Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 
Kryeministri
Prof. Dr. Sali Berisha

 
Kabineti Qeveritar

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
 
Weekly News
 
Fjala e Kryeministrit tė Shqipėrisė dhe Kryetarit tė Partisė Demokratike, Prof.Dr.Sali Berisha mbajtur me rastin e 18 vjetorit tė themelimit tė PD-sė
 

Qytetare e qytetarë,

Shkëlqesi ambasadorë,

Përfaqësues të trupit diplomatik,

Të nderuar miq e të ftuar,

Zonja Kryetare e Kuvendit,

Zotërinj ministra,

                                          Vëllezër e motra,

                                          Zonja dhe zotërinj,

 

Së pari, dëshëroj t’ju përshëndes ju përzemërsisht, të përshëndes të gjithë shqiptarët që kremtojnë sot, sw sëbashku, ditën e pluralizmit politik, ditën e themelimit të Partisë Demokratike, partisë së parë të vërtetë opozitare në historinë e gjatë të kombit tonë. Jo të pakta janë kombet e qytetëruara që nuk kremtojnë një ditë të tillë e aq më pak, të kremtojnë ditën e themelimit të një force politike. Dhe kjo, jo se ata nuk kanë memorie historike, por sepse ata kanë nje histori të gjatë lirie. Ndërsa ne, shqiptarët, megjithë sakrificat tona mbinjerëzore në udhëtimin e mundimshëm të mbijetesës sonë prej shekujsh gjer në vitin ’90, nuk kishin arritur tëkëndonim këngën e lirisë.

Kështu që themelimi, 18 vjet më parë, i Partisë Demokratike, si parti e përmbysjes së sistemit diktatorial më mizor në Europë dhe zëvëndësimit të tij me sistemin demokratik, si parti e interesit kombëtar të shqiptarëve, e lirive dhe të drejtave njerëzore, e tregut të lirë, e emancipimit kombëtar dhe e vokacionit perëndimor të kombit shqiptar, integrimit europian dhe euroatlantik të vendit, shënon dhe ditëlindjen e lirive dhe dinjitetit tonë njerëzor, por dhe një ndër ditët më të rëndësishme për kombin dhe vendin tonë.

 

                                                Gëzuar festën, ditëlindjen e lirive tona!

 

                Në të vërtetë, sot ne nuk kremtojmë thjesht themelimin e një partie, por sot ne kremtojmë themelimin e pluralizmit politik, lokomotivën e demokracisë dhe të qytetërimit të sotëm botëror. Historia e zhvillimit të qytetërimit të sotëm ka provuar se, pa pluralizëm politik nuk ka dhe nuk mund të ketë sistem demokratik, nuk ka dhe nuk mund të ketë sistem demokratik. Vërtetë pluralizmi politik është  njëshi kolektiv, por duke patur në thelbin e tij lirinë e individit, për fjalën e lirë dhe shprehjen e bindjeve të tij, duke pasur në thelbin e tij lirinë dhe të drejtën e individit për t’u grupuar në forca politike të përzgjedhura me vullnetin e tij, për t’u ftuar brenda tyre për realizimin aspiratave, bindjeve dhe ëndërrave të tij, pluralizmi politik është vetë individi i lirë, është vetë thelbi i shoqërisë së lirë.

 

Kështu që dita e sotme për çdo qytetar shqiptar, aq sa është historike për liritë, të drejtat dhe dinjitetin e tij individual, po aq historike dhe e rëndësishme është për kombin, vendin,  për lirine dhe sovranitetin e vërtetë të tyre.

 

Një shtetar i madh do të shkruante se “sovraniteti dhe demokracia janë e njëjta gjë.” Në realitet, në mungesë të demokracisë, pra, të lirive individuale për qytetarët,  sovraniteti është si ai lisi i thatë pa degë, kurse liria kombëtare pa lirinë individuale, ngjason tërësisht me shkretëtirën pa jetë. Ne, shqiptarët, më hidhur se kushdo tjetër provuam se, pavarësia pa demokracinë de facto është shtypje, poshtërim, nënshtrim individual dhe kombëtar, pra, thjesht dhe realisht nuk është pavarësi. Në këtë drejtim, data e themellimit të PD-së dhe e themelimit të pluralizmit politik kanë për Shqipërinë rëndësi realisht të njejtë më ditën e pavarësisë së saj.

 

                Por, përveç këtyre, çdo shqiptar feston sot gjithashtu ditën e themelimit 18 vjet më parë, të partisë së interesit të tij kombëtar, që është dhe duhet të mbetet interesi i parë për çdo shqiptar. Partia Demokratike do të faktohej forca politike që do t’i jepte fund sundimit barbar të Partisë Komuniste Shqiptare, të themeluar më 8 nëntor të vitit 1941 nga Beogradi, si seksion i partisë së tij, për qëllime dhe interesa tërësisht antishqiptare. Parti, e cila do të zhyste vendin në izolimin më të thellë në historinë e tij, do ta shkëpuste atë tërësisht nga trungu i tij perëndimor, do të nxiste armiqësinë dhe luftën barbare të klasave midis shqiptarëve. Partia Demokratike, në ditën e parë të themelimit të saj, shpalli interesin e çështjen kombëtare si yllin e saj polar, integrimin euroatlantik të vendit, rikthimin e Shqipërisë në trungun dhe gjirin e familjes së kombeve dhe vendeve që ajo i përkiste.

