivele të reja.
Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri Berisha u shpreh:
Së pari, siç u informuat, në mbledhjen e fundit qeveria vendosi rritjet e rrogave dhe ky ishte përmbushja e njërit prej premtimeve më madhore të kësaj mazhorance, e cila me këtë vendim mbetet njëra nga më të paktat qeveri në Evropë, e më gjerë, që rritën pensionet. Rritja e rrogave është bërë dhe bëhet duke mos marrë qoftë edhe një qindarkë borxh për rritjen e tyre. Tremujori i parë i vitit regjistrohet si më të vështirët, për disa arsye madhore, njëra prej të cilave ishte dimri i thellë që paralizoi të gjithë Shqipërinë, ose në 70 për qind të sipërfaqes së saj. Faktori i dytë ishte situata e rëndë e krijuar nga thatësira, ku ndonëse vendi mbulohej nga metra dëborë, digat kanë qenë në nivelet më të ulëta historike të tyre dhe prodhimi i energjisë, nga marsi i vitit të kaluar, ne marsin e këtij viti, ka qenë më i ulët se kurrë, gjithsej 3.1 miliardë kilovat/orë, kundrejt 7.2 miliardë kilovat/ore që ishte në një vit rekord, vitin pararendës dhe kundrejt rreth 6 miliard kilovat/orë që është prodhimi mesatar i digave.
Të gjithë këta faktorë dhe kriza e thellë që pllakosi vendet përreth, natyrisht, krijuan një vështirësi serioze në 3 mujorin e parë, por vështirësi e cila po kapërcehet në mënyrën më të sigurt në tremujorin e dytë e të tretë. Është kjo performancë e këtyre tremujorëve, që bëri të mundur të marrim vendimin e rritjes së rrogave dhe pensioneve, në përputhje të plotë me premtimin e bërë. Rikujtoj këtu se vende të zhvilluara në rajon, këtë vit, kanë vendosur të ulin me 40 për qind rrogat e pensionet. Rikujtoj këtu se vendi fqinj po bën shkurtimet më drastike për të përballuar me shpenzimet buxhetore nevojat e tij. Rikujtoj këtu se kjo rritje bëhet duke mos rritur borxhin dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Me këtë rritje, sërish Shqipëria le pas, bazuar në rrogën mesatare, dy vende të Bashkimit Evropian dhe në trendin që duket, do të lerë edhe më shumë se kaq, vitin që vjen.
Të nderuar deputetë! Një raport i botuar nga Organizata Botërore e Tregtisë, që është edhe institucioni më serioz dhe më prestigjioz për evidentimin e investimeve të huaja direkte, shpall se Shqipëria, edhe në vitin 2011, mori investime direkte të huaja më shumë se çdo vend tjetër i rajonin, krahasuar me proporcionin, pra shumë prej 1 miliardë e 30 milionë dollarë. Këto investime, para së gjithash, janë dëshmi e mjedisit të favorshëm të krijuar për investimet e huaja, përmirësimit të vazhdueshëm të klimës së biznesit, funksionimit të ligjit dhe të sistemit tatimor të vendit, janë dëshmi e një barre burokratike gjithnjë e në zvogëlim që investitorët e huaj gjejnë në Shqipëri.
