Këshilli i Ministrave miratoi sot, Aktin Normativ për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat e ish pronë e subjekteve të shpronësuara.
Kryeministri kërkoi zbatimin me rigorozitet dhe përgatitjen e të gjitha agjencive përgjegjëse për zbatimin e Aktit, pasi, theksoi Kryeministri, “është tejkaluar çdo limit”.
Kryeministri bëri të ditur se qytetarët që janë strehuar në banesa të shpronësuara do të kenë të drejtën e përfitimit të kredisë me zero interes dhe qeveria do të marrë përsipër pagesën e interesave bankare. Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve që në një akt moral, t’i lirojnë këto banesa.
“Të nderuar qytetarë që banoni në banesa të shpronësuara, konfiskuara apo shtetëzuara nga regjimi diktatorial, nuk mund të vazhdohet më tutje. Duhet me çdo kusht t’u lirohen shtëpitë dhe ky akt normativ imponon lirimin në afatin e caktuar, me të gjitha mjetet e ligjit, të banesës. Sikundër jepet kredi me zero interes për ju, për strehim. Qeveria ka vendosur të marrë përsipër të paguajë interesat bankare për ju. Do të ishte shumë e preferuar që ky të ishte një akt, në të cilin të mos kishte nevojë të ndërhyjë forca e ligjit për zbatimin e tij, por të ishte forca e moralit që do të bënte që ai të zbatohej me shpejtësi. Përndryshe ligji do të zbatohet.”
01/08/2012