 

Zonja dhe zotërinj,

Dita e themelimit të Partisë Demokratike dhe pluralizmit politik më 11 dhjetor,  në ora 23:00 të natës të vitit 1990, mund të quhet dita e shpëtimit dhe e shpresës së madhe, dita e rilindjes së vërtetë të dytë kombëtare. Ne, shqiptarët, erdhëm në vitin ‘90 të shekullit të kaluar si kombi që kishte përjetuar pushtime të gjata, copëtime të padrejta, si kombi që, në tërë historine e tij mijëra vjeçare, nuk kishte njohur, provuar pluralizëm politik, lirinë dhe epërsinë e vlerave të saj, pasurinë e saj të pafund. Në vitin ’90, ne erdhëm si në vitin zero të pluralizmit në tërësi, si në vitin e totalitarizmit më total, që Europa kishte njohur në tërë historinë e saj. Regjimi diktatorial i Enver Hoxhes shkatërroi të gjitha format e tjera të pluralizmit, shkatërroi pluralizmin politik, fetar, kulturor, ekonomik.

 

                Sistemi komunist u faktua si eksperimenti më tragjik, më represiv që njerëzimi kishte njohur që nga rendi skllavo-pronar gjer sot. Ky sistem, në regjimin e Enver Hoxhës, afërisht si në ato të Pol Potit dhe Kim Ir Senit, njohu variantin më barbar, më totalitar. Doktrina hoxhiste ishte kalvari dhe inkuizicioni më i egër që shqiptarët kishin përjetuar në tërë ekzistencën e tyre. Enver Hoxha dhe klika e tij zhvendosi Shqipërinë dhe shqiptarët në hapsirën e antivlerës, absurdit dhe të paimagjinueshmes.

 

Me dorë të hekurt, ai ekzekutoi pa gjyqe apo me farsë gjyqesh politike, dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë, burgosi dhe internoi qindra dhe mijëra të tjerë, duke i ndëshkuar ato për faj kolektiv për fjalën e lirë, besimin tek Zoti, vokacionin perëndimor të tyre e të kombit. Dhe sot e kësaj dite, për qindra dhe mijëra prej tyre as varret nuk dihen. Nder për jetë atyre, të cilët qëndruan, u martirizuan për fjalën e lirë, besimin tek Zoti, besimin tek Shqipëria!

 

Në raport me popullatën, Shqipëria e Enver Hoxhës vinte e para në Europë dhe e dyta në botë, pas regjimit të Pol Potit në ekzekutimin individual dhe kolektiv të intelektualëve, klerikëve dhe qytetarëve të thjeshtë në persekutimin, torturën, burgosjen dhe internimin e tyre. Ajo numëronte disa herë më shumë të burgosur politikë dhe të internuar, burgje dhe gulagë të tmerreve të saj, se sa studentë, universitete,  shkolla të larta, spitale, qendra kulturore apo sportive në mbarë vendin. Shqipëria erdhi në vitin ’90, si vendi i vetëm në kontinent në të cilin fjala të drejta të njeriut ishte si herezi që meritonte dënim kapital, vendi në të cilin, edhe pas rënies së Murit të Berlinit, qindra e qindra të rinj u ekzekutuan në kufijtë e tij, vetëm e vetëm se donin të shijonin lirinë. Shqipëria ishte vendi i vetëm në Europë që nuk kishte firmosur Aktin e Helsinkit, vendi me zero disidencë reale.

 

Në kohën kur të tjerët ia dolën të organizojnë disidencat e tyre, kishin krijuar samizdakët e tyre të informimit, diktatori Ramiz Alia organizonte gjyqet politike për ekzekutime dhe vrasje publike të njerëzve të pafajshëm, financonte organizatat terroriste marksiste-leniniste në Afrikë, Amerikën Latine dhe vende të tjera.