Por 1 miliardë dollarë investime janë gjithashtu dëshmi e krijimit të dhjetëra e mijëra, në mos më shumë, vende pune në këtë vend, gjatë vitit që shkoi. Një vend pune zakonisht konvertohet me 10 mijë euro, por kjo varet sipas sektorit. E vërteta është se Shqipëria, në sajë të investimeve të fuqishme që merr, është vendi që ka një papunësi në zvogëlim, apo të kontrollueshme. Duhet të kemi parasysh se, në dallim nga vendet e tjera, ne kemi 2 faktorë që ndikojnë fuqishëm në problemin e punësimit; faktori i parë janë qytetarët që hyjnë në moshën e punësimit në qytete, faktori i dytë është lëvizja e lirë dhe fluksi shumë i madh që vjen nga zonat rurale, në të cilat vendi ka sot rreth 46 për qind të popullatës. Ne duhet të jemi të përgatitur që ky faktor do të veprojë fuqishëm, të paktën edhe për 20 vitet e ardhshme. Sido qoftë, pavarësisht nga veprimi i fuqishëm i tij, falë investimeve të huaja, këto 3 vitet e fundit, në më shumë se 1 miliardë dollarë - dhe këto janë vetëm investime të huaja dhe nuk përfshijnë investimet e sektorit privat shqiptar, i cili përllogaritet të jetë afërsisht 2 herë më i madh -, pra falë këtyre investimeve, janë krijuar dhe po krijohen dhjetëra mijëra vende pune. E vërteta është se, në Shqipëri, ka një ulje të moderuar të papunësisë, ose kontroll rigoroz të saj.
Qeveria po përgatit një seri masash të tjera, në mënyrë që investimet e huaja për vitet e ardhshme të njohin një shkëputje të re. Raporti i UNCTAD-it konkludon se Shqipëria ka marrë investime edhe mbi kapacitetet e saj. Por kapacitetet e saj janë për t’u zhvilluar dhe ne do të bëjmë gjithçka që të zhvillojmë të gjitha kapacitetet e vendit, për të thithur edhe më shumë investime të huaja.
Dy janë projektet gjigande që fillojnë vitet e ardhshme, secili prej tyre me mbi 1 miliardë euro investim; njëri prej tyre, në rast se vendoset përfundimisht, është Gazsjellësi Trans-Adriatik dhe tjetri që është i vendosur përfundimisht, Kaskada e Devollit.
Ndërkohë, qeveria po konsideron investime të tjera të mëdha dhe krijimin e zonave industriale, zonave ekonomike, të cilat janë mirëpritur nga bizneset e vendeve të mëdha të Azisë, Kinës, e vendeve të tjera.
Në këtë takim, unë dua t’ju informoj edhe për problemin madhor që kemi në diskutim, reformën zgjedhore.
Në komisionin e reformës zgjedhore, dua t’ju informoj se ne kemi bërë të gjitha përpjekjet për kompromisin më të gjerë të mundshëm, gjykojmë ne, lëshimet tona të mundshme, për të cilat nuk kam keqardhje dhe, në tërësi, tematika duket se po shkon drejt zgjidhjes. Është rënë dakord që studimi pilot për sistemin elektronik, sipas kërkesës së socialistëve, të përfshijë rreth 20 për qind të zgjedhësve, 20 për qind për numërimin dhe 20 për qind për identifikimin e kartës. Komisioni do të përcaktojë të gjitha rregullat se si do të veprohet, në rast se makineria dështon. Unë isha në Dubrovnik dhe hapësira ajrore Bavareze u bllokua për rreth 5 orë, për shkak të kompjuterit. Unë pata fat se ai bllokim nisi pasi unë u ula në Mynih, ndërkohë që avionët e tjerë u devijuan në aeroporte të tjera. Kështu që, sado t’i kemi besim hight tech-ut, më shumë besim duhet t’i kemi njeriut. Ndaj edhe ne kemi rënë dakord për 20 për qindëshin dhe do të përcaktojmë rregullat nëse do të ketë defekte, të cilat ndonjëherë janë edhe të pashmangshme, në mënyrë që procedura të vazhdojë pa ndërprerje, në mënyrë konvencionale.
Po kështu, në përgjithësi, është rënë dakord edhe për probleme të tjera.