 

Regjimi diktatorial i Enver Hoxhes,  këtij Hitleri të pas luftës, me dhunë dhe terror ia doli rrënojë dhe shkatërrojë me barbari vlerat e mëdha njerëzore dhe hyjnore të shqiptarëve. Kështu, besimin tek zoti dhe vlerat hyjnore e zëvëndësoi me besimin tek kulti i tij, tek hiçi dhe ateizmi i imponuar;

liria e fjalës dhe shprehjes së mendimit, dinjiteti i njeriut u zëvëndësua me censurën e autocensurën, depersonalizimin dhe konformizimin kolektiv;

inisiativa e lirë dhe prona private, puna e lirë u zëvëndësua me pronën shtetërore, kolektivizimin e tokës, punën e detyruar që gjeneronte çdo ditë varfëri dhe mjerim, sistemin e triskave dhe tallonave, ndërsa shumica e shoqërisë që jetonte në zonat rurale përjetonte urinë kronike, paguhej si skllevër mëditës me 20-30 lekë të vjetra në ditë;

kulturën perëndimore të kombit, trashëgiminë e madhe fetare kulturore mjëravjeçare e shkatërroi dhe e zevendësoi me qëndrat e emulacionit socialist, me pseudokulturën proletare;

elitën intelektuale perendimore e zëvëndësoi me pseudoelitën partiake si në asnjë vend tjetër të Europës, qytetarët shqiptarë u shndërruan nga qenie shoqërore në qënie shtetërore, ku liritë dhe të drejtat e tyre ishin të ndaluara  me Kushtetutë dhe diktatura mizore e tyre ishte shpallur po me Kushtetutë si forma më e kulluar e demokarcisë.      

 

U ndala shkurtimisht në të shkuarën tonë jo për të bërë histori, se atë duhet ta bëjnë historianët, sepse vizioni dhe e ardhmja janë misioni ynë, por u ndala në këto fjalë, sepse, ashtu siç thotë Churchill: “sa më larg të shohësh në të shkuarën, aq më larg dhe kthjellët do mund të shohësh e të përcaktosh të ardhmen”.

 

Zonja dhe Zotërinj,

Më 11 dhjetor, një orë para mesnate, me themelimin e Partise Demokratike nuk lindi vetëm pluralizmi politik dhe i mendimit, por rilindi pluralizmi i shkëlqyer fetar, u rikthye në Shqipëri Krishti dhe Muhamedi, rilindi shpresa dhe dinjiteti, rilindi pluralizmi kulturor, rilindi Fishta, Konica, Nicja, Kafka, Dostojevski, Mileri, Dolci, rilindi prona private dhe pluralizmi i saj, rilindi kombi dhe shpirti i tij perëndimor. Rroftë kombi shqiptar!

 

Studentët, me në krye Tribunin legjendar Azem Hajdari, intelektualët, pedagogët, punonjësit dhe punëtorët e Tiranës që themeluan 18 vjet më parë Partinë Demokratike, zhvilluan në sheshet dhe rrugë e Tiranës me diktaturën më të egër në Europë, një betejë epike, që ngjasonte me betejën e Davidit me Goliathin dhe e gjunjëzuan atë. Ata fituan, sepse kishin marrë vendimin më të rëndësishëm që mund të marë njeriu në jetën e tij – vendimin për mbrojtjen e lirisë. Për ata,  liria ishte e para. Zoti i bekoftë!

 

Azem, ti je gjalle!

Nder për jetë të gjitha atyre që themeluan Partinë Demokratike dhe pluralizmin politik në Shqipëri! 

 

Me themelimin e Partisë Demokratike dhe pluralizmit politik në Shqipëri 18 vjet më parë, ne hapëm dyert e mbyllura të lirisë për shqiptarët, hodhëm themelet e pluralizmit politik, sistemit demokratik dhe shoqërisë së lirë. Por studentët dhe intelektualët, punonjësit dhe qytetarët që themeluan pluralizimin 18 vjet më parë, lirinë e shumëpritur nuk e kishin njohur, sepse nuk e kishin jetuar atë as një orë, as edhe një ditë. Ajo jetonte si ideal, aspiratë, ëndërr, shpresë në shpirtin dhe zemrat tyre hyjnore.

 

Për shumicën e shqiptarëve, luleborën e dhjetorit të vitit ’90 do ta ngrinin dhe thanin me shpejtësi ngricat e dimrit, ngricat e regjimit. Javën e parë, pas themelimit të saj, Partia Demokratike do të shpallej nga diktatori si armike e popullit shqiptar. Ai mobilizoi të gjithë potencialin, terrorin e tij kundër saj. Ramiz Alia dhe Sllobodan Milosheviçi shkrinë, bashkërenduan shërbimet dhe përpjekjet e tyre, ndihmuan njëri-tjetrin me të gjitha mënyrat që Shqipëria dhe Serbia të zëvendësonin me shpejtësi pluralizmin politik me pluralizmin burokratik. Të dy ata shpallën subjekte politike elektorale levat e partive si motra, por që në fakt ishin si nënë e bijë, pra, organizatat e rinisë, gruas, frontit, sindikatave.

 

Por, themeltarët për të cilët liria ishte e para, kishin në shpirtin e tyre shpresën për ta mbrojtur, zhvilluar dhe konsoliduar atë. Liria e sapolindur e dhjetorit jo vetëm nuk u tha, por, përkundrazi, aroma e saj u përhap me shpejtësi të madhe në rrugicat, rrugët, sheshet, kopshtet, fushat, kodrat, malet e Shqipërisë, në mbarë qytetet dhe fshatrat e saj, pushtoi mendjen dhe zemrën e njerëzve më të shtypur të kontinentit. Lëvizja Demokratike e Dhjetorit ’90 do të shndërrohej me shpejtësi në uraganin më të fuqishëm të lirisë që ky vend kishte njohur ndonjëherë. Në mijëra e mijëra takime, mitingje, demostrata, protesta dhe greva, ajo do të shënonte më 22 Mars të vitit 1992 fitoren më të thellë dhe historike ndaj diktaturës staliniste dhe do t’i hapte rrugën e formësimit, ndërtimit të Shqipërisë së shekullit e mijëvjeçarit të ri.

 

Por në ndërtimin e saj, themëltarët dhe qindra e mijëra të rinj, intelektualë, punonjës, qytetarë që u bashkuan me ta, kishin vetëm shpresën si energji për të shdërruar në realitet projektin e tyre, kishin vokacionin perëndimor të kombit shqiptar dhe botën e lirë që si magnet i tërhiqte çdo ditë ata.

 

Ato ditë historike, rinia dhe inteligjenca shqiptare, çanë bunkerin e izolimit dhe hapën dyert e mbyllura të Europës dhe perëndimit për Shqipërinë, por kombi kishte ecur 50 vjet në rrugë pa krye, madje në drejtim të kundërt dhe në humbëtirë. Kështu që, edhe rrugën nuk e dinim. Por ne kishim ëndrrën tonë, kishim vokacionin e lindur perëndimor të kombit tonë, shpresën si dritë për të gjetur dhe ecur në rrugën që kishim humbur gjysëm shekulli më parë.

 

Ata që themeluan pluralizmin politik dhe Partinë Demokratike, nxorrën Shqipërinë nga bunkeri i izolimit të thellë dhe do të ishin opozitarët e parë në Europën ish-komuniste që do të shpallnin se projekti i tyre ëndërr ishte Shqipëria në NATO. Asokohe ne ishim i vetmi vend që kishim derdhur mallkime, sharje dhe propagandën më të egër ndaj NATO-s, por ne kishim besimin tonë të pathyer tek Aleanca e lirisë, shpresën si pishtarin e rrugës sonë drejt saj.

 

Ne që 18 vjet më parë shpallëm se Partia Demokratike do të jetë parti e tregut të lirë, nuk njihnim pronën private, privatizimin, liberalizimin apo lirinë e tregut. Por ne kishim ëndrrën tonë të inisiativës së lirë të qytetarit pronar dhe e dinim se sistemi që do të ndërtonim kishte në themel punën e lirë, pronën private që kishte shoqëruar në shekuj e mijëvjeçarë shqiptarët.

 

Zonja dhe Zotërinj,

 

Ne vërtet guxuam dhe fituam, por ne sot përulemi me nderimin më të thellë, mirënjohjen më të madhe ndaj të gjithë miqve tanë në Europë dhe në botë, për mbështetjen e fuqishme që i dhanë lëvizjes sonë.

                      

                     Ne sot  i shprehim mirënjohjen më të thellë qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidenti Xhorxh senior, Presidentit të senatit amerikan, Kongresit dhe Senatit amerikan, Institutit Kombëtar Demokratik dhe Institutit Republikan amerikan, Departamentit të Shtetit, Zërit të Amerikës për mbështetjen  e jashtëzakonshme që i dhanë forcave demokratike, nga themelimi deri në fitoren e tyre dhe më vonë. Po kështu, ne u shprehim sot mirënjohjen më të thellë Parlamentit Europian, Këshillit të Europës, partive simotra të Austrisë, Italisë, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe shumë e shumë miqve të tjerë në mbarë botën, për mbështetjen e madhe që i dhanë lëvizjes sonë.                 

    

                 Nderim të thellë për liderin legjendar të studentëve të dhjetorit, i cili, nga dita e parë e themelimit të kësaj partie, u shndërrua në simbolin e zjarrtë të vrasjes së frikës në çdo zemër, në çdo vatër shqiptare.

Azem ti je gjallë!

Nderim të thellë dhe mirënjohje për të gjithë ata të rinj shqiptarë: nga Artan Lenja  tek Arben Broci, të gjithë martirët e Shkurtit dhe të 2 Prillit që flijuan jetën e tyre për fitoren e demokracisë!

Me nderim kujtojmë sot të gjithë së bashku nënkryetarin e Partisë Demokratike, mikun tim, Gramoz Pashko, për kontributin e madh që dha në lëvizjen demokratike të Shqipërisë.

Nder dhe mirënjohje të thellë të gjithë qytetareve dhe qytetarëve shqiptarë që me votën e tyre, më 22 Mars përmbysën diktaturën totalitare në Shqipëri!