Një çështje madhore që është në diskutim, është çështja e imunitetit. Unë, edhe njëherë, e ftoj zotin Rama që të vendosë për heqjen e imunitetit, pasi mazhoranca ka dërguar në Parlament variantin të cilin opozita e ka mbështetur publikisht dhe ky është varianti me ndryshimin e Kushtetutës. Unë e kuptoj që kundër këtij vendimi janë absolutisht ata të cilët kanë frikë nga vetja e tyre dhe, frikë nga vetja e tyre kanë ata që përzihen në gjëra që nuk duhet të përzihen. Pra, unë e ftoj zotin Rama ta votojë, sepse ne kemi sjellë në Parlament variantin që ka kërkuar vet opozita. Ndërsa, pretendimet që lexoja sot në media, në qoftë se janë të vërteta, janë absurde, sepse të kërkosh të votohet gjykatësi me 3/5, ndërkohë që Presidenti i Republikës votohet me 50+1, do të thotë të tallesh dhe të përpiqesh ta bllokosh këtë proces, do të thotë të dëgjosh “këshillin e miliarderëve” dhe jo zërin e qytetarëve, sepse në mënyrë absolute, nuk ka asnjë qytetar shqiptar, qoftë ai i pa parti, demokrat, socialist, apo i çdo lloj force politike, që nuk do të votonte me gjithë zemër për heqjen e imunitetit të zyrtarëve për disa vepra të caktuara. Kjo është gjëja më evidente. Por, kur përdoren pretekste të cilat nuk qëndrojnë, atëherë mbetesh i vetmi njeri, apo të vetmit njerëz, që kërkoni të mbani qeveri me imunitet, kërkoni të mbani ministra me imunitet, kërkoni të mbani deputetë me imunitet. Dhe këtë nuk e bëni për interesa tuajat. Sigurisht jo, por bëhet thjesht, strikt, për interesat e një grupi të ngushtë në krye të kupolës së partisë.
Unë uroj dhe dëshiroj që heqja e imunitetit të mos jetë një çështje për kapital politik, nga asnjëra palë, por të jetë një çështje të cilën, në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë, të gjitha palët ta votojmë dhe të heqim këtë lak që rëndon çdo ditë qytetarët shqiptarë dhe institucionet shqiptare. Ato lajme të dhëna nga shtypi, do të doja shumë dhe shpresoj që të jenë lajme të stisura dhe jo të vërteta, pasi ne në Parlament kemi paraqitur variantin që ka kërkuar opozita dhe kemi hequr dorë nga varianti ynë. E kemi bërë këtë vetëm e vetëm që të arrijmë në një përfundim të përbashkët. Kur njëra palë nuk lëshon, pala tjetër do përpiqet të lëshojë. Nëse do t’u kërkonim atyre ta realizonim sipas variantit tonë, edhe konsultës së Komisionit të Venecias, ata, për shkak se iniciativa është e shumicës, do ta refuzonin.
Tani, iniciativa e dërguar në Parlament, është iniciativë e Këshillit të Evropës, por është edhe iniciativë, nga viti 2005 e më tej, e mbështetur, e deklaruar nga opozita shqiptare. Uroj që ta mbajnë fjalën dhe ta votojnë. Ky do të ishte një lajm shumë pozitiv dhe një hap i madh përpara për qytetarët shqiptarë, edhe në rrafshin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve, sepse do të barazonte qytetarët shqiptarë para ligjit, për disa çështje madhore të jetës dhe veprimtarisë së tyre.
Të nderuar deputetë,
Qeveria do të sjellë tek ju, në kuadër të luftës kundër korrupsionit, dy ligje të amenduara tërësisht; ligjin kundër konfliktit të interesit dhe ligjin për deklarimin e pasurive. Këto ligje janë hartuar me ekspertë të shquar dhe me pjesëmarrjen aktive të institucioneve respektive. Ne do të bëjmë gjithçka që të thellojmë më tej procesin e transparencës dhe konsolidimin e institucioneve përkatëse, në garantimin e transparencës, si në fushën e konfliktit të interesit, ashtu edhe në fushën e deklarimit të pasurive të zyrtarëve që tashmë do të shtrihet edhe në nivelin e drejtorëve rajonalë, një praktikë kjo e sugjeruar nga ekspertë të kontraktuar për luftën kundër korrupsionit. Uroj që këto dy ligje të mbështeten nga opozita dhe jam i sigurt se, me këto ligje, lufta kundër korrupsionit dhe përpjekja për transparencë, do të njohë nivele të reja.
Faleminderit”.
09/07/2012