 

Fitorja jonë më datë 22 Mars ishte pra fitore e lirisë, shtetit ligjor, paqes dinjitetit njerëzor. Ne duhet të shëronim plagët e rënda  të krijuara nga lufta mizore e klasave që kullonin dhe rridhnin dhimbje, lot dhe gjak, duhet të çliroheshim nga pasojat e komunizmit barbar. Opozitarë por vëllezër - ishte  diviza jonë sepse, për ne paqja sociale ishte kushti i të gjitha kushteve për shndërrimin e ëndrrave dhe aspiratave tona në realitet.

 

Agu i lirisë do ta gjente Shqipërinë si një ndër 3-4 vendet më të varfra të planetit, me 204 dollarë të ardhura në vit për frymë, me rroga mujore 4-8 dollarë në ditë, me inflacion 400%, deficit buxhetor 49%, me një kolaps të plotë ekonomik, rezervë valutore 6 milion dollar, mungesë masive të ushqimeve, ilaçeve, veshjeve, me një papunësi rreth 80%. Rruga drejt lirisë nuk ishte e lehtë, i vështirë ishte ndërtimi dhe konsolidimi i vlerave të saj. Por ne nuk ishim njerëz zemërthyer, përkundrazi ishim njerëz të frymëzuar. Prandaj ne nuk zgjodhëm të ankohemi për madhësinë e problemeve por vendosëm t’i trajtojmë, t’i konsiderojmë sfida për t’i zgjidhur ato. Vështirësitë për ne ishin thirrje për veprim.

 

Shqipëria, vendi i lirive dhe të drejtave të ndaluara me kushtetutë, u shndërrua në vendin ku garantoheshin dhe respektoheshin liria e mendimit dhe shprehjes së tij, liria e besimit, e lëvizjes së lirë, e iniciativës së lirë, të drejtat dhe liritë e minoriteteve. Liritë dhe të drejtat  njerëzore ishin përkushtimi im kryesor.

 

Në 5 vite qeverisjeje ne nxorëm vendin nga izolimi, e hapëm drejt miqve tanë SHBA, vendeve të Bashkimit Europian dhe vendeve të tjera botës së lirë dhe firmosëm qindra e qindra marrëveshje, traktate, protokolle bashkëpunimi, me vendet e lira, marrëveshjen e tregtisë me BE dhe partneritetit për paqe të NATO-s, zëvendësuam të gjitha ligjet e sistemit komunist me ligje të vërteta të standardeve europiane, themeluam një seri institucionesh të reja të shtetit demokratik, anëtarësuam Shqipërinë në Këshillin e Europës. Qeveria jonë ndërmori reformat më të thella dhe më të suksesshme të tregut të lirë. Brenda  një viti privatizuam tokën dhe bëmë pronarë 460 mijë familje fshatare, privatizuam apartamentet dhe bëmë pronarë 220 mijë familje qytetare, mbyllëm të gjitha industritë e falimentuara, vendosëm sistemin fiskal me barrën më të ulët në Europë, liberalizuam çmimet dhe aplikuam terapinë e shock-ut, liberalizuam kursin e këmbimit. Shqipëria që hyri në vitin si vendi tërësisht i falimentuar, arriti që në vitin ‘95 të bëhet vendi i rritjes dyshifrore, inflacionit njëshifror, vendi në të cilin të ardhurat për frymë u katërfishuan, 80% e GDP vinte nga sektori privat. Por, vrullin e këtij zhvillimi do ta ndërpriste kriza financiare.

 

Bllokimi nga qeveria jonë i skemave piramidale do ta shfrytëzohej nga opozita  për të organizuar rebelimin komunist.

 

Partia Demokratike duke njohur përgjegjësitë e saj të plota për tolerimin e skemave primamidale dhe krizën financiare që ato sollën, mori vendimet që për të shmangur një konflikt të gjerë civil të dorëzonte pushtetin. Ajo ju deklaroi shqiptarëve se qeveria e saj nuk ishte e implikuar në skemat piramidale dhe se një borxh që nuk ishte marrë nuk mund të njihej, nuk mund të kthehej. Kështu që, ata që u përmbysën me votën e lirë në vitin ’92, pasi premtuan rikthimin në çdo qindarkë të parave të humbura, u rikthyen me dhunë në pushtet. Nga viti 97 në vitin 2005, Partia Demokratike konsolidoi në Shqipëri traditën e munguar të opozitës konstruktive, fitoi zgjedhjet në vitin 2001, por ia morën mandatet me gjykatë kushtetuese.

 

Zonja dhe Zotërinj,

Më 3 Korrik të vitit 2005, Partia Demokratike dhe aleatët e saj morën votëbesimin masiv të shqiptarëve, ndër rastet më të rralla në histori, ato fituan, ndonëse opozitë në zgjedhje jo të lira dhe të ndershme, duke realizuar kështu rotacioni demokratik të pushtetit dhe larguar prej tij me votë, ata që erdhën me dhunë.

 

Përsëri në pushtet. Liritë dhe te drejtat e qytetarëve, shteti ligjor, shoqëria e lirë dhe jo pushteti, janë dhe mbeten pasioni ynë. Këto tre vjet, sipas të gjitha raporteve, ato janë respektuar nga qeveria më mirë se asnjëherë më parë. Këto tre vjet, qytetarët shqiptarë janë ndier më të lirë se kurrë në tërë historinë e tyre. Sot jam këtu për t’u zotuar para shqiptarëve se, në mandatin tonë të dytë, liritë e tyre do të njohin dimensione të panjohura ndonjëherë.

 

Tre vjet më parë, në Shqipëri, korrupsioni ishte shndërruar në sistem, portet, pikat e tjera të kalimit të kufirit, doganat, qytete dhe rrethe të tëra kontrolloheshin nga krimi i organizuar famëkeq shqiptar, që kishte nxirë imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në kronikat e zeza të Europës dhe botës. Procesi i integrimit të vendit pothuaj kishte ndaluar.

 

Ne iu premtuam shqiptarëve që votuan koalicionin tonë, reforma, reforma dhe vetëm reforma, për të realizuar ndryshimin që ata prisnin. Në përputhje me programin tonë ne shpallëm sigurimin e jetës dhe pronës së qytetarëve tanë, luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar si përparësinë e parë të qeverisë sonë. Të shumtë ishin ata skeptikë që nuk besonin në suksesin tonë dhe jo të pakët ishin të tjerët që mbronin me imunitetin e tyre simbiozën, lidhjet dhe përfitimet e tyre me bandat mafioze. Por sot, pas tre vjetësh, Shqipëria është një ndër vendet më të sigurta në rajon dhe Europë. Ne e bëmë atë dhe unë jam sot për t’u zotuar në, këtë sezon elektoral, prerja e lidhjeve të krimit, kudo dhe në çdo nivel, janë dhe do të mbeten objektivi ynë. Shqipëria, vendi më i sigurt në rajon dhe më gjerë, është zotimi ynë për mandatin e dytë që do na japin zgjedhësit shqiptar.

 

                Tre vjet më parë në Shqipëri korrupsioni ishte shndërruar në sistem. Trarët e doganave, tatimeve kontrolloheshin nga qeveritarë, ministrat me monopole private, bandat e tyre. Nga taksat dhe tatimet vidheshin në vit rreth 1.5 miliard dollar. Shqipëria renditej në 24 vendet më të korruptuara të planetit. Opozita që kishte ndërtuar sistemin e korrupsionit, bënte dhe bënë edhe sot çdo gjë për ta mbrojtur atë. Por ne, me qeverisjen me duar të pastra, ia dolëm në tre vjet të shembim sistemin e tyre kleptokratik, Shqipëria që renditej në 24 vendet më të korruptuara të globit, këtë vit u rendit në dhjetë vendet më të suksesshme në botë në luftën kundër korrupsionit dhe la mbrapa 95 vende të botës. Në tre vjet ne nxorëm nga kthetrat e zeza të tij rreth 3.2 miliard dollar në taksa dhe tatime, mbi 500 milion euro në prokurime publike, mbi 300 milion euro në shpenzimet operative. Pra sot, çdo shqiptar mund të pohojë se lufta kundër korrupsionit është suksesi ynë, është beteja jonë, është objektivi ynë. Shqipëria, në 20 vendet me korrupsion më të ulët në planet, do të jetë objektivi ynë më madhor, më i vështirë, por që do ta shndërrojmë atë në realitet. Ne do ta bëjmë atë!

 

Tre vjet më parë, dy projektet e shekullit për shqiptarët, Integrimi në BE dhe NATO, ishin shndërruan në vegun e Penelopë. Muri i krimit të organizuar, korrupsioni galopant dhe dhunimi i zgjedhjeve të lira, kishin shndërruar integrimin e Shqipërisë në NATO dhe BE në një horizont që nuk mund të arrihej. Ne u premtuam shqiptarëve se me reformat ë thella dhe të gjithanshme do të shembim muret e turpi për vendin dhe do të vendosim Shqipërinë në binarët e sigurta të integrimit. Më 12 Qershor të vitit 2006, ne firmosëm Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, kontratën historike të Shqipërisë me Europën. Jam këtu, në këtë ditë solemne  të idealeve evropiane të shqiptare, për t’u zotuar se, muajt e parë të vitit të ardhshëm Shqipëria do të paraqesë kërkesën për statusin e kandidatit, se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për lëvizjen e lirë të shqiptarëve në mbarë Europën. Zoti e bekoftë Europën.

               

Tre vjet më parë, ne iu premtuam shqiptarëve se do të merrnim ftesën për anëtarësim në NATO. Të pakët ishin ata që do të besonin se sot Shqipëria do të ishte një vend që ka marrë ftesën për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Por ne, nga Samiti i Bukureshtit u kthyem në Shqipëri me ftesën historike të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Aleancën më të fuqishme të vendeve të lira.

 

Me këtë rast, dua t’u shpreh mirënjohjen më të thellë Presidentit amerikan Bush, këtij burri të madh të kombit amerikan që erdhi në Shqipëri me mesazhin “Shqipëria në NATO”. Mirënjohje të veçantë dua t’i shpreh Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jaap De Hoop Shefer dhe të gjitha qeverive të vendeve anëtare që votuan për ftesën, që kanë ratifikuar dhe po ratifikojnë protokollin e anëtarësisë së plotë të Shqipërisë në NATO. Zoti e bekoftë Aleancën e Atlantikut dhe vendet anëtare të saj. Unë i garantoj shqiptarët se idealet e NATO-s do të jenë udhërrëfyese për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe se do të bëjmë çdo përpjekje për të qenë anëtar i denjë i saj.

 

Zonja dhe Zotërinj,

Partia Demokratike u themelua 18 vjet më parë si parti e çështjes kombëtare dhe e interesit kombëtar të shqiptarëve. Gjatë këtij mandati ajo, së bashku me të gjithë shqiptarët, përjetoi realizimin e ëndrrës së dy milionë shqiptarëve në Kosovë për Pavarësinë. Në pushtet apo në opozitë, pavarësia e Kosovës ka qenë çështja kryesore e programit tonë kombëtar. Ne jemi krenar me qëndrimet tona!

 

Tre vjet më parë ne i premtuam shqiptarëve dyfishimin e rrogave të mësuesve, infermierëve, mjekëve, dyfishimin e pensioneve në fshat dhe vendosjen e pensioneve minimal 100 dollarë në qytet. Opozita e shpalli premtimin tonë mashtrim, kurse ne e bëmë atë, ne i shndërruam premtimet tona në realitet. Sot rroga minimale dhe mesatare në Shqipëri le mbrapa një sërë vendesh të rajonit, por edhe të BE. Ato kanë një rritje nga 50-80% dhe më 1 maj 2009 do të dyfishojmë rrogën e mësuesve, mjekëve, infermierëve, pensionet e fshatit.

 

Unë zotohem se në mandatin tim të dytë, rritja e madhe e rrogave dhe pensioneve do të jetë një nga objektivat madhore të politikës sime.

 

Zonja dhe Zotërinj,

                Tre vjet më parë ne premtuam ndërtimin e korridorit shqiptar, të cilin paraardhësit tanë e kishin bllokuar për tetë vjet me radhë, madje vodhën dhe shpërdoruan qindra milionë euro taksa që paguan shqiptarët për vite e vite me radhë.

 

                Sot, aorta e kombit është pothuaj në realitet. Ndërtimi i saj i tmerron armiqtë dhe kundërshtarët e saj, sepse Shqipëria, portet e saj, Kosova, territori i saj, fitojnë rolin dhe peshën gjeostrategjike që nuk e kanë patur ndonjëherë më parë.

 

                Ndërtimi në një kohë rekord i korridorit shqiptar gjatë këtij mandati, përbën një nga rritjet më të mëdha historike të Partisë Demokratike, të Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Inaugurimi i tij muajt e ardhshëm të vitit të ardhshëm, përbën tmerrin, turpin dhe fundin e atyre që e bllokuan vite të tëra, që përvetësuan taksën e tij, që përpiqen të mbulojnë me shpifje, trillime ndër më banalet ndërtimin e tij. Shqiptarët do fitojnë.

               

Korridori shqiptar është vepra jonë, është krenaria jonë!

 

Tre vjet më parë, ne iu premtuam shqiptarëve se rrugët fiktive të ndërtuara nga pushtuesit për dominim, do t’i zëvendësonim me rrugët e reja të ndërtuara për zhvillim. Sot rruga e Arbrit  që afron Shkupin me Tiranën, shkurton distancën Tiranë-Shkodër 100 km, Korçë-Qafë Plloçë-Qukës mbi 20 km, Kardhiq-Delvinë shkurtohet mbi 50 km. Boshti qendror i jugut është projekti ynë madhor që afron Sarandën me Tiranën dhe shkurton distancën me mbi 100 kilometra. Gjatë mandatit tonë të dytë, zotimi ynë solemn është; Shqipëria me rrjetin rrugor më të ri, më modern në rajon. Ne do ta bëjmë atë!

 

Tre vjet më parë, ne shpallëm para shqiptarëve shkollimin, edukimin e të rinjve tanë si objektivin më madhor të programit tonë. Sot, pas tre vjetësh, arsimi i vendit është tjetër. Mësuesit shqiptarë, më 1 Maj të vitit 2009, do të paguhen dy herë më shumë se në vitin 2005, numri i studentëve të universitetet e vendit është mbidyfishuar. Në të gjitha shkollat e Shqipërisë po shtrihet interneti. Unë jam sot këtu për t’u zotuar para të rinjve dhe të rejave të këtij vendi, bashkëmoshatarëve të mi në ideale, në projektet europiane të lirisë, në ëndrra dhe aspirata evropiane dhe të lirisë se, mandati im i dytë do të jetë para së gjithash dhe mbi të gjitha, mandati juaj, mandati i rinisë shqiptare, i projekteve dhe sukseseve të saj.

 

Së bashku ne përmbysëm diktaturën, së bashku ne përmbysëm kleptokracinë, së bashku ne do fitojmë mandatin e dytë, së bashku ne do ta çojmë Shqipërinë në Europë. Rroftë rinia shqiptare!

 

Tre vjet më parë Shqipëria ishte vendi i largimit masiv të investitorëve të huaj. Në tre vjet, me revolucionin tonë fiskal dhe reformat e thella ekonomike, ne ia dolëm të rendisim atë të dytën në botë për reformat e lidhura me klimën e biznesit, të parakalojmë në një vit mbi 50 vende të tjera. Shqipëria sot është vendi i rritjes dyshifrore, vendi më tërheqës për investimet e huaja. Unë jam këtu për t’u zotuar para jush se Shqipëria nuk do ta ndalojë turravrapin e saj, se gjatë mandatit të dytë, Shqipëria si shqipe do të fluturojë drejt zhvillimit. Ne do ta bëjmë atë të fluturojë në investim dhe rritje ekonomike.

 

Zonja dhe Zotërinj,

Shqipëria po ndryshon, po ndryshon këto vite më shumë se asnjëherë më parë, por unë jam këtu për t’u zotuar se gjatë mandatit të dytë, ndryshimet e saj do të jenë disa herë më të mëdha.

 

Ndryshime të mëdha ka patur imazhi i saj këto tre vjet. Ajo u bë vendi i sigurt, vend i suksesit të reformave, vend që priti në vizitën e tij të parë në histori, Presidentin e SHBA, vend që priti kryeministra, kryetarë shtetesh dhe institucioneve ndërkombëtare më shumë se kurrë më parë, vendi që firmosi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mori ftesën për në NATO. Të gjitha këto janë premisat madhore të shpejtimit të ritmeve të zhvillimit të saj. Ajo mbetet e vendosur të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi në rajon. Qeveria shqiptare sot dhe gjatë mandatit të ardhshëm do të ketë përparësi madhore bashkëpunimin e gjithanshëm dhe miqësor me SHBA dhe administratën e re të Presidentit Obama, si aleati ynë kryesor, administratë në të cilën ne kemi miqtë më të mirë. Ne angazhohemi për zhvillimin e marrëdhënieve intensive dhe miqësore  me vendet fqinje, me vendet e mëdha të BE, Britaninë, Francën, Gjermaninë, Italinë dhe vendet e tjera, me Japoninë, Kinën, Kanadanë, Indinë, Brazilin dhe me vende mike kudo në botë.

 

Shqipëria, vend me shumë miq dhe  në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha vendet e lira, është dhe mbetet qëllimi ynë madhor.

 

Vëllezër dhe motra, sot pas 18 vitesh, Shqipëria është 18 herë më mirë, më ndryshe se sa ishte 18 vite më parë. Por ne duhet të jemi të përgatitur në rrugën tonë, të punojmë me përkushtim dhe të bindur se, sado që ne të bëjmë për të, ndoshta nuk do ta shohim aty ku ne dëshirojmë, por duhet ta bëjmë këtë, për dinjitetin tonë,  për të ardhmen e fëmijëve tanë.

 

Edhe njëherë, gëzuar festën e lirisë, festën  e pluralizmit, të dinjitetit, festën e shqiptarëve kudo që janë.   

 

 

 

 

 


12/12/2008
   Foto Galeri ...
   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Kryeministri Berisha pret pėrfaqėsues tė kompanisė Schäfer, qė po realizon projektin pilot tė trajtimit tė diferencuar tė mbetjeve urbane nė Lezhė
Grupi COTECNA i prezanton Kryeministrit projektidenė pėr instalimin nė pikat doganore tė sistemit tė kontrollit pėrmes skanimit
Grupi italian INCANTO i shpreh Kryeministrit interesin pėr ndėrtimin e njė kompleksi tė prodhimit tė mobilieve luksoze
Kryeministri Berisha pret delegacionin e Fondacionit holandez “Eduardo Frei”
Kryeministri Berisha: Pėrdorimit i gazit nga konsumatorėt, njė alternativė qartėsisht e leverdishme ekonomike
Konferencė pėr shtyp e Kryeministrit Berisha
Kryeministri Berisha merr pjesė nė ceremoninė e inaugurimit tė godinės sė re tė fabrikės Birra Korēa
Ministri Pollo ēel garėn pėr 3G
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Shoqatės Shqiptaro-Amerikane nė Cleveland, Ohio, Adem Meta
Kryeministri Berisha takohet me biznesmenė tė Vlorės
